TIRANE - Mbledhja e sotme e Këshillit Bashkiak, e cila ishte parashikuar të zhvillohej në orën 18:00, është anuluar. Shkak për këtë është bërë mungesa e disa prej këshilltarëve të djathtë në mbledhje, si pasojë e të cilëve kryebashkiaku Lulzim Basha dhe kryetari i Këshillit Bashkiak, Njazi Kosovrasti anuluan mbledhjen pa dhënë asnjë shpjegim.

Ndërkaq, ky veprim nuk u prit mirë nga ana e këshilltarëve të majtë të cilët e kanë quajtur të papranueshëm, e për këtë arsye kërkuan vazhdimin e mbledhjes, duke qëndruar rreth një orë në shenjë proteste dhe kërkese për miratimin e vendimeve që ishin parashikuar të diskutoheshin sot.

Nga ana tjetër, gazetarët për rreth një orë qëndruan para Bashkisë, pasi nuk janë lejuar të hyjnë brenda godinës me arsyen se mbledhja ishte anuluar.

Ka qenë më tej prononcimi për media i kryetarit të këshillit të majtë në Bashkinë e Tiranës, Aldrin Dalipi, që sqaroi detaje nga çfarë ndodhi në mbledhjen, tashmë të anuluar.

Sipas Dalipit, kryetari i Bashkisë, Lulzim Basha vepron për interesa personale dhe jo për ato të qytetarëve dhe Këshillit. “Ne erdhëm të kryejmë detyrën tonë, por kryetari i Këshillit nuk ka dëshirë të veprojë në interes të qytetarëve. Ky është një akt i turpshëm”, u shpreh kreu i Këshilltarëve të PS-së, Aldrin Dalipi.

Ai theksoi se “jo serioziteti” i treguar sot me anulimin e mbledhjes dhe mos lejimin e gazetarëve dhe kameramanëve në ambientet e brendshme të Bashkisë, “do pasohet nga veprimet tona”, ndërsa vijoi se “Basha dëshmoi që ka synim interesat e tij”.

Ndërkaq, Dalipi hodhi hipoteza të ndryshme nga arsyeja që u paraqit sot në Këshill, se mungesa e këshilltarëve të PD-së ishte për arsye shëndetësore. Ai tha se “Basha s’kishte kuorum, prandaj e anuloi mbledhjen.”

Ky veprim, sipas Këshilltarëve të PS-së, tregon se Basha nuk siguronte dot votat me maxhorancën në mungesë për miratimin e disa vendimeve, e për këtë arsye anuloi mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak.

(Gre.M/Shqiptarja.com)