Edhe pse Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta e cilësoi një votim demokratik, duket se gara për postet drejtuese në parti do të jetë një votëbesim.  Kështu në garën për katër nënkryetarët e Partisë, ishin vetëm katër emra, Petrit Vasili, Erisa Xhixho, Endrit Braimllari dhe Floida Kërpaçi. E njëjta gjë, vlen edhe për zv/kryetarin e Partisë së Lirisë, që pritet jetë jetë Agim Nesho, si dhe Sekretar i Përgjithshëm, i cili pritet të jetë Tedi Blushi. Ndërkohë, në listën për anëtarë kryesie garonin 32 persona, për 22 vende.

Gjatë fjalës së tij, në çelje të punimeve të Komitetit Drejtues, Meta u ndal tek protesta e pedagogëve, shpopullimi, protesta e 12 nëntorit si dhe zgjedhjet lokale të 14 majit, teksa tha se prioritet i prioriteteve mbetet arsimi.  Për Metën, ka një skenar të qeverisë për të nënvlerësuar pedagogët.

“S’kemi të bëjmë me mungesë mundësisë, e kemi treguar se ka mundësi. Kemi të bëjmë me një politikë të vetëdijshme për të nënvlerësuar pedagogët, intelektualët dhe çdo mendim kritik e përparimtar të shoqërisë me qëllim që të gjithë të jetojnë me frikë nga pushteti dhe nga përpjekjet e tij për të intimiduar për këdo që mendon i lirë. Rilindja e ka zgjedhur me qëllim këtë sektor për ta poshtruar, patranozhuar dhe nënshtruar. Do dështoj kjo politikë, pedagogët, studentët, arsimtarët, do jenë flakëndezësit e parë të frymës për liri, dinjitet e për një Shqipëri si e gjithë Europa. Ne kërkojmë që pagat e tyre për dy vite të jetë sa paga e kolegëve të tyre në Europë”, tha Meta.

Teksa akuzoi qeverinë edhe për investime të miliarda eurove pa produktivet, Meta tha se prioritet i qeverisë është prodhimi vendas, klima e biznesit, ulja e barrës fiskale, formalizimi i ekonomisë, si dhe dija.

“Konsolidimi i shtresës së mesme është prioritet, rilindja i ka shpallur luftë, pasi shtresa e mesme është garante për mbrojtjen e demokracisë dhe zhvillimin e qëndrueshme të vendit dhe kjo është një nga arsyet se përse në arrogancë injorohen kërkesat e pedagogëve”, tha Meta.

Në këtë kontekst, Partia e Lirisë kujtoi protestën e 12 nëntorit.

“Të gjithë së bashku për të dhënë mesazhin se koha e arbitraritetit, koha e nëpërkëmbjes së shqiptarëve, që na vogëlushët parashkollor, e deri tek më të moshuarit, ka marrë fund. I ftoj të gjithë të rinjtë e Shqipërisë, të bashkohen, nën moton për të larguar këtë qeveri grabitëse të të drejtave të tyre, të të ardhmes së tyre e për t’i dhënë fund largimit të të rinjve nga Shqipëria. E thanë edhe britanikët, është plan i qartë për shpopullimin e Shqipërisë. Ky projekt ka marrë fund, Partia e Lirisë për këtë është angazhuar, Shqipëria do t’i përkas të rinjve dhe do t’i përkas Shqiptarëve”, tha Meta.

Meta mbylli fjalën duke u shprehur i bindur për fitoren e zgjedhjeve lokale, duke theksuar se mbrëmja e 14 majit do të jetë një natë festive për kthimin e demokracisë.

“I ftojmë të gjithë të rinjtë të bashkohen me moton për të larguar këtë qeveri grabitësi. Shqipëria do t’i përkasë të rinjve. Mbrëmjen e 14 majit jam i sigurt që do të jeni të gjithë për të fituar rikthimin e demokracisë”, tha Meta.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:59
Sot votohet Kryesia e re e Partisë së Lirisë, kush janë 33 kandidatët që marrin pjesë në garë! Zgjidhen vetëm 22 prej tyre

Sot po kryhen zgjedhje për strukturën e re të Partisë së Lirisë. Në mbledhjen e Komitetit Drejtues Kombëtar po votohet për Kryesinë, Zëvendëskryetarin, Sekretarin e Përgjithshëm, nënkryetarët. Nga 33 emra që garojnë, do të zgjidhen vetëm 22 prej anëtarëve të Partisë së Lirisë.