Kërkesa ka ardhur zyrtarisht në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve në datën 2 shkurt, pak përpara se opozita të niste bojkotin parlamentar. Menjëherë ka ndërhyrë në këtë diskutim kreu i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, i cili e ka quajtur kërkesën e Spahos një tentativë për diversion brenda mazhorancës.
Debati në mbledhje
Ilir Meta – Fillojmë Konferencën e Kryetarëve me rend dite: Vijimi i diskutimit për ngritjen e komisionit hetimor dhe kërkesë për zgjatje afati komisioni hetimor.
Gramoz Ruçi – E diskutuam edhe herën e parë që kishim të dy kërkesat nga komisionet hetimore. Unë do t’i bëja thirrje opozitës që tani ne duam apo nuk duam po i afrohemi çdo ditë e çdo muaj zgjedhjeve dhe nuk më duket e arsyeshme t’i zvarrisim dhe t’i shtyjmë tre apo katër herë afatet e komisioneve hetimore. Në parim, për ne nuk përbën problem për t’i shtyrë, pasi hajde se po i shtyjmë që të dy komisionet, se i shqyrtuam radhën e parë dhe ramë dakord që t’i shtynim një muaj. Tani kemi një kërkesë, por kjo nuk do të thotë se kërkesa e parë ka rënë, prandaj unë do të kërkoja nga kolegët e opozitës mirëkuptim që nëse biem dakord t’i shtyjmë edhe një muaj të dy komisionet hetimorë dhe t’i mbyllim këto çështje.
Edmond Spaho – Unë nuk kam punë farë me komisionin tjetër, por kam punë vetëm me komisionin tim. Zoti Ruçi thirrje të mos më bëjë mua, por përfaqësuesve të partisë së tij në komisionin hetimor, pasi nuk vijnë në mbledhje. Në mënyrë konstante ky komision është vënë përballë alternativës për të dështuar. Sot po ju them se në 17 mbledhje që kemi tentuar të bëjmë, janë bërë vetëm 8 mbledhje, për shkak mospjesëmarrjeje. Unë nuk dua të bëj debat, sepse e di që debati me mazhorancën për këtë çështje i kotë. Kam provuar të gjitha format për të mbledhur komisionin. Zoti Kryetar, do t’ju kërkoja Juve që të influenconi që përfaqësuesi juaj në komision të marrë pjesë në mbledhjet e komisionit, në mënyrë që të bëhet mazhoranca, pasi unë nuk siguroj dot mazhorancën. Nëse përfaqësuesi juaj nuk do të vijë në mbledhje, unë duke filluar nga nesër do ta zhvilloj pa kuorum mbledhjen. Do t’i thërras dëshmitarët në prezencë të medias, pastaj në janë të vlefshme apo jo le ta gjejnë ata që.., por durimi në këtë çështje ka marrë fund. Këtu nuk është çështje afatesh, po të ishin ndjekur afatet dhe të punohej normal do të kishte përfunduar që në tre mujorin e parë. Këtu në mënyrë sistematike bëhen përpjekje që komisioni të mos mblidhet dhe ia kanë arritur në shumë raste. Unë kam dy kërkesa: E para, që përfaqësuesi juaj të vijë në komision dhe e dyta, nëse nuk do të sigurohet kuorumi nga dita e nesërme unë do ta mbledh komisionin pa kuorum. Që komisioni të përfundojë punë duhen së paku dy muaj, pasi janë edhe rreth 20 dëshmitarë për t’u pyetur.
Gramoz Ruçi – Ti do të bësh diversion midis nesh?
Edmond Spaho – Jo nuk dua të bëj diversion. Unë po ju them se duke filluar që nesër se edhe nëse nuk sigurohet kuorumi unë do të mbledh komisionin. Po ju them edhe këtë, se që nga dita që është krijuar komisioni vetëm një seancë normale është bërë. Kjo seancë ka qenë ditën kur është thërritur Kryeministri, pasi i tha palës së tij se ju nuk keni të drejtë të bëni pyetje. Pyetjet do t’i bëjnë këta, pasi këta e kanë krijuar komisionin dhe në të gjitha rastet e tjera atje është bërë lesh arapi dhe ju nuk shqetësoheni fare.
Gramoz Ruçi – Unë shqetësohem për etikën Tuaj si kryetar komisioni dhe të përfaqësuesve të tu, madje dhe një zonje, anëtare të komisionit tuaj...
Edmond Spaho – Jeni keq informuar.
Gramoz Ruçi – Nuk jam keq informuar sepse e ndoqa live.
Edmond Spaho - Ne, madje jemi shumë tolerantë sepse zonja i drejtohet kolegut me duart të prangosura duke i cituar se ti duhet të shkosh në burg me duart të prangosura. Kujt i flet ajo ashtu. Nuk e ke ndjekur live sepse seanca ka qenë e ndërprerë në atë kohë. Në vend që të ngrihemi ne dhe të kërkojmë përjashtimin e saj, ngriheni ju! Kjo është qesharake.
Valentina Leskaj – Ne në mbledhje të Konferencës nuk jemi mbledhur për të shqyrtuar atë. Në konferencë të Kryetarëve minimalisht respektojmë njëri – tjetrin. Unë e kuptoj që Ju mund të keni arsyet tuaja ...
Edmond Spaho – Duhet të më respektoni edhe mua që më keni vënë të drejtoj atë komision, duhet të respektoni edhe kolegët e tjerë që janë në atë komision.
Valentina Leskaj – Të lutem le të ndjekim një radhë. Këtu po flet një kryetar grupi, dakord. Të mbarojë dhe pastaj merreni fjalën juve dhe ne të dalim nga kjo mbledhje të qartë dhe jo të dalim tek oborri dhe të gjuajmë njëri tjetrin. Nëse nuk ka një konkluzion natyrisht që kjo do të ndodhë, prandaj të respektojmë njëri – tjetrin.
Edmond Spaho – Vendimi im është ky, që ne duam dy muaj afat për zgjatjen e veprimtarisë së komisionit, pasi ka ende dëshmitarë për t’u pyetur. E dyta, dua që ju të garantoni kuorumin e komisionit. Nëse nuk më sigurohet kuorumi unë do ta mbledh komisioni pa kuorum. Komisionit i mbaron afati me 20 shkurt, por praktikisht datat e punës së komisionit të hënën përfundojnë, sepse sipas juristëve të komisionit duhen dy javë për të shkruajtur raportet.
Eduard Shalsi – Të them edhe unë dy fjalë në cilësinë e nënkryetarit të komisionit. Për një gjë jam plotësisht dakord me zotin Spaho, pasi ka një anormalitet të jashtëzakonshëm në funksionimin e komisionit. Ka disa pasaktësira që thotë për numrin e mbledhjeve, janë 21 mbledhje. Unë sot u njoha me letrën e zotit Spaho dhe dje në darkë nxora një material nga një monitorim, jo nga ne, por nga institucione jashtë Parlamentit, vetëm mbi procesverbalet, ku janë bërë vetëm 21 mbledhje deri më sot. Jo mbi çfarë është thënë në televizion, jo çfarë është regjistruar nga mediat, mbi çfarë është shkruar në procesverbal, ka datat. Është shpifur, është kërcënuar dëshmitari dhe madje në rastin e fundit ka edhe një shprehje të vetë zotit kryetar, në mbledhjen e parafundit, kur thotë në fund se i thërras dëshmitarët për t’i akuzuar!
Edmond Spaho – Me ty është e kotë të flasësh, por me ty nuk kam ndërmend që të bëj debat sepse të flasësh me ty është sikur të flasësh me murin. Unë heq dorë nga debati me ty.
Eduard Shalsi – Unë e kuptoj edhe shprehjen emocionale edhe mungesën e kontrollit që zoti Spaho manifeston edhe në Konferencën e Kryetarëve. Është e njëjta sjellje edhe në komisionin hetimor, po ju them se nuk e ndihmon aspak punën e komisionit hetimor. Siç ju thashë, lëreni më një anë atë që them unë, ç’thotë kryetari i komisionit. Pra nga një shqyrtim i procesverbaleve do konstatoni lehtësisht këto gjëra që them unë. Është e pamundur që të zhvillohet një seancë duke fyer, ofenduar, kërcënuar e duke shantazhuar dëshmitarin dhe duke e konsideruar dëshmitarin si të akuzuar. Ky është problemi, e para kjo. E dyta, kam nxjerrë të gjithë korrespondencën e njoftimeve në lidhje me mbledhjet dhe kjo është një histori tjetër më vete. Pra kjo është historia dhe në rast se nuk do të ketë reflektim nga moderatori, kryetar i komisionit hetimor është e pamundur, rezervojnë të drejtën dëshmitarët dhe të kemi sjelljen tonë karshi dëshmitarëve me ndonjë përjashtim të rrallë të tyre, siç i konsiderojnë ata dhe tonët, ndërkohë që për sa kohë kam pranuar që të jem zëvendëskryetar i atij komisioni. Dhe minimalisht duhet të respektojmë statusin e atyre që janë thirrur për të dëshmuar. Ky është problem i madh dhe në dispozicion janë procesverbalet. Thashë që ka një monitorim i cili do ju vijë, unë e njoha krejt rastësisht dje apo pardje vetëm nga procesverbalet. Janë shkelje flagrante, kaq.
Ilir Meta – Atëherë zoti Ruçi jeni dakord për 20 marsin?
Gramoz Ruçi – Është shumë dy muaj.
Edmond Spaho – Unë dua dy muaj, pasi janë 20 dëshmitarë. Nëse do ketë qëndrim pozitiv për të ecur komisioni ne e mbyllim shpejt. Unë po ju them edhe një herë se nëse në ora 10.00 nëse nuk paraqiten për të formuar kuorumin unë do ta vazhdoj pa kuorum.
Ilir Meta – Dakord e lëmë njëherë deri më 20 mars dhe më pas shohim. Faleminderit.
MBLEDHJA MBYLLET
SPAHO
“Zoti Kryetar, do t’ju kërkoja Juve që të influenconi që përfaqësuesi juaj në komision të marrë pjesë në mbledhjet e komisionit, në mënyrë që të bëhet mazhoranca, pasi unë nuk siguroj dot mazhorancën”.
RUÇI
“Ti do të bësh diversion midis nesh? Unë shqetësohem për etikën Tuaj si kryetar komisioni dhe të përfaqësuesve të tu, madje dhe një zonje, anëtare të komisionit tuaj...”
Redaksia Online
XH.K/Shqiptarja.com