BRUKSEL- Kreu i EUROJUST, Michael Schmid deklaron se ka ngritur 14 skuadra hetimi për grupet kriminale shqiptare, në kuadër edhe të Projektit të Ballkanit Hetimor, për luftën kundër krimit të organizuar dhe kporrupsionit.
Ishte deputeti finlandez Sebastian Tynkkynen ai që ka kërkuar llogari nga kreu i EuroJust në lidhje me krimin shqiptar, gjatë mbledhjes së Komisionit për Liritë Civile, Drejtësinë dhe Çështjet e Brendshme, të Parlamentit Evropian, i mbajtur më 2 dhjetor.
Eurodeputeti finlandez ka pyetur se edhe pse Shqipëria nuk është shtet anëtar në BE, cilat janë bashkëpunimet e EuroJust për të parandaluar grupet kriminale në këtë vend.
“Nga pikëpamja e kriminalitetit ndërkombëtar dhe në lidhje me zgjerimin e BE, dua t’ju them se ka kriminelë shqiptarë në Finlandë, këta njerëz kryejnë krime në Finlandë edhe pse Shqipëria nuk është shtet anëtar i BE, doja t’ju pyesja “çfarë lloj bashkëpunimi keni apo nuk keni brenda Eurojust me vendet kandidate dhe si do të ndikojë zgjerimi në këtë aspekt në Europën Perëndimore? Si i vlerësoni ju vetë sfidat që lidhen me zgjerimin? Ç’mund të na thoni për këtë?”, tha Tynkkynen.
Kreu i Eurojust, Michael Schmid, u shpreh se niveli i bashkëpunimit me Shqipërinë është rritur. Sipas tij janë 13 ose 14 çështje hetimore që lidhen me Shqipërinë dhe se pjesa më e madhe tyre kanë të bëjnë me prokurorët italianë.
Po ashtu Schmid në përgjigjen e tij theksoi se tashmë kanë një tjetër projekt për të fultuar krimin, i cili quhet “Crimejust në Ballkanin Perëndimor”. Sipas tij, ky projekt do të vlej për të prezantuar metodat dhe instrumentat që përdorin edhe për hetuesit shqiptarë që të rrisin efikasitetin.
“Flm për pyetjet. Janë shumë të rëndësishme. Për disa vende jo anëtare, janë gjithsej 13 besoj, ka zyra të prokurorëve nga këto vende në qendrën tonë ku ne mund t’i takojmë si kolegë të njëjtë me ata të vendeve anëtare. Mes tyre ka edhe nga vende të Ballkanit Perëndimor, ka edhe nga Shqipëria. Duhet të them se nga niveli i prokurorëve, unë shpesh u them prokurorëve të vendeve anëtare se mund të vijnë tek ne dhe të bashkëpunojnë pasi bashkëpunimi është i njëjtë me ato të vendeve anëtare. Me Shqipërinë nuk e kam numrin ekzakt, por kemi 13 apo 14 çështje hetimore ndaj në këtë drejtim mendoj se bashkëpunimi ecën mirë. Së fundmi për përmirësimin e bashkëpunimit, kemi edhe një projekt që quhet “Crimejust në Ballkanin Perëndimor” dhe ideja e këtij projekti është të prezantojë metodat dhe instrumentat që përdorim ne për të bashkëpunuar edhe për hetuesit shqiptarë që të shtojmë çështjet në hetim dhe besoj se kjo ka pasur sukses në të shkuarën”, u shpreh Schmid.