TIRANE - “Në mars 2013 familja ime në prani të 24 burrave dhe dy klerikëve u ka bërë be familjes Kurti. Unë kam pamje filmike dhe firmat e këtyre 24 burrave që kanë firmosur në këtë be që ne i dalim borxh burrave të kësaj familjeje”.
 
Kjo deklaratë e deputetit Mark Frroku në seancën e Kuvendit më 2 Prill të këtij viti, ka bindur prokurorët të pyesin në cilësinë e dëshmitarëve 24 baballarët e të përfshirëve në vrasjen e Aleksandër Kurtit në vitin 1999 në Bruksel.
 
Prokuroria e Përgjithshme do të pyesë në lidhje me çfarë është diskutuar në mbledhjen e baballarëve të fisit Kurti dhe Frroku, si dhe nëse është pranuar apo jo vrasja e kryer nga kreu kristian demokrat Mark Frroku.
 
Ky fakt bëhet i ditur për A1 Report nga një pjesëtar i grupit hetimor që preferoi të flasë në kushtet e anonimitetit.
 
Në deklaratën e tij nga Kuvendi, Frroku rikonfirmoi informacionin që Prokuroria depozitoi në relacionin dërguar Parlamentit, seancë në të cilën u vendos për arrestimin e deputetit në lidhje me akuzat e autoriteteve belge që e përfshijën Frrokun në vrasjen e shqiptarit Kurti.

Në relacionin e Akuzës thuhet se vrasja është pranuar, por vetë deputeti kristian demokrat e ka mohuar këtë version ku ka deklaruar se ka prova që vërtetojnë të kundërtën.

Aktualisht Prokuroria e Përgjithshme e cila ka nisur procedimin penal me akuzën e vrasjes ndaj Frrokut është në pritje të dosjes nga autoritetet belge. Po ashtu organi i akuzës ka dërguar atje një letër porosi në lidhje me të gjitha provat dhe faktet e mbledhura për ngjarjen ku Aleksandër Kurti humbi jetën marsin e vitit 1999.

Ndër 24 personat që prokuroria shqiptare pritet të pyesë në lidhje me takimin e mbajtur në fshatin Kcir të Pukës janë babai dhe vëllai vitimës Aleksandër Kurti, Preng Frroku, babai i Mark Frrokut, Bibe Djafa, babai i Lek Bib Djafa person i cili ka pasur dijeni për ngjarjen si dhe Fran Ded Joka, babai i Hile Joka i njohur ndryshe dhe si Arjan Bytyci apo Kristjan Marinaj person i shpallur në kërkim për vrasjen, ende i pa arrestuar.
 
Aktualisht deputeti Mark Frroku ndodhet nën masën e sigurisë të arrestit me burg që Gjykata e Lartë përcaktoi ndaj tij, jo vetëm për akuzat për vrasje nga autoritetet belge por edhe për fshehje të pasurisë, akuzë kjo nga organi i drejtësisë shqiptare. 

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)