TIRANË- Komisionet parlamentare do të fillojnë këtë javë shqyrtimin e projekt-akteve ligjore, duke punuar online. Një lajm i tillë është konfirmuar nga kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Ky vendim vjen si një masë mbrojtëse për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, por njëkohësisht edhe për të mos pezulluar punën e kuvendit ku parashikohet shqyrtimi i projekt-akteve ligjore të rëndësishme.

Ruçi bën me dije se të gjitha shërbimet thelbësore të Kuvendit janë në punë dhe kanë përgatitur infrastrukturën e nevojshme për funksionimin e Kuvendit online, derisa të krijohen kushtet për funksionimin normal në ditët në vijim.

"Në emër të këtij qëllimi tē lartë, Kuvendi do të miratojë aktet normative dhe masat e marra nga Qeveria, puna për të cilat ka filluar. Deputetët e Kuvendit, duke respektuar kufizimet dhe në pajtim me rregullat e vendosura, janë në komunikim të vazhdueshëm me qytetarët dhe agjencitë shtetërore dhe ndjekin me vëmendje punën e tyre. Në përshtatje me kushtet e reja të krijuara, komisionet parlamentare do të fillojne këtë javë shqyrtimin e projekt-akteve ligjore, duke punuar online", shprehet Ruçi.