Shqipëria ka qenë e qartë me pozicionimin dhe deklaratat e saj që dënojnë pushtimin e Ukrainës nga Rusia.
Këshilltari në qeverinë gjermane, Wolfgang Lucht ka vlerësuar maksimalisht deklaratat e Ambasadorit të Shqipërisë në OKB, Ferit Hoxha i cili në mbledhjet e Këshillit të Sigurimit ka deklaruar mes të tjerash se Ukraina po sulmohet vetëm se kërkon të ekzistojë si vend demokratik.
Me një postim në Twitter, Lucht shkruan se Hoxha ka dhënë disa nga deklarata më të qarta e të palëkundura teksa shprehet i gëzuar që Shqipëria po përfaqëson kaq mirë Evropën.
"Dëgjova tani dy seanca të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe më duhet të them: Ambasadori i Shqipërisë , Ferit Hoxha. Ai ka dhënë disa nga deklaratat më të qarta, të palëkundura, të vendosura nga të gjitha. Gëzohem që Shqipëria po përfaqëson kaq mirë Evropën!", shkruan ai, teksa ka shpërndarë edhe fjalimin e Ambasadorit.
Ditën e djeshme, rezoluta e bashkëhartuar nga Shqipëria dhe SHBA për agresionin në Ukrainë u rrëzua në këshillin e Sigurimit në OKB për shkak të vetos së Rusisë. 80 vende anëtare të OKB bashkësponsorizuan rezolutën, ndërsa 11 nga 15 anëtarë të Këshillit të Sigurimit në OKB e votuan atë.
Rusia vuri veton ndaj një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, sipas të cilës, është kërkuar që Moska të ndalojë menjëherë sulmin e saj ndaj Ukrainës dhe të tërheqë të gjitha trupat. 19 nga 15 anëtarët e këshillit votuan për rezolutën, e cila u hartua nga Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria. Kina, India dhe Emiratet e Bashkuara Arabe abstenuan.
Dokumenti i nënshkruar nga Ambasadori i Shqipërisë në OKB, Ferit Hoxha dhe homologia e tij amerikane Linda Thomas-Greenfield, ka për qëllim parësor dënimin e sulmit dhe ndalimin e mëtejshëm të tij nga ana e Rusisë në dëm të Kievit.
Dështimi i rezolutës hap rrugën që mbështetësit të bëjnë thirrje për një votim të shpejtë për një rezolutë të ngjashme në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së prej 193 anëtarësh, ku nuk ka veto.