Mblidhen në Glasgou 120 liderë botërorë për klimën! Guterres: Mjaft të vrasim veten me karbon! Biden: Dekadë vendimtare! Johnson: Nëse dështojmë këtu, dështon e gjitha

Mblidhen në Glasgou 120 liderë botërorë për klimën! Guterres: Mjaft të vrasim veten me karbon! Biden: Dekadë vendimtare! Johnson: Nëse dështojmë këtu, dështon e gjitha

Foto nga konferenca për klimën në Glasgou të Skocisë

Konferenca e OKB-së për klimën ka mbledhur në Glasgou të Skocisë 120 liderë botërorë, aktivistë e ekspertë mjedisorë, të cilët do diskutojnë mbi efektin e ngrohjes globale dhe pasojat e ndryshimeve klimatike. Konferenca u hap nga sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres i cili tha se ‘bota po i hap varrin vetes’ duke përdorur lëndë djegëse fosile, teksa bëri thirrje për të marrë masa të menjëhershme për të shmangur katastrofat.

Guterres iu bëri thirrje pjesëmarrësve që duhet të mblidhen çdo vit për të rishikuar objektivat e tyre klimatike dhe jo një herë në 5 vjet siç e parashikon marrëveshja e Parisit për klimën. Kjo deklaratë e Guterres po nxitet nga një grup vendesh që janë më riskuar nga ndryshimet klimatike, ndërsa pritet që të ketë kundërshtime edhe nga vendet e tjera për shkelje të marrëveshjes së Parisit.

“Është koha të themi, "mjaft". Mjaft me brutalizimin e biodiversitetit. Mjaft të vrasim veten me karbon. Ne po gërmojmë varret tona”, tha ai në ceremoninë e hapjes.

Për presidentin e SHBA-së, Joe Biden kjo është një dekadë vendimtare ku liderët botërorë duhet të tregojë veten. Gjatë fjalës së tij, Biden tha se ndryshimet klimatike po shkatërrojnë jetët e njerëzve çdo ditë, prandaj duhet merren angazhime konkrete, ose ndryshe gjeneratat e ardhshme do të vuajnë. Presidenti përsëriti edhe njëherë angazhimin e SHBA-së për të reduktuar me 50% emetimin e gazrave karbonike deri në vitin 2030.

“Rruga që kemi përpara është shumë e qartë. A do të reagojmë, a do të bëjmë atë që është e nevojshme, a do ta shfrytëzojmë mundësinë që kemi para vetes, apo do të shohim gjeneratat e ardhshme teksa vuajnë. Kjo është dekada që do të përcaktojë përgjigjen. Shkenca është e qartë. Kemi vetëm një dritare të vogël para vetes, e cila po ngushtohet, për të rritur ambiciet dhe përmbushur detyrimin”, thotë Presidenti Biden.

‘Ora është një 1 minutë para mesnate dhe ne duhet të veprojmë tani’, kështu është shprehur kryeministri i vendit mikpritës së konferencës, Boris Johnson. Sipas tij, njerëzimi e ka ulur kokën me kohë para problemeve të ngrohjes globale, ndërsa ka bërë thirrje që të kalohet nga fjalët në vepra, për të gjetur zgjidhje.

"Sa më gjatë të dështojmë të veprojmë, aq më keq bëhet dhe aq më i lartë do të jetë çmimi kur të jemi të detyruar nga katastrofa të veprojmë. Njerëzimi ka kohë që e ka ulur kokën përballë ndryshimit të klimës. Është një minutë deri në mesnatë dhe ne duhet të veprojmë tani”, u shpreh kryeministri britanik.

Të njëjtin mendim si Biden, ndau edhe kryeministri Britanik, ku theksin e vuri tek rreziku që mosveprimi paraqet për brezat e ardhshëm.

"Nëse nuk e marrim seriozisht ndryshimin e klimës sot, do të jetë tepër vonë që fëmijët tanë ta bëjnë këtë nesër", tha Johnson.

Në këtë konferencë mungojnë dy presidentë të dy vendeve që janë emetues të mëdhenj të gazrave karbonikë, presidenti kinez, Xi Jinping dhe ai rus, Vladimir Putin.

Pavarësisht faktit se presidenti kinez nuk u paraqit fizikisht në konferencë, ai i dërgoi një letër Boris Johnson ku ripohoi synimin e kinës se emetimet e karbonit do të arrijnë kulimin në 2030 dhe që neutraliteti i CO2 të arrihet vetëm në 2060.

Një goditje për konferencën është konsideruar angazhimi i kryeministrit të Indisë, Narendra Modi, ku emetimi i karbonit zero synohet të arrihet në vitin 2070. Ky synim i Indisë është 10 vjet larg atij të Kinës dhe 20 vjet larg objektivit të vendosur nga samiti.

Por, kryeministri Modi tha se India është e vetmja që i ka arritur angazhimet e saj të vendosuar si synim në konferencën e klimës në Paris në 2015.

"Sot e gjithë bota e pranon se India është e vetmja ekonomi e madhe në botë që i ka përmbushur në letër dhe frymë angazhimet e saj në Paris," tha ai.

Samiti për klimën pason takimin e udhëheqësve të G20-ës në Romë, ku përfaqësuesit e vendeve vendosën kufizimin e ngrohjes globale mundësisht në 1,5 gradë krahasuar me periudhën paraindustriale, por nuk u dha një datë e caktuar për këtë. Edhe në drejtim të mosemetimit të CO2-it nuk kishte dakordësi mes lidërve të G20-s. Sipas deklaratës së samitit, ky objektiv duhet të arrihet deri në mesin apo fundin e shekullit.

Aktivistët e klimës i kritikuan rezultatet e samitit si të pamjaftueshme. Edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres u tregua i pakënaqur.

"Po largohem nga Roma me shpresa të papërmbushura, por të paktën ato nuk janë varrosur", shkroi Guterres në twitter.

Kurse kryeministri britanik, Boris Johnson sheh konferencën në Glasgou si shpresë për të arritur një zgjidhje. Sipas tij nëse dështon Glasgou, dështon e gjitha.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:10
Për herë të dytë/ Biden kapet sërish mat, merr një sy gjumë gjatë konferencës për klimën në Glasgou (VIDEO)

Video-ja e momentit kur presidenti amerikan Joe Biden merr një sy gjumë në konferencën e klimës në Glasgou të Skocisë po bën xhiron në rrjet. Biden mbërriti me bujë të madhe në Glasgou, por duket se fjalimi i kryeministres së Barbados Mia Mottley e vuri në gjumë.

Presidenti amerikan është filmuar duke u përpjekur të mbajë sytë hapur gjatë fjalimit të Mottley, e cila po fliste për rolin e ishujve të Karaibeve në ndryshimet klimatike.

Kujtojmë që kjo nuk është hera e parë që Biden kapet mat ‘duke fjetur gjumë’ në takime të rëndësishme. E njëjta skemë u përsërit gjatë një takimi të Biden me kryeministrin e Izraelit Naftali Bennett në Shtëpinë e Bardhë.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

MPJD i kundërpërgjigjet Beogradit, ia refuzon kërkesën për vizitë një ministri serb

MPJD i kundërpërgjigjet Beogradit, ia refuzon kërkesën për vizitë një ministri serb