Mblidhet dy herë KQZ,
Shkodra ende problematike

Mblidhet dy herë KQZ,<br />Shkodra ende problematike
TIRANË -  Mblidhet KQZ dy herë sot; pasdite dhe në mbrëmje. Përfaqësuesi i PD-së, Njazi Kosovrasti ka ngritur në mbledhjen e parë rreth orës 18:24 problemin e disa KZAZ-ve në qarkun e Shkodrës. Sipas tij, “në këtë moment PS ende nuk ka paraqitur emrat, propozimet për anëtarët e komisioneve të qendrave të votimit të këtyre kzaz-ve në komunën Shalë dhe njësinë nr.7 në qytetin e Shkodrës”. Përfaqësuesi i PS, Genci Gjonçaj pohoi të kundërtën, se mungojnë pikërisht anëtarët e PD-së dhe i kërkoi në orën 23:00 kryetares së KQZ, Lefteri Lleshi "të ndërhynte shpejt për të zgjidhur situatën". Në mbledhjen e orës 23:00, administrata e KQZ theksoi si problematikë zëvendësimin e vulës së KZAZ 28 në Paskuqan si pasojë e një gabimi të Ministrisë së Brendshme. Pas disa hamendësimeve të përfaqësuesit të PS, Eridian Salianji, KQZ vendosi për ta zëvendësuar vulën aktuale me një vulë rezervë.   

(ORA: 23:00) ZËVENDËSOHET VULA NË PASKUQAN
KZAZ 28 në Paskuqan pati gabim në material në vulën e KQV të futur nga Ministria e Brendshme. "Një vulë që është prodhuar gabim. Gabimisht Ministria e Brendshme e ka futur në një nga zarfat e sigurisë në vulën për kryetarin", shpjegoi punonjësja e administratës së KQZ. 'Si është konstatuar kjo? E ka ditur dikush se cilat janë vula për kryetarin?", pyeti përfaqësuesi i PS, Salianji. 

Përfaqësuesja e administratës së KQZ, shpjegoi se "na morën në telefon nga KZAZ hapën zarfin dhe s’ishte një vulë katrore, por e rrumbullakët që kishte dalë jashtë përdorimit. Folëm me KZAZ 34 të njësisë 5; ata autorizuan qendrën e votimit dhe vula ishte në rregull. Menduan se mos ishte një ngatërresë. Por ishte një vulë, që kishte dalë jashtë përdorimit dhe gabimisht ishte futur në zarfin e Paskuqanit".

Salianji propozoi të merret një vulë nga rezervat, nga ato që janë administruar sot dhe jo të pprodhohet një vulë e re. "Mos hapim idenë e prodhimit të vulave. Vulat janë. Nga ana teknike kjo realizohet. Në të dyja rastet nga ana teknike jemi në rregull. Ka një vulë rezervë", tha ai. Si përfundim u nxor jashtë funksionit vula 1845X dhe u zëvendësua me vulën rezervë.

PROBLEMATIKAT E ORËVE TË VONA
Më pas përfaqësuesit e PS përmendën disa problematika në njësinë 4 dhe 8 në Tiranë, ku pritet të nisë procesi i shpërndarjes së materialeve zgjedhore, pasi janë vonuar në procesin e emërimit të komisionerëve.

Sipas PS, në Mallakastër në KZAZ 63, drejtori i shkollës nuk hap shkollën për të futur materialin zgjedhor. Ndërsa në KZAZ 89, komuna Aliko dhe Livadhja në Sarandë ka probleme në shpërndarjen e materialeve zgjedhore. Më pas u konfirmua nga administrata e KQZ, se gjendja në Livadhja dhe Aliko është çbllokuar. 
 
Problem mbetet ende situata në KZAZ nr. 2 në Shkodër. "Duan apo nuk duan, materiali zgjedhor duhet të shkojë në komunën Shalë. Njerëzit janë, por nuk shkojnë materialet zgjedhore. Ndërkohë që, në 7 të mëngjesit fillojnë votimet. Ju lutem, kryetare, zgjidheni sa më shpejt situatën!", tha Gjonçaj. KQZ mbylli këtu seancën, për t'u rimbledhur në orën 24:00.
 
(ORA: 18:24) DEBATE PD-PS PËR QARKUN E SHKODRËS
Mblidhet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Përfaqësuesi i PD-së, Njazi Kosovrasti ka ngritur problemin e KZAZ-ve 2, 7 në qarkun e Shkodrës. Sipas tij, “në këtë moment PS ende nuk ka paraqitur emrat, propozimet për anëtarë për komisionet e qendrave të votimit të këtyre kzaz-ve”.
 
Kosovrasti ka theksuar i shqetësuar se "njerëzit nuk janë emëruar e jo më trajnuar". Sipas tij, materialet, njerëzit tanë janë atje. "Është e qëllimshme dhe nuk besoj mos jetë kështu. Një një basition të PD-së krijohen tensione të kota. Kërkoj që kjo histori të marrë fund", tha Kosovrasti.

Ndërsa përfaqësuesi i PS, Genc Gjonçaj ka theksuar se "për 10-15 minuta, çështja është e zgjidhur". Ai ka shtuar se "nuk ka asnjë qëllim në këtë drejtim; është thjesht çështje rakordimi".

"Edhe PD njësoj ka vepruar. Nuk është se PD ka vepruar shpejt dhe në kohë", është kundërpërgjigjur Genci Gjonçaj. Pak më vonë, Gjonçaj pas një telefonate u shpreh se ata që mungojnë janë anëtarët e PD. “Anëtarët e PD nuk janë dhe po punohet në një krah. Sapo u lidha me kryetarin e kzaz 44”, tha Gjonçaj.  Pak më vonë, Kosovrasti pohon se sapo foli me kryetarin e komisionit dhe tha se "PS edhe tani nuk i ka çuar propozimet dhe anëtarët e komisionit nuk mblidhen, se nuk ka ardhur PS të sjellë propozimet". Ndërsa Gjonçaj i është përgjigjur: "A marrim ti kryetarin, unë nënkryetarin në telefon? E zgjidhim të dy tani".

Problematike janë paraqitur disa kzaz në Durrës, Peqin, Tiranë, Fier, Cërrik nuk ka filluar shpërndarja e materialeve zgjedhore, nuk janë mblehdur komisionerët, ka humbur vula etj. Në të tjerat procesi ka filluar.

VËZHGUESIT DHE MEDIAT E AKREDITUARA
Janë miratuar sot nga KQZ vëzhgues të televizionit "Fokus" dhe "Klan'. Dhe në total u raportua se janë 18 media, 29 organizata lokale joqeveritare, 8467 të akredituar si vëzhgues dhe nga media, vendas, 11 organizata ndërkombëtare, numri i vëzhguesve ndërkombëtare bashkë me mediat është 792, dhe totali i gjithë vëzhguesve është 9259.
 
DEBAT PËR QENDRËN E VOTIMIT NË THUMANË
U diskutua ndryshimi i qendrës së votimit në Thumanë; një ish-shkollë, e cila siç u raportua "pa dyer dhe dritare". Por në të njëjtin objekt ka një ambient, që shërben për qendër shëndetësore dhe qendra e votimit është rënë dakord që të vendoset në këtë qendër shëndetësore. Ky ambient është i vogël; 16-18 m katrorë. Por autoritetet lokale e kanë pranuar si më të mirën e mundshëm. Anëtari i KQZ, Hysen Osmanaj tha se ndryshimi i qendrës së votimit është shkelje e papërgjegjshme.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    1 maji, a respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

Champions League/ PSG vijon ‘traditën’, Dortmund e mposht 1-0 në gjysmëfinalen e parë

Champions League/ PSG vijon ‘traditën’, Dortmund e mposht 1-0 në gjysmëfinalen e parë