Mblidhet grupi i PS, kolegët e
‘kryqëzojnë’ me pyetje Xhafajn

Mblidhet grupi i PS, kolegët e<br />‘kryqëzojnë’ me pyetje Xhafajn
Në mungesë të kryetarit Edi Rama, Fatmir Xhafaj ka qenë njeriu i ditës në grupin parlamentar të PS-së.

Deputetet socialistë e kanë marrë në pyetje kryetarin e komisionit të Reformës para se të japin votën për 6 ligjet e drejtësisë këtë të enjte.

"Kur do të hyjë në fuqi ligji i vettingut, si do të zbatohet, kur do të fillojë zbatimi, me shqetësimin nëse do të jetë e mjaftueshme koha për t’i bërë funksionale  institucionet e reja të sistemit ka marrë pyetje dhe kam dhënë përgjigje dhe ajo që është më shumë e rëndësishme dhe ajo që ka qenë praktikisht gjëja më me vlerë në gjithë këtë proces mbështetja e pakushtëzuar për  reformën në sistemin e drejtësisë", tha Xhafaj.

Burime nga mbledhja bëjnë me dije se disa prej deputetëve kanë hedhur dyshime mbi pavarësinë e SPAK-ut për faktin se në të do të riciklohen të njejtët njerëz të institucioneve që janë aktualisht në detyrë në drejtësinë shqiptare.

Vetëm nëse i marrim nga Befotrofi e të mos kenë konflikte interesi” mësohet të jetë shprehur një deputet.

Të tjerë gjithashtu kanë pasur vërejtje dhe për hetimin deri tek familjarët e largët të telekomunikacionit dhe llogarive bankare të hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Xhafajt i është dashur të përgjigjet dhe pyetjes së deputetit Qefalia se cfarë ndodh me 6 ligjet e reformës nëse PD ankimon vetingun në kushtuese.

Shpresojmë të mos e rrëzojë Gjykata Kushtetuese, por sidoqoftë nuk cënohen ligjete  tjera” –mësohet të jetë shprehur Xhafaj i cili për gazetarët sqaroi dhe si do procedohet me 34 ligjet e tjera të reformës.

"Me miratimin e këtyre ligjeve ditën e enjte mund të fillojë normalisht procesi për ngritjen e institucioneve të reja natyrisht që të bëhet e plotë reforma duhet edhe paketa tjetër e cila pothuajse ka përfunduar dhe me miratimin e ligjeve prioritare do të fillojnë pastaj të depozitohen dhe të fillojnë t’i nënshtrohen procesit të komisionit", deklaroi Xhafaj.  

Nga votimi në Kuvend të enjten vetëm ligji për SPAK ku përfshihet dhe Byroja Kombëtare e hetimit, opozita ka deklaruar votën pro.

Ligji për Strukturën e Posaçme Antikorruopsion, duket se do jetë ligji i vetëm i paketës emergjente për reformën në drejtësi që do të miratohet me konsensus mes mazhorancës dhe opozitës.

Dakortësia është arritur me misionin amerikan OPDAT.

Debati në mbledhjen me dyer të mbyllura në grupin e PS:
Gramoz Ruçi: Dita e enjte është e rëndësishme sepse do të miratohen 6 ligjet e paketës prioritare për reformën në drejtësi. Pjesëmarrja duhet të jetë pa asnjë përjashtim. Këtu kemi dhe Fatmirin, i cili do t’ju përgjigjet për të gjitha paqartësitë apo pyetjet që keni në raport me këto 6 ligje në mënyrë që votën pro ta japim në bllok dhe të bindur. 
Fatmir Xhafaj shpjegon qëllimet e 6 ligjeve prioritare. 

Paulin Stërkaj: Unë jam skeptik mbi zbatimin e ligjit për gjykatat speciale dhe prokurorinë speciale. Kemi dëgjuar që kriteret janë shumë shtrënguese dhe ata do të jenë në survejim 24 orë në 24. Tani, pse duhet që motra, vëllai apo familjarë të tjerë të tyre të jenë nën përgjim gjithë ditën e natën, vetëm e vetëm se ka një vëlla në gjykatë apo prokurori? Kjo cenon edhe të drejtat dhe liritë e njeriut. Pse duhet të ushtrohet një presion i tillë?

Fatmir Xhafaj: Ky nuk është kriter për të gjithë prokurorët dhe gjyqtarët. Është një kusht për ata që do të shprehin vullnetin për të qenë pjesë e Njësisë Speciale Antikorrupsion, ose SPAK-ut. Nuk bëhet fjalë për të gjithë familjen dhe rrethin fisnor, por vetëm për familjen ekonomike, njerëzit me të cilët prokurori apo gjyqtari jeton në një shtëpi. Ata do të japin një deklaratë vullnetare ku lejojnë paraprakisht survejimin e tyre për shkak të funksionit të familjarit në SPAK. 

Paulin Stërkaj: Vetëm nëse i marrim nga inkubatori dhe i sjellim në SPAK, se ndryshe nuk kemi ku i gjejmë njerëz që të mos keni lidhje dhe që të lejojnë përgjimin e familjeve. Nevojat e sistemit janë shumë, ku do gjenden këta njerëz?

Fatmir Xhafaj: Unë besoj që ka 10 policë, 10 prokurorë apo gjyqtarë të ndershëm në këtë vend, siç ka edhe në politikë, që kanë arsye të punojnë me një pagë të mirë, të trajnohen nga amerikanët dhe të monitorohen prej tyre. 

Paulin Stërkaj: Fatmir, po flasim në parim. Po në praktikë më duket e vështirë të zbatohen gjithë ato kritere të forta. Kemi edhe cenim të të drejtave të njeriut...

Fatmir Xhafaj: Po ta lexosh ligjin mirë, e kupton, se ke eksperiencë të gjatë gjithë këto vite si deputet. Ai grusht njerëzish që do të jenë, e përsëris, vetëm për SPAK-un ndaj i kanë dhe ca bonuse, se duhet të plotësojnë ca kritere ekstra. Do të paguhen shumë mirë dhe do të kenë favorizime për familjen, për shkak të këtyre kufizimeve. Nuk kemi të bëjmë me asnjë kufizim të të drejtave të njeriut, sepse gjithçka do të paraprihet me një akt deklarimi vullnetar. 

Xhemal Qefalia: Kemi dëgjuar që opozita do të dërgojë në Gjykatë Kushtetuese ligjin për vetingun. Në këtë rast, çfarë ndodh me 6 ligjet e Reformës?

Fatmir Xhafaj: Shpresojmë të mos e rrëzojë Gjykata Kushtetuese, por sidoqoftë nuk cënohen ligjet e tjera. Secili është një akt më vete dhe funksionin pavarësisht nëse njëri rrëzohet. 

Artan Gaçi: Kur fillon saktësisht puna për ngritjen e institucioneve të reja? Cila është pritshmëria e vënies në punë të mekanizmit, nëse ventingu hyn në fuqi dhe ligjet miratohen të enjten?

Fatmir Xhafaj: Vetingu hyn në fuqi brenda këtij muaji dhe në mars pritet të konstituohen të gjitha institucionet e reja të drejtësisë, dhe normalisht puna e tyre është një proces që kërkon kohën e vetë.

(d.b/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Partitë proruse përfshihen në qeverinë e riorganizuar të Malit të Zi

Partitë proruse përfshihen në qeverinë e riorganizuar të Malit të Zi