Po zhvillohet sot (16 Janar) mbledhja e radhës e Këshillit Bashkiak të Tiranës, ku i pranishëm ka qenë edhe kryetari Erion Veliaj.
Një prej momenteve më të veçanta ka qenë edhe betimi i anëtarit më të ri të Këshillit, Sead Kazanxhiu. Kryebashkiaku Veliaj e quajti ‘moment historik’, pasi Kazanxhiu është i pari anëtar këshilli që vjen nga Komuniteti Rom.
Kryebashkiaku kujtoi se Tirana nuk është e hapur vetëm për këtë komunitet, por edhe për sportistë të huaj që garojnë për disiplina të ndryshme sportive, por edhe për drejtimin e federatave.
Gjithashtu ai kujtoi se “shumë shpejt do bëhet edhe rishikimi i buxhetit”, për t’i shërbyer sa më mirë nevojave të qytetarëve të kryeqytetit dhe mirëfunksionimit të sektorëve.
“Tirana tani është qytet kozmopolitan, duke kujtuar zhvillimin e saj, por edhe me shtetësitë e reja. Kemi sportist të huaj që na janë bashkuar dhe garojnë nën flamurin tonë. Ky është moment historik, pasi u thye një ‘tavan xhamash’ dhe jam i lumtur dhe kënaqur që Seadi është këtu dhe përfaqëson një komunitet si romët, duke parë ecurinë e tij dhe ngjitjen. Ta kemi qytetin sa më solidar”, u shpreh Veliaj ndër të tjera.
Gjithashtu ai kujtoi se Tirana duhet të jetë lokomotiva e vendit dhe që “të bëhet betejë civile, ku të fitojë më i miri”, duke iu referuar edhe zgjedhjeve që po afrojnë.
Kryebashkiaku Veliaj mbajti fjalën para anëtarëve, ku prezantoi edhe pikat e rendit të ditës, propozimet dhe kërkesat, projektet dhe investimet për të ardhmen, me qëllim ndryshimin e kryeqytetit edhe përgjatë vitit 2025.
Ai shpjegoi se po vijohet me sistemimin e familjeve si në banesat sociale, edhe të atyre të dëmtuara nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019, duke theksuar:
‘Po sistemohen familjet në zonat e ndryshme, nesër do shpërndahen edhe certifikatat e pronësisë, të fillojë hipotekimi i atyre banesave te ‘5 Maji’. Fshatin e kemi mbaruar të gjithë, tani kemi edhe Kombinatin. Në zonën e “5 Majit” deri tani janë shpërndarë 428 apartamente në 7 godina. Parashikohen deri në fund të Marsit të ndahen dhe 273 apartamente të tjera në 6 godina të reja. Nesër nisim shpërndarjen e certifikatave të pronësisë. Pra meraku i parë është të fusim kokën në një shtëpi, meraku i dytë është të kemi letrat për atë shtëpi.Kështu që po i ndjekim hapë pas hapi, sa hidhet shorti dhe futen njerëzit fillojmë menjëherë hipotekimin e atyre banesave që të ketë vlerë dhe t’ju shërbejë banorëve për një kredi apo për një çfarëdolloj nevoje. Kështu që nesër nisim edhe shpërndarjen e certifikatave tek “5 Maji”, tha Veliaj.
Gjatë fjalës së tij kryebashkiaku ka folur për skemën e re sociale për pajisjen me abone falas të të gjithë gjyshërve dhe gjysheve të Tiranës, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se deri më tani rreth 30 mijë pensionistë kanë përfituar abonenë falas.
Veiaj dha lajmin e mirë se shumë shpejt pensionistët do të pajisen me Kartën e Pensionistit, e ngjashme me kartën e studentit, e cila ofron shumë shërbime të tjera në qytet, me çmime të reduktuara.
Një nga pikat që kryebashkiaku trajtoi ishte edhe rindërtimi i ish-stadiumit “Selman Stermasi” dhe rijetëzimi i tij nëpërmjet një projekti, me qëllim që ekipi i Tiranës mos të luajë si ‘jabanxhi’ në qytete të tjera. Veliaj u shpreh se përderisa edhe projekti i “Arenës Kombëtare” pati sukses, atëherë edhe ky investim do të ketë sukses të njëjtë.
“Marrëveshje për stadiumin dhe investimin e rijetëzimin e stadiumit, projekti që propozojmë sot, Bashkia e Tiranës nuk është pjesë, por ne kërkojmë një stadium më të mirë, pasi ka mbetur ende i sistemit sovjetik dhe që e duan ende ata ithtarët e stalinizmit. Nuk ka pse Tirana të shkojë të luajë në Kavajë apo diku tjetër, por të ketë stadiumin e saj”, u shpreh mes të tjerash Veliaj.
Gjithashtu ai paraqiti edhe planin e përgjithshëm të aktivitetit të sektorëve, kryesisht ai i tatim-taksave me të ardhurat që parashikohen, investimet dhe çështjet e tjera të buxhetit.
Kurse këshilltari më i ri Sead Kazanxhi u shpreh:
“Uroj që të mos jem as i par i dhe as i vetmi, por të hapet rruga edhe për të tjerët”.
Më tej u mbajt fjala për diskutimet e rendit të ditës, projektvendimet, propozimet dhe vendimet që do merreshin.