Ditën e sotme është zhvilluar mbledhja e radhës nga Këshilli i Investimeve so një nevojë për rritjen e së komunikimit dhe bashkëpunimit mes bashkive dhe biznesit, në funksion të rritjes së transparencës dhe zhvillimit ekonomik të vendit.
Ministres së Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, vuri në dukje progresin e shënuar nga zbatimi i reformës administrative-territoriale të nisur në vitin 2014, një ndër objektivat e së cilës është forcimi i financave të njësive të vetëqeverisjes vendore dhe rritja e autonomisë fiskale.
Ministrja Denaj e vlerësoi takimin si një mundësi shumë të mirë për të reflektuar mbi situatën aktuale, shqyrtimin e mundësive të përmirësimit të klimës së biznesit dhe për të propozuar masa të nevojshme, në përputhje me politikat afatmesme qendrore dhe vendore.
Sipas ministres në kuadër të reformës së decentralizimit fiskal janë ndërmarrë një sërë masash, si miratimi i ligjit të ri mbi financat e vetëqeverisjes vendore, i cili forcoi rregullat e buxhetimit dhe disiplinës fiskale në nivel vendor.
Rezultatet pozitive të reformës lidhen me mbledhjen e të ardhurave, ku të ardhurat nga burimet e veta vendore përfaqësuan rreth 29.1% të burimeve financiare totale, gjatë vitit të kaluar. Ndërkohë, transferta e pakushtëzuar e shpërndarë në vitin 2019 është 42% më e lartë se në vitin 2015 para miratimit të ligjit dhe rreth 38% më e lartë se niveli historik i saj.
Në vijim, Ministrja Denaj kërkoi angazhimin e shtuar të bashkive sa i përket reformës së Kadastrës Fiskale.
“Nëpërmjet këtij takimi, gjej me vend të ribëj një ftesë për të gjithë kryebashkiakët, që të përqëndrojnë kapacitetet e tyre njërëzore në drejtim të verifikimit të pasurive dhe bashkëpunimit me Kadastrën Fiskale, mbi bazën e së cilës zbatohet një sistem i drejtë i taksimit mbi pronën”, u shpreh Denaj.
Diskutimet e pjesëmarrësve në këtë takim u përqendruan në çështje të lidhura me mirëadministrimin fiskal në nivel vendor, taksat dhe tarifat vendore, shërbimet e marra dhe rolin e Bashkive në zhvillimin ekonomik lokal.
Sipas zyrës së shtypit të ministrisë së Financave, në mbështetje të temës së trajtuar në këtë Mbledhje, Këshilli i Investimeve ka realizuar në vitin 2019 një anketim në të gjithë Shqipërinë për bashkëveprimin e sipërmarrësve me pushtetin vendor. Sipas madhësisë, 64% e të anketuarve ishin biznese me xhiro me 8 milion lekë, 25% biznese me xhiro 5-8 milion lekë dhe pjesa tjetër ishin biznese me xhiro deri në 5 milion lekë.
Anketimi dhe analiza e Sekretariatit të Këshillit të Investimeve ka vënë në dukje nevojën për një bashkëveprim të shtuar mes aktorëve dhe ka identifikuar instrumentet kryesore të pushtetit vendor për nxitjen e biznesit dhe ndërveprimit.
Rezultatet e anketës kanë identifikuar: nevojën në rritje për marrjen e shërbimeve online nga pushteti vendor, bizneset janë përgjithësisht të informuar mbi legjislacionin fiskal vendor (86% deklarojnë se janë plotësisht/pjesërisht të informuar); bizneset janë të informuar mbi procedurat tatimore vendore (71% deklarojnë se procedurat tatimore vendore janë të qartë ose shumë të qartë). Bizneset kanë shprehur gjithashtu pritshmëritë për një rritje të cilësisë së shërbimeve nga Bashkitë dhe pritshmëritë për një përmirësim të raportit kosto/vlerë për shërbimet e marra nga pushteti vendor.
Analiza ka nxjerrë në pah nevojën për zbatim më të shpejtë të reformës së kadastrës fiskale nga pushteti vendor.Bizneset kanë vlerësuar si mundësi për zhvillim asetet vendore dhe Zonat e Zhvillimit Teknologjik dhe Ekonomik, por kanë kërkuar një angazhim më të fortë dhe rol të intensifikuar të pushtetit vendor.
Sa i përket shqetësimeve të biznesit, Ministrja tha se në fokus të tyre janë: pritshmëritë për shërbime cilësore në raport me kontributin e sipërmarjeve në buxhetet vendore dhe pritshmëritë që Bashkitë të kenë një rol më proaktiv në zbatimin e projekteve konkrete të zhvillimit ekonomik.
Denaj përmendi faktin se në disa bashki, Ministria ka shpallur projekte të zhvillimit të zonave ekonomike, për të cilat janë krijuar paketa për tërheqjen e investitorëve dhe që janë mundësi shumë të mirë për bizneset.
“Përtej kontekstit fiskal, shumë i rëndësishëm mbetet dhe zhvillimi ekonomik. Është shumë e rëndësishme të shikojmë se si zhvillimi ekonomik jo vetëm është në fokus të qeverisë qendrore, por edhe asaj vendore dhe ku ekzistenca e disa masave në pushtetin vendor do të kthejë në mënyrë të menjëhershme vëmendjen e bizneseve drejt TEDA-ve, zhvillimeve të cilat së fundmi janë kthyer si një paketë për tërheqjen e investitorëve të huaj, jo vetëm në rajonin e Tiranës por edhe në rajonet e tjera”, tha znj. Denaj.
Fjala e Ministres Denaj:
Më lejoni t’ju uroj mirëseardhjen në Mbledhjen e 19-të të Këshillit të Investimeve dhe Mbledhjen e parë për vitin 2020. Në përpjekje të vazhdueshme për të intensifikuar dialogun mes palëve dhe me fokus sipërmarrjen, ftoj sot në këtë mbledhje të Këshillit të Investimeve analizën mbi debatin për përmirësimin e klimës së biznesit dhe investimeve, kryesisht e fokusuar në problematika që lidhen me bashkërendimin sipërmarrje-bashki. Në fokus të diskutimit do të jenë taksat dhe tarifat vendore, shërbimet e marra dhe roli i Bashkive në zhvillimin ekonomik lokal. Progresi i reformës administrative-territoriale, e cila është nisur në vitin 2014, është shumë i rëndësishëm për objektivat që mbart: Rritjen e efikasitetit të strukturave të vetëqeverisjes vendore Forcimin e financave të njësive të vetëqeverisjes vendore dhe rritjen e autonomisë fiskale. Forcimin e qeverisjes në nivel vendor- forcimi i transparencës dhe pjesëmarrjes së komuniteteve, biznesit dhe shoqërisë civile në vendimmarrjen publike në nivel vendor. Reforma e decentralizimit fiskal vendosi në funksion një sërë mekanizmash: Miratimin e ligjit të ri mbi financat e vetëqeverisjes vendore, i cili forcoi rregullat e buxhetimit dhe disiplinën fiskale në nivel vendor. Sigurisht, u rrit edhe përgjegjëshmëria mbi bashkitë në përgatitjen e buxheteve më realiste, më eficente, me objektiv rritjen e parashikueshmërisë dhe transparencës mbi fondet e përfituara si nga buxheti i qendror, ashtu edhe të ardhurat nga taksat dhe tarifat vendore. Reforma ka filluar të japë rezultatet e saj para dhe bashkitë kanë filluar të mbledhin të ardhura, sigurisht në nivele të ndryshme nga njëra-tjetra. Të ardhurat nga burimet e veta përfaqësojnë rreth 29.1% ndaj burimeve financiare totale. Ndërkohë, lidhja e transfertës së pakushtëzuar të përfituar nga bashkitë, rriti fondet në dispozicion të bashkive e çuar këtë shumë në gati 42% në vitin 2019, krahasuar me vitin 2015 dhe rreth 38% më e lartë se niveli historik i saj. Theksojmë se ka një diferencim të theksuar sa i takon mbledhjes së të ardhurave nga një bashki në tjetrën, ku sigurisht kryeson bashkia Tiranë dhe ndaj menduam se pjesëmarrja e përfaqësuesve të kësaj bashkia në tryezën e sotme do të sjellë diskutime të frytshme. Duhet të ketë një Angazhim të shtuar për reformën e kadastrës fiskale dhe u bëj kërkesë të gjithë kryebashkiakëve për të përqëndruar kapacitetet e tyre njerëzore gjatë vitit në vijim, në mënyrë që të fuqizojmë më tepër rolin e kadastrës fiskale, popullimin e të dhënave dhe ngritjen e një sistemi të drejtë të taksimi mbi pronën. Në fokus të shqetësimeve të biznesit, ato që sot janë në dosjen e secilit prej jush përpara, ka dy elementë të rëndësishëm te të cilët duhet të fokusohemi: Pritshmërinë për shërbime cilësore në raport me kontributin e sipërmarrjeve në pushtetin vendor; Pritshmëritë që Bashkitë të kenë një rol më proaktiv në zbatimin e projekteve konkrete të zhvillimit ekonomik, dhe të bëhen faktor për zhvillimin ekonomik në secilën nga zonat ku bashkitë orientojnë politikat e tyre fiskale. Në këtë kontekst, analiza në Këshillin e Investimeve me fokus ndërveprimin biznes– bashki mbetet aktuale, për të përditësuar debatin, rritur transparencën dhe konsideruar ndërhyrjet për të maksimizuar sa më shumë efektivitetin e këtyre masave. Mbledhja e sotme është një mundësi e mirë për të reflektuar mbi këtë situatë aktuale, për të dëgjuar zërin e sipërmarrjes dhe për të reflektuar respektivisht në të gjithë elementët e saj. Përtej kontekstit fiskal, shumë i rëndësishëm mbetet dhe zhvillimi ekonomik. Është shumë e rëndësishme të shikojmë se si zhvillimi ekonomik jo vetëm është në fokus të qeverisë qendrore, por edhe asaj vendore dhe ku ekzistenca e disa masave në pushtetin vendor do të kthejë në mënyrë të menjëhershme vëmendjen e bizneseve drejt TEDA-ve, zhvillimeve të cilat së fundmi janë kthyer si një paketë për tërheqjen e investitorëve të huaj, jo vetëm në rajonin e Tiranës por edhe në rajonet e tjera. Dëshiroj të theksoj se këto mundësi ekzistojnë por duhet të ridimensionohen për të sjellë atë burim të ardhurash për ekonominë lokale dhe kombëtare. Në përfundim, dua të falënderoj Sekretariatin e Këshillit të Investimeve për punën e bërë, të gjithë pjesëmarrësit në këtë anketë, të cilën ne nuk mund ta realizojmë pa pjesëmarrjen e biznesit, pa vlerësimet e tyre, qoftë dhe ankesat e tyre, në mënyrë që ky diskutim të jetë i frytshëm dhe për të çuar përpara procese shumë më të rëndësishme, si në pushtetin vendor, ashtu edhe në atë qendror. Faleminderit.