Projektligji më i rëndësishëm ekonomik i vendit ai për Buxhetin e Shtetit po diskutohet në Kuvend. Janë 886 miliardë lekë ose 8.8 miliardë euro do të jenë në dispozicion të institucioneve për tu shpenzuar për shërbime shëndetësore, për paga, për skemat e mbështetjes të familjeve në nevojë, pensione, arsim, punësim, bujqësinë, transportin rrugor, drejtësinë e deri tek shpenzimet për sigurinë, në kuadër të detyrimeve ndaj NATO-s.
“Të ardhurat buxhetore për vitin 2026 parashikohen në masën 823.1 miliardë lekë ose 29.6% e PBB. Krahasuar me vitin 2025, të ardhurat buxhetore për vitin 2026 parashikohen me rreth 52.9 miliardë lekë më shumë. Shpenzimet Buxhetore, parashikohen në vlerën 886.8 miliardë lekësh, ose 31.9% të PBB-së, me një rritje prej rreth 55 miliardë lekësh, krahasuar me vitin 2025. Pra kemi një rritje me rreth 550 milionë euro më shumë në 2026 në krahasim me vitin 2025”, tha ministri i Financave Petrit Malaj në Kuvend.
Për vitin e ardhshëm është parashikuar formula e re e rritjes së pensioneve që parashikon bonuse të përmuajshme. Fondi për bonuset në vitin që vjen do të jetë 100 milionë euro si dhe janë parashikuar 16.5 milionë euro për indeksimin e tyre.
“Në fund të këtij viti, pensionistët tanë të nderuar, sikundër e kemi premtuar, do të marrin Bonusin e Fundvitit. Në fillim të vitit që vjen, përtej indeksimit vjetor që zbatohet rregullisht, do të ketë edhe rritje mujore të pensioneve, për të arritur deri në fund të mandatit. Pensioni urban me vite të plota pune të shkojë 40 mijë lekë nga 27,350 lekë që është sot. Pensioni urban i pjesshëm të shkojë mesatarisht 22 mijë lekë nga 15,850 lekë që është sot. Pensioni rural të shkojë 18 mijë lekë nga 11,500 që është sot. Pensioni familjar të shkojë 18 mijë lekë nga 11,400 lekë që është sot. Pensioni i invaliditetit të shkojë 30 mijë lekë nga 20 mijë lekë që është aktualisht”, tha ministri.
Për qeverinë projektbuxheti i kthen dinjitetin pensionistëve, ndërsa për opozitën ofron vetëm ‘lugën bosh’.
“Sot me buxhetin e 2026, qeveria nisi të bëj atë që ditë të bëjë më mirë, t’ju ngopë me lugën bosh dhe me propagandë”, tha Bardhi.
“Sot Shqipëria mbas 12 vitesh është më e varfër, është më e vjedhur, është më e korruptuar, është me taksa më të larta, është me buxhet po pak më të lartë prej taksave të rritura, 530 milionë euro dalin nga xhepat e qytetarëve shqiptarë”, tha deputetja e PD-së Jorida Tabaku.
“Të njëjtin mendësi të korrupsionit buxhetor shpërdorim, jo zhvillim, pushtet për pushtetarët dhe jo për qytetarët. As procedura nuk respektohet. Për herë të parë në mënyrë të paprecedent paketa fiskale vjen pas buxhetit”, thotë deputeti i PD-së Igli Cara.
“Ky buxhet është instrument i pushtetit për të mbajtur fasadën e një vendi që sipas tyre po ecën përpara”, tha deputeti Agron Gjekmarkaj.
Investimet publike për vitin 2026 janë parashikuar të arrijnë në vlerën rreth 1.8 miliardë euro, brenda së cilave janë 50 milionë eurot e parashikuara për rindërtimin që ende vijon dhe 68 milionë euro financime të pritshme nga plani i rritjes së BE-së. Ndërsa për këtë vit investimet publike janë në vlerën e 1.6 miliardë euro.
“Ky projektbuxhet është kontrata jonë me qytetarët e Shqipërisë. I përgjigjet premtimeve tona në fushatën e zgjedhjeve të 11 majit, dhe përgatit vendin për integrimin e plotë në Bashkimin Evropian. Nuk është thjesht dhe vetëm një plan të ardhurash dhe shpenzimesh, por është arkitektura mbi të cilën mbështeten objektivat strategjikë të kësaj qeverie, për periudhën 2025–2029”, tha Malaj.
Ndërkohë sa i takon të ardhurave ato planifikohet të rriten kryesisht nga zhvillimi ekonomik, vijimi i turizmit dhe miradministrimi.
“Për vitin që po mbyllet, rritja ekonomike parashikohet në 3.9% në terma vjetorë, duke reflektuar rritje pothuajse në të gjithë sektorët e ekonomisë. Edhe për periudhën afatmesme, 2026-2028, ne jemi optimistë pasi parashikojmë një rritje mesatarisht në 4%”, tha ministri.
Në vitin që vjen, borxhi publik do të kapë shifrën e 14.9 miliardë euro, nga 14.2 miliardë euro i parashikuar për këtë vit. Po ashtu për herë të parë vitin që vjen është planifikuar të indeksohen pagat e administratës publike në masën 2.5%, si dhe është parashikuar financim për rritjen e pagës minimale nga 40 mijë lekë në 50 mijë lekë nga janari i 2026-ës dhe do të rritet në 60 mijë lekë brenda 2028-ës.
Përtej shpenzimeve, projektbuxheti i vitit 2026 parashikon të mblidhen 823 miliardë lekë ose gati 8.2 miliardë euro nga rritja ekonomike e ndikuar prej kryesisht prej turizmit, miradministrimi dhe konsumi. Sa i takon borxhit publik, planifikohet të ulet në 53.6% të PBB-së, nga 54.1% e pritshme në vitin 2025.
Portofolin më të madh për 2026-ën do ta ketë Ministria e Shëndetësisë me 820 milionë euro, ndjekur nga Ministria e Infrastrukturës me 770 milionë euro, Ministria e Arsimit merr 648 milionë lekë dhe Ministria e Mbrojtjes 589 milionë euro. Më shumë para në buxhet janë planifikuar edhe për institucionet e drejtësisë.
Gjithsej institucionet do të marrin rreth 5 miliardë euro buxhet për vitin 2026 nga 4.7 që kishin këtë vit që po mbyllet.
Për ministrin e Drejtësisë, Besfort Lamallari, projektbuxheti 2026 është motor shtyse për Shqipërinë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian.
“Ky është buxheti për të cilin shqipëria bën hapa domethënëse për mbyllen e kapitujve 23 dhe 24. I shërben një sistemi që mbron qytetarin. Garanton sigurinë juridike në vend dhe vendos vendin në aspiratën më të madhe që Shqipëria ka pasur ndonjëherë: Shqipëria 2030, Shqipëria shtet i së drejtës. Dy vitet e ardhshme janë jetike dhe vendimtare për shqiptarët dhe gjithë kombin shqiptartë cilët mën në fund di të kenë drjetësi eruopiane, drejtësi me standarde të panegociueshme, demokratike. Ky është premtimi ynë për çdo shqiptar, kjo është puna jonë e përditshme e qeverisë shqiptare”,- tha Lamallari.

Në seancën maratonë të Kuvendit, diskutimet për buxhetin e vitit 2026 vijuan me kritikat e deputetit Fatmir Xhafaj ndaj qeverisjes. Xhafaj vuri në dukje se nuk mjafton vetëm të rriten fondet buxhetore, por ato duhet të shpenzohen me eficencë, për të garantuar zhvillim, kujdes social dhe vende pune.
Xhafaj theksoi se një pjesë e fondeve nuk realizohet, duke nxjerrë në pah problematikat e administrimit të tyre nga institucionet dhe agjencitë përkatëse. Ai shtoi se kjo mund të lidhet me menaxhimin e institucioneve, aftësitë e drejtuesve dhe motivimin e stafit, duke ndikuar në mënyrën se si shpenzohen dhe prokurohen fondet.
Deputeti kërkoi më shumë dialog dhe koordinim mes palëve për të adresuar këto problematika dhe për të siguruar që buxheti të shfrytëzohet në mënyrë efektive dhe të drejtë.
“Në qendër të çdo buxheti nuk është shifra, por rezultati. Prandaj, nuk mjafton të rrisim fondet; duhet t’i shpenzojmë drejt, me eficencë. Keqardhje kur sheh që një pjesë e mirë e fondeve buxhetore nuk realizohen. Kjo do të thotë më pak zhvillim, më pak kujdes social me pak vende pune.
Pse ndodh kjo? Disa thonë që lidhet me drejtësinë e re dhe kryesisht me institucionet e drejtesise penale. Mund të jetë kështu, por askush nuk thotë çfarë konkretisht.
Mund të ketë dhe unë besoj se ka diçka, ndaj në seancat e mëparshme kam ngritur shqetësimin dhe kam kërkuar që të tregohet kujdes me penalizimin e administratës dhe biznesit në këtë vend, për një kulturë e qasje tjetër nga strukturat e drejtësisë penale në këtë aspekt. Kjo kërkon të ulen palët në tavolinë per dialog dhe të shohin se cilat janë reflektimet që duhen bërë.
Po përtej asaj çfarë ka racionale në këtë histori, personalisht besoj se në jo pak raste kjo është një alibi mbas së cilës fshihet një problematikë tjetër me vetë institucionet e agjencitë që merren me administrimin e fondeve buxhetore. Nisur dhe nga raportimet e bëra në komision rezulton se një pjesë e kanë realizuar mbi 90% buxhetin e përcaktuar për investime, por edhe për mallra e shërbime. Atëherë si shpjegohet që disa e realizojnë e disa jo buxhetin e akorduar në vitin përkatës buxhetor?
Si shpjegohet që disa i realizojnë prokurimet në fondin limit 99% dhe disa arrijnë të kursejnë deri në 20% të fondit të prokuruar? Besoj se ka disa faktorë që ndikojnë në këtë realitet.
Ndër të tjera kjo lidhet me drejtimin e institucioneve, me aftësitë menaxhuese të drejtuesve dhe sidomos me aftësinë për të zgjedhur njerëzit e përshtatshëm në këto procese, me motivimin dhe mbështetjen e tyre për të punuar të qetë dhe në liri të zbatojnë drejt ligjin dhe përgjegjësitë përkatëse,” tha Xhafaj.

Projektbuxheti 2026 shënon një kthesë të rëndësishme në mënyrën si trajtohet pushteti vendor në Shqipëri, duke e pozicionuar atë si hallkë strategjike të zhvillimit ekonomik, social dhe institucional. Gjatë prezantimit në Kuvend, Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, theksoi se mbështetja prej 1.2 miliardë euro, ose 3.52% të PBB-së, është më e larta në historinë e financave publike të vendit, duke konfirmuar rolin transformues të bashkive në shërbim të qytetarëve.
“2026 është viti ku pushteti vendor trajtohet si aktor real zhvillimi dhe jo si strukturë periferike. Kjo mbështetje nuk është vetëm financiare, por edhe institucionale dhe teknologjike”, tha Ministri Demo
Transfertat për bashkitë arrijnë në 47.3 miliardë lekë, duke përfshirë transferten e pakushtëzuar, atë sektoriale, rritjen e pagave për administratën vendore dhe grantin e performancës, që shpërblen bashkitë me transparencë dhe eficiencë. Për herë të parë, investimet vendore arrijnë në 1% të PBB-së, duke mundësuar projekte konkrete në infrastrukturë, shërbime sociale, gjelbërim, ndriçim dhe qendra komunitare.
Në mbyllje të fjalës së tij, ai nënvizoi: “Ky buxhet nuk është thjesht një listë shifrash, por një angazhim politik për qeverisje moderne, transparente dhe europiane.”
Ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, tha në Kuvend se projektbuxheti për vitin 2026 është një instrument që forcon reformën, modernizon sistemet tona, garanton shërbime cilësore dhe rikthen dinjitetin për qytetarët.
Fjala e ministres Evis Sala:
Buxheti i vitit 2026 për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale është udhëhequr nga një parim i vetëm:
“Forcimi i sistemit të kujdesit shëndetësor dhe mirëqenies sociale, me në qendër pacientin, qytetarin dhe çdo individ në nevojë.”
Qëllimi ynë është i thjeshtë dhe i panegociueshëm: shërbime më të mira shëndetësore dhe një sistem më i fortë, mirëqenie sociale për çdo shqiptar.
Gjatë dekadës së fundit, Shqipëria ka arritur përmirësime të dukshme në treguesit kryesorë të shëndetit.
Sot:
Ne jemi vendi me jetëgjatësinë më të lartë në Ballkanin Perëndimor (79 vjeç, në krahasim me 75 të mesatares në rajon) dhe shumë afër nivelit të Bashkimit Europian (81 vjeç).
Mortaliteti i fëmijëve nën 5 vjeç ka rënë ndjeshëm: nga 20 për 1000 lindje në vitin 2005 në 9 për 1000 lindje në vitin 2023.
Për të njëjtën periudhë, mortaliteti i nënave gjatë lindjes është përgjysmuar, nga 12 në 7 për 100 000 lindje.
Gjatë dekadës së fundit, qeveria ka bërë investime të konsiderueshme në përmirësimin të infrastrukturës shëndetësore, trajnimin e stafit, zgjerimin e skemës së sigurimit shëndetësor, përmirësimin e shërbimeve të specializuara dhe rritjen e pagave.
Pavarësisht arritjeve, sfidat janë të shumta:
Mosha mesatare në rritje e popullatës, ndryshimet demografike dhe zhvillimet socio-ekonomike po favorizojnë një rritje të sëmundjeve kardiovaskulare; tumorale, pulmonare apo ato neurologjike (si Alzheimer).
Gjithashtu, përparimi i shpejtë në teknologji, dixhitalizimi i sistemeve dhe përdorimi i Inteligjencës Artificiale kërkojnë reformim të sistemit, për t’iu përgjigjur nevojave globale në shëndetësi.
Buxheti i vitit 2026 është një fillim i mirë për t’iu përgjigjur këtyre sfidave dhe për të filluar adresimin e disa objektivave që mbeten gjithnjë të rëndësishme për qeverinë.
Gjatë ditëve të fundit kam dëgjuar kolegë deputetë të thonë se ky buxhet nuk mjafton.
Në të vërtetë, ky buxhet fillon të adresojë një prioritetesh të rëndësishme:
rritja e pagave për mjekët dhe personelin mjekësor;
rritja e fondit të dedikuar për barnat antitumorale;
zgjerimi i paketave të shërbimeve shëndetësore, duke përfshirë nisjen e shërbimeve të munguara si: trombektomia, rikonstruksioni i gjirit për gratë e prekura nga tumori; transplantet e kornesë dhe ofrimi i paketës së stomës;
si dhe mbulimin me shërbime sociale të integruara në 61 bashkitë, me një rritje prej 22% të Fondit Social.
Duke u ndalur në shifrat konkrete, buxheti prej 108.8 miliardë lekësh për vitin 2026 financohet nga:
buxheti i shtetit në masën 75% (ose 82.5 miliardë lekë)
kontributet e sigurimeve shëndetësore në masën 25% (ose 26.3 miliardë lekë)
Ky buxhet zë 12.3% të buxhetit të shtetit ose 3.9% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe ka një rritje prej afro 4.2% krahasuar me vitin 2025.
Të nderuar deputetë,
Lufta kundër kancerit mbetet një nga sfidat tona më të mëdha. Në vitin 2026, për herë të parë, të gjitha barnat antitumorale do të rimbursohen plotësisht.
Fondi prej 15 milionë euro shtesë për barnat antitumorale është një investim serioz për përballimin e kësaj sfide.
Kemi një strategji të qartë për modernizimin e kujdesit onkologjik në gjithë ciklin: nga depistimi dhe diagnoza e hershme, te trajtimet më të avancuara.
Po ashtu, po dixhitalizojmë tërësisht shërbimet onkologjike, duke i mundësuar çdo pacienti një dosje elektronike, e cila lidh të dhënat diagnostike, recetat online dhe ndjekjen terapeutike, duke garantuar planifikim më të mirë dhe monitorim të vazhdueshëm të cilësisë.
Shqipëria 2030 do të ketë Institutin Kombëtar të Kancerit dhe Rrjetin Kombëtar të Kancerit, sipas modeleve më bashkëkohore.
Këto mekanizma janë baza për standardizimin e protokolleve të trajtimit në të gjithë vendin dhe, mbi të gjitha, do të sigurojnë që çdo pacient, pavarësisht vendndodhjes gjeografike apo statusit socio-ekonomik, të ketë akses në kujdes onkologjik me cilësi të lartë.
Përmes buxhetit të vitit të ardhshëm bëhet e mundur kryerja e një sërë shërbimesh të reja spitalore. Për herë të parë:
Do të ofrohet shërbimi i trombektomisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
Vajzave dhe grave të prekura nga kanceri i gjirit do t’u ofrohet rikonstrulsioni i gjirit përmes fondit të dedikuar.
Një tjetër lajm pozitiv është transplanti i kornesë, duke zgjidhur një problem shumëvjeçar të pacientëve me probleme të shikimit.
Në vitin 2026 nuk do të sjellim vetëm shërbime të reja, por do të zgjerojmë dhe standardizojmë shërbimet ekzistuese në mbarë vendin, duke rritur cilësinë dhe duke konsoliduar strukturat shëndetësore. Në këtë kuadër do të vijojë financimi për:
Trajtimin e 322 mijë pacientëve në spitalet terciare, rajonale dhe bashkiake;
Kryerjen falas të dializës;
Mbështetjen për paketën e kardiologjisë;
Mbështetjen për transplantet renale;
Trajtimin e pacientëve me katarakt.
Kujdesi parësor është shtylla kurrizore e çdo sistemi modern shëndetësor. Për vitin 2026 parashikohet mbështetja për:
7.6 milionë vizita në kujdesin parësor, të financuara me 2.3 miliardë lekë;
check-up mjekësor falas për qytetarët 35–70 vjeç;
rimbursim të barnave për 400,000 pacientë, me një buxhet prej 13.5 miliardë lekësh, 7% më shumë se vitin e kaluar;
vijimin e stripave falas për diabetikët mbi 65 vjeç, personat me aftësi të kufizuara dhe invalidët e punës.
Opozita pretendon se projektbuxheti i vitit 2026 favorizon më shumë jugun e vendit dhe diskriminon veriun. Ministri i Ekonomisë, Petrit Malaj, dhe deputeti Eduart Shalsi rrëzuan pretendimet e opozitës, duke i cilësuar tendencioze dhe kontradiktore me mbështetjen e parashikuar për veriun në projektbuxhetin 2026.
Nga një debat për projektbuxhetin, deputetja Jozefina Topalli e degradoi në arenë sulmesh personale, duke akuzuar deputetin Shalsi se gjatë fjalës së tij në foltoren e Kuvendit, ishte i dehur.
“Kur zoti Spahiu foli se si veriun e kanë lënë pa investime, menjëherë zoti Rama i shkroi mesazh ministrit të Financave dhe i kërkoi që të reagonte. Fola unë për të njëjtin realitet dhe kërkoi këtij tjetrit (i referohet Eduart Shalsit) që të reagonte. Ndoshta është më mirë t’i thoni kryeministrit që të vijë këtu dhe të reagojë vetë. Deputetin që sapo foli e kam pas dhe e njoh prej shumë vitesh. E kujtoj vetëm për një fjali: Do të vjedhim me lezet. Në atë kohë nuk ia kam marrë për të keq se kam thënë ky nuk paska eksperiencë politike. Paskam gabuar. Ai nuk ka as inteligjencën minimale. E mira është që ato që janë pijshëm të mos i lini të shkojnë të foltorja”,- tha Topalli.
Deputeti socialist Erion Braçe shpjegoi bonusin e përmuajshëm që pensionistët do të marrin nisur nga viti i ardhshëm, duke demostruar me kartëmonedha shtesën që përfiton çdo pensionist përgjatë muajve të katër viteve të ardhshme.
“Buxheti mban premtimet e zgjedhjeve të fundit të bëra në vend. Këtë herë ka kthjellësi për 4 vitet që vijnë. Për çdo pensionit është e qartë se çfarë të ndodhë. Me ne fund do flasë tut me kartmonedha mijë lekë. Vitin e parë pensioni i plotë i pleqërisë rritet me 1800 lekë. Vitin e dytë pensioni i plotë i pleqërisë do të rritet me 3600 lekë, vitin e tretë rritet me 5400 lekë, dhe vitin e katërt rritet me 7200 lekë dhe janë këto”,- tha Braçe.
Më tej, deputeti Braçe kërkoi që 3 koncesionet në shëndetësi – check up, hemodializa dhe sterilizimi - të kthehen në publike përderisa ju mbaron afati vitin tjetër.
Më 14 nëntor, ministri Petrit Malaj u pyet nga Report Tv nëse do të zgjatet afati për koncesionet në Shëndetësi. Afati i tyre është deri në vitin 2026, ndërsa ministri Malaj i tha gazetares Eliza Gjediku se nuk ka asnjë kërkesë nga ministritë e linjës për zgjatje të afatit.
Në pr.buxhetin 2026, kontrata koncesionare e check-up-it për popullsinë 35–70 vjeç parashikohet të financohet me 699.8 milionë lekë (rreth 7 milionë euro), nga 876 milionë lekë (rreth 8.7 milionë euro) në 2025.
Sterilizimi do të financohet me 500 milionë lekë (rreth 5 milionë euro) në vitin 2026, nga 1.9 miliardë lekë (rreth 19 milionë euro) në 2025. Ndërsa kontrata e dializës parashikohet të marrë 815 milionë lekë (rreth 8.1 milionë euro) në 2026, nga 960 milionë lekë (rreth 9.6 milionë euro) në 2025.
Deputeti Braçe tha se sektorët si bujqësia dhe industria ka rënie në çdo tremujor. Ai shton se qeveria duhet të marrë masa që të parandalojnë këtë risk.
“Prodhimi i përgjithshëm shkon në 27 mld euro por i fiksuar shumë fort në ndërtim dhe në turizëm. Por aman dy sektorët e tjerë janë risku më i madh. Industria dhe bujqësia janë në rënie për tremujorë të tërë që janë me rënie. Duhet të fokusohemi atje që të bëjmë gjënë e duhur.”, tha Braçe.
Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku ka debatuar me ministrin e Financave Petrit Malaj. Qjo ka kritikuar qeverinë se po paguan ende miliona lekë për inceneratorët, ndërsa ministrit i tha se do të ketë të njëjtin fat si Arben Ahmetaj.
Deputetja Tabaku ironizoi Malajn duke u shprehur “kur të mësosh të lexosh Buxhetin e Shtetit, sepse ndoshta nuk e ke kuptuar, do e shohësh se ku janë inceneratorët, ku është edhe kosto për menaxhimin e mbetjeve”, ndërsa ai replikoi duke thënë: “e keni përpara listën se ku kanë vajtur 1 miliardë lekë që lidhen me menaxhimin e mbetjeve urbane. Janë 1 miliardë leke që shpërndahen në mbi 41 bashki për menaxhimin e mbajtjeve urbane.”
Tabaku nga ana tjetër i përmendi Malajt paraardhësin e tij, Arben Ahmetaj i cili ndodhet në arrati, duke i thënë se dhe ai përdorte të njëjtën gjuhë, por përfundoi përpara drejtësisë.
“Je i ri në detyrë, je i 12-ti ministër që kalon aty se ke të gjatë. Shumë kanë ikur, do ikësh edhe ti. Por, duhet të kuptosh se sot çështja e inceneratorëve e cila është duke e hetuar dhe unë shpresoj shumë të çoj përpara drejtësisë të gjithë ato që janë përfshirë duke nisur nga kryeministri. Po i shkakton buxhetit të shtetit një kosto e cila vetëm për Tiranën shkon 339 milionë euro. Ashtu thoshte dhe Arben Ahmetaj, zero thoshte dhe e sheh ku është. Rrugën e atij do kesh”, tha Tabaku.
Ajo theksoi se çdo ministër financash duhej të ishte shqetësuar dhe jo të vinte dhe të qeshteme varfërinë e shqiptarëve.
“E kuptoj vështirësinë që ka sot qeveria për të sjellë një buxhet për qytetarët, por të dilni dhe të mashtroni këtu me paqen fiskale, me shlyerjen e borxheve që e bënin për klientët e qeverisë dhe të thoni që është për qytetarët shqiptarë, kjo është komplet jo paaftësi, po është korrupsion“, tha ajo.
Petrit Malaj: Në respekt edhe të qytetarëve shqiptarë, për sa i përket çështje së rritjes ekonomike, kjo jo e thënë nga qeveria shqiptar, por e thënë vetëm pak ditë më parë nga FMN-ja, që ekonomia e Shqipërisë po ka rritjen më të lartë në krahasim më të gjithë vendet e Evropës. Për sa i përket çështjes se inceneratorëvë, e nderuara deputetja Tabaku, besoj e keni përpara listën se ku kanë vajtur 1 miliardë lekë që lidhen me menaxhimin e mbetjeve urbane.
Janë 1 miliardë leke që shpërndahen në mbi 41 bashki për menaxhimin e mbajtjeve urbane. Se si arrini ju të lidhni inceneratorët me paratë që shkojnë për menaxhimin mbetjeve urbane, vetëm ti mund ta bësh këtë. Se çfarë lidhje ka Malësia e Madhe me inceneratorin, vetëm ju mund ta bëni. Sa i përket të ardhurave të shqiptarëve, në vitin 2013, të ardhurat për frymë të shqiptarëve ishin të paktën 30% në nivelin mesatar të të ardhurave për frymë në Ballkanin Perëndimor.
Sot që flasim, në 2025, të ardhurat për frymë të shqiptarëve janë mbi 20% të mesatares së të ardhurave për frymë në Ballkanin Perëndimor. Janë shifra që nuk i thotë qeveria, por i publikon Banka Botërore, FMN-ja, raporte të cilat ju i referoheni herë pas herë, kështu që edhe këtë informacion do duhet ta pasuroni drejt siç thuhet në ato institucione ndërkombëtare.
Jorida Tabaku: Së pari, zoti Ministër, me “Ti” drejtojuni atyre që të kanë fut në punë, jo më mua. Për juve jam zonja Tabaku. Së dyti, kur të mësosh të lexosh Buxhetin e Shtetit, sepse ndoshta nuk e ke kuptuar, do e shohësh se ku janë inceneratorët, ku është edhe kosto për menaxhimin e mbetjeve. Je i ri në detyrë, je i 12-ti ministër që kalon aty se ke të gjatë. Shumë kanë ikur, do ikësh edhe ti.
Por, duhet të kuptosh se sot çështja e inceneratorëve e cila është duke e hetuar dhe unë shpresoj shumë të çoj përpara drejtësisë të gjithë ato që janë përfshirë duke nisur nga kryeministri. Po i shkakton buxhetit të shtetit një kosto e cila vetëm për Tiranën shkon 339 milionë euro.
Ashtu thoshte dhe Arben Ahmetaj, zero thoshte dhe e sheh ku është. Rrugën e atij do kesh. Së dyti, për sa i përket çmimeve po njëkohësisht sa i përket çmimeve dhe kostove të jetesës, 20% e çmimeve të BE kanë qenë çmime në 2012, sot janë 92% e çmimeve të BE. 40% janë sot shpenzime për ushqime, 55% e familjeve shqiptare nuk mbyllin dot muajin, këto janë të dhënat tuaja, ju pëlqen apo jo.
Çdo ministër financash duhet të ishte shqetësuar për këto të dhëna dhe jo të vinte dhe të qeshte këtu me varfërinë e shqiptarëve. E kuptoj vështirësinë që ka sot qeveria për të sjellë një buxhet për qytetarët, por të dilni dhe të mashtroni këtu me paqen fiskale, me shlyerjen e borxheve që e bënin për klientët e qeverisë dhe të thoni që është për qytetarët shqiptarë, kjo është komplet jo paaftësi, po është korrupsion.
Petrit Malaj: E nderuar zonja Tabaku, unë jam profesionit në fushën e financës dhe kam mbi 20 vite punë. Ju, konkretisht nuk e di se çfarë profesioni keni. Kështu që, për sa i përket pjesës së lexuarit të buxhetit apo se si janë të listuar zërat e buxhetit, të siguroj që e kam njohurinë shumë më të thellë se sa e keni ju.
Duket se deri në këtë pikë, ke folur vetëm politikisht, nëse do i kthehemi shifrave do të kuptosh që ky është buxheti i cili siguron mirëqenie sociale, siguron rritje ekonomike, konsolidim fiskal, ke ulje të borxhit dhe kjo vjen pa rritur taksat. Kështu që, besoj buxhet më të mirë dhe ju nuk keni parë në eksperiencën tuaj.
Ministrja e Punëve të Brendshme, Alban Koçiu, tha se buxheti i parashikuar për institucionin që ajo drejton do të përdoret për teknologjinë, dixhitalizimin dhe automatizimin. Më tej, Koçiu tha se përgjatë vitit 2026 do të avancohet me projektin e vendosjes së kamerave inteligjente të sigurisë në 20 qytetet më të mëdha të vendit, si dhe pikat strategjike, akset rrugore kryesore dhe shkollat.
Fjala e plotë e Albana Koçiut:
Është fakt që Shqipëria sot është vendi me rritjen më të shpejtë ekonomike në rajon. Vendi ku 12 milionë turistë zgjedhin të kalojnë pushimet e tyre. Vendi ku gjithmonë edhe më shumë investitorë të huaj, por edhe vendas apo shqiptarë të diasporës vijnë për të hapur një sipërmarrje dhe investuar paratë e tyre. Vendi që falë reformave të ndërmarra vitet e fundit, nga qeveria socialiste ka dalë nga të gjitha listat e zeza të kriminalitetit, pastrimit të parave apo trafiqeve. Dhe sigurisht, vendi që sot është më pranë se kurrë derës së Bashkimit Europian! Për t’u kthyer të buxheti i vitit 2026.
Të nderuar qytetarë,
Kemi sot buxhetin më të lartë historik për MPB. Ky është një buxhet që na lejon të ngremë në një nivel të ri standardet e përgjithshme për qytetarët. Do të mbështesim fuqimisht teknologjinë, dixhitalizimin dhe automatizimin. Do të çojmë përpara projektin transformues të vendosjes së kamerave inteligjente të sigurisë në 20 qytetet më të mëdha të vendit, si dhe pikat strategjike, akset rrugore kryesore dhe shkollat.
Monitorimi automatik, jo vetëm do të zbardhë, por edhe do të parandalojë në mënyrë jashtëzakonisht efikase, të gjitha llojet e shkeljeve që lidhen me rendin, qetësinë, respektimin e rregullave, nga rregullat e qarkullimit, tek rregullat e bashkëjetesës në një lagje.Përtej projekteve të veçanta, buxheti 2026 ka shumë lajme të mira, si për qytetarin, ashtu edhe për të gjithë efektivët dhe punonjësit në varësi të MPB. Për qytetarin, ky buxhet e vendos atë në qendër të të gjitha përpjekjeve për të rritur më tej sigurinë e përgjithshme në vend, patrullimin në komunitet, numrin e shërbimeve të ofruara 24/7, e veçanërisht nivelin e sigurisë në qarkullimin rrugor.
Ndërsa për 12,432 punonjës të Policisë së Shtetit, për 1.491 punonjës të Gardës së Republikës, 1.389 punonjës të shërbimit zjarrfikës, për 181 punonjës të vetë Ministrisë së Punëve të Brendshme, si dhe të gjithë ata punonjës të institucioneve të varësisë, lajmi i mirë është rritja e pagave që ky buxhet parashikon.
Punonjësit e Policisë së Shtetit, përpos njehsimit të inflacionit, përfitojnë gjithashtu ndryshimi e formulës së vjetërsisë e cila jep mundësinë të kemi një rritje të pagës së tyre lidhur me eksperiencën në punë. Dhe për herë të parë, jepet edhe bonusi i ushqimit si pjesë integrale e pagës dhe jo më një kupon. Si rezultat, një Inspektor i thjeshtë, nga 80.500 Lekë që paguhet sot, me të gjithë shtesat, paga do t’i shkojë në 100.000 lekë ose 20 % më shumë. Pa llogaritur bonuset dhe shpërblimet e tjera të lidhura me orët e punës apo performancën, që e çojnë lehtësisht pagën nga 1.2 në 1.3 milionë. Për rikujtesë, 12 vjet më parë, e gjetëm inspektorin me një pagë 300 euro!
Për një nënkomisar, paga nga 95.500 Lekë do të shkojë në 116.000 Lekë.
Për një Komisar, me të gjitha shtesat, rritja nga 105.000 Lekë shkon në 125.600 Lekë.
Për një kryekomisar, nga 115.500 në 136.000 Lekë.
Për një Drejtues, nga 130.000 Lekë në 157.000 Lekë.
Por, përpos kapaciteteve njerëzore, si dhe përpos mirënjohjes, statusit dhe dinjitetit që kjo rritje e pagës sjell për të gjithë trupën e veshur me uniformë, buxheti do të mbështesë direkt edhe kapacitetet teknike të Policisë. E thënë ndryshe, do të vendosim në duart e efektivëve tanë pajisje më të avancuara dhe kapacitete më të sofistikuara në dispozicion. Investimet që ky buxhet mundëson do të shkurtojnë më tej kohën e ndërhyrjes së Policisë së Shtetit, duke rritur fuqinë tonë goditëse si dhe aftësitë tona parandaluese. Gjithashtu, ky buxhet, do të mbështesë pa kushte avancimin e shpejtë të negociatave të anëtarësimit, sidomos për kapitujt kyç që MPB mbulon, kapitujt 23 dhe 24.
Objektivat specifikë që buxheti i MPB në vitin 2026 do të realizojë, përpos sa theksova më lart, janë:
– Në rritjen e sigurisë rrugore, përmes rritjes së patrullimeve në rrugë dhe përforcimit të shtuar të kontrollit mbi territorin.
– Reduktimin e kohës së reagimit ndaj krimit në përgjithësi, me një fokus të posaçëm te krimi brenda familjes.
– Rritjen e hetimeve proaktive, në bashkëpunim me agjencitë hetimore, për krimet e rënda, korrupsionin, me një fokus të posaçëm tek identifikimi, konfiskimi dhe sekuestrimi i aseteve kriminale.
– Rritja e numrit të punonjësve të policisë të pajisur me shërbimet dhe pajisje IT sipas standardeve teknologjike, duke synuar në 100% në vitin 2028.
– Fuqizimi i të gjithë kapaciteteve tona ndaj krimit kibernetik, përfshi mashtrimin financiar. Do të krijojmë një kuadër të plotë, të qartë për luftën ndaj krimit kibernetik, si dhe do të rrisim eksponencialisht kapacitetet tona.
– Përmirësimi i Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile, çka hap rrugën për edhe më shumë shërbime të dixhitalizuara 24/7 me vulë elektronike për të gjithë qytetarët shqiptarë, brenda apo jashtë vendit, etj.
– Mbështetja e operacionit për vendosjen e plotë të ligjshmërisë në territor, operacion, i cili nuk është thjesht një kontroll ndërtimesh, por një rikthim i rendit ligjor në çdo metër të territorit.
Nuk do të lejojmë më zona gri, ndërtime pa leje, shkelje të kushteve të lejes, shtesa në fshehtësi apo kapërcime të rregullave urbanistike. Për të gjitha këto arsye, buxheti 2026, nuk është vetëm më i madhi në sasinë e vlerës së vendosur në dispozicion, por edhe më i madhi në ambiciet tona. Ai, rrit standardet e rendit të sigurisë, dhe njëherazi, mbështet listën e detyrave për mbylljen e negociatave brenda 2027-s. Prandaj, për të gjitha këto, të nderuar deputetë, ju ftoj ta votojmë buxhetin e vitit 2026. Shumë faleminderit.
Deputeti i Partisë Socialistë, Ulsi Manja, tha se krahasimi i projektbuxhetit për vitin 2026 është i pakrahasueshëm me buxhetet e Partisë Demokratike në vitet që kjo forcë politike ka qenë në pushtet, pasi ndryshojnë për nga përmasa, detajimi dhe shpërndarja meritokratike.
“Sa herë vjen seanca e diskutimit të buxhetit në Kuvend, të gjithëve themi se është seanca më rëndësishme në jetën e parlamentit. Ne nuk presim ta duartrokisni buxhetin tonë, sepse kjo seancë shfaqet në një mënyrë të qartë edhe dallimi politik midis 2 kahjeve tona, dhe ky buxhetin lidhet me vizion qeverisës 2025-2030. Nuk jemi të gjithë ekonomistë a financierë, po jemi me profesione të ndryshme, por dimë t’i lexojmë shifrat e buxhetit. U tha buxheti i Partisë Demokratike. Nuk krahasohet as ky buxhet e as buxhetet tona përgjatë 12 viteve. Janë mbi 9 miliardë euro. Ky buxhet garanton mirëqenien e qytetarëve, ky buxhet konsolidon financat publike. Borxhi publik vjen në rënie. Buxheti është shpërndarë në mënyrë të tillë që garantin një zhvillim gjithëpërfshirës të ekonomisë”,- tha Manja.
Më tej, Manja u kërkoi deputetëve të Partisë Demokratike që të mos ankohen për një buxhet, që sipas tyre nuk ka si objektiv përfitimin e qytetarëve, ndërkohë që u paraqiten shqiptarëve me veshje luksoze.
“Kur shkoni te njerëzit për të nxjerrë foto në FB, mos shkoni me veshje 5000-6000 euro se është gjynah”,- tha Manja.
Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu është përplasur gjatë seancës së sotme parlamentare më nënkryetaren e Kuvendit, Klodiana Spahiu.
Balliu ka kërkuar që të mos i ndërpritet fjala pavarësisht se koha i kishte mbaruar. Spahiu i ka bërë thirrje deputetit që të ulet në vendin e tij, ndërsa ai ka refuzuar. Në këtë moment është dashur dhe ndërhyrja e Gardës ndërsa për të qetësuar situatën janë kërkuar 5 minuta pushim nga seanca.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu prezantoi dhe në Kuvend planin për buxhetin e parashikuar për vitin 2026. 58.9 miliardë lekë do të shpërndahen në disa sektorë, nisur që nga modernizimi i forcave të armatosura, në teknologji, mbrojtjen kibernetike, rekrutimit e të rinjve si dhe për emergjencat civile.
“Modernizimin e forcave të armatosura, rritjen e kontributit tonë në NATO dhe rritjen e sigurisë rajonale. Rritje me 12 % krahasuar me buxhetin pararendës duke arritur 58.9 miliardë lekë.
Rekrutim më i gjerë dhe më cilësor, shifra rekord e 2025 me 721 rekrutë të rinj do të vijojnë të mbështeten financiarisht që të kemi rekrutim cilësor në të ardhmen. Të rinjtë të zgjedhin uniformës se shteti është me ta. Synim të forcojmë lidhjen me rininë. Po hapim karrierën ushtarake, për profesionistë të rinj përmes kurrikulave dhe bashkëpunimit me botën akademike.
Po zbatojmë një plan kombëtar për rehabilitimin e varrezave të dëshmorëve. 16.3 miliardë lekë për detyrën dhe misioni e forcave të armatosura. 29 miliardë janë investime kapitale, gjysma dedikuar modernizimit të industrisë, teknologjisë që forcon shtetin. Digjitalizimi i njësive të luftimit do të pajisë çdo njësi me komunikim modern, sensorë, komandim kontroll, që forca jonë dhe të parashikojë e parandalojë.
Industria ushtarake po kthehet në realitet të prekshëm. Për pak muaj kemi çeljen e prodhimit të municioneve. 4.3 miliardë lekë janë parashikuar për emergjencat civile, përfshirë dy qendra të reja rajonale, 2 avionë zjarrfikës dhe investime në teknologjinë parandaluese.
Rishpërndarje të drejtë për bashkitë e vogla, në Fusha-Arrëz, Delvinë e Finiq për emergjencat civile. Është një buxhet angazhimi që Shqipëria të jetë më e përgatitur, mbrojtur dhe respektuar”, tha ndër të tjera Vengu.
Ministri i Financave, Petrit Malaj iu përgjigj pyetjeve të deputetëve opozitarë lidhur me buxhetin e parashikuar për vitin e ardhshëm 2026.
Lidhur me rënien e kursit të këmbimit, Malaj tha se politikat monetare janë në duart e Bankës së Shtetit dhe se qeveria nuk mund të ndërhyjë në kurs. Gjithashtu Malaj shtoi se siç e favorizon për uljen e borxhit, kursi i ulët edhe e penalizon shtetin referuar të ardhurave që merren nga TVSH në dogana.
“Kursi i këmbimit, sikurse e dini tregtohet në treg të lirë që bazohet në bazë të kërkesë dhe ofertës. Qeveria nuk ndërhyn dot në kursin e këmbimit, është banka që bën politikat monetare, që intervenon për të bërë rregullime të caktuara. Siç e favorizon kursi për uljen e borxhit, ashtu dhe paralizon për mbledhjen e të ardhurave që merren nga TVSH në doganë. Efektet e humbjes nga rënia e kursit të këmbimit është rreth 7 miliardë lekë”, tha ministri.
Lidhur me 1 miliardë lekë të alokuara për bashkitë, Malaj thotë se këto para do të shpërndahen për menaxhimin e mbetjeve urbane ndërsa shton se shteti nuk paguan asnjë qindarkë për inceneratorët.
“1 miliardë lekë është një shumë që i është alokuar bashkive për menaxhimin e mbetjeve urbane. Buxheti i shteti paguan 0 lekë për inceneratorët”, tha Malaj.
Ministri thotë se krahasuar me vitin 2013, eksportet në Shqipëri janë trefishuar, teksa shton se për 2024 eksportet kanë kapur shifrën e 9.1 miliardë euro.
“Eksportet në Shqipëri janë 3fishuar. Në vitin 2013 totali i eksporteve ka qenë 2.8 miliardë euro ndërsa në vitin 2024 eksportet janë 9.1 miliardë euro”.
Për realizimit e buxhetit më të madh në histori me 8 miliardë euro në dispozicion, Malaj thotë se këto para janë të ardhura nga mirëmenaxhimi tatimor dhe implementimi i strategjisë afatmesme të të ardhurave.
“Po ti referoheni realizonit të buxhetit, do ta shihni që të ardhurat vijnë nga mirëadministratimi tatimor, nga implementimi i strategjisë afatmesme të të ardhurave dhe vijnë si rezultat i këtyre dy masave. Ky projektbuxhet ka 0 rritje të taksave”, ishin disa prej përgjigjeve të ministrit të Financave.
Ministri i Financave, Petrit Malaj tha në Kuvend nga Paqja Fiskale nuk iu jep imunitet atyre që janë në hetim apo në procese gjyqësore. Ai tha se me këtë paqe fiskale, synojnë që të zbatojnë disa masa të domosdoshme, të ngjashme me praktikat e mëparshm, dhe me standartet për menaxhim më të mirë.
"Ne nuk po ndërmarrim një Amnisti. Nëpërmjet “Paqes Fiskale’’, nuk falim përgjegjësi penale. Nuk garantojmë imunitet për askënd dhe mbi të gjitha nuk i shërbejmë askujt që është nën hetim apo në procese gjyqësore. Ne synojmë të zbatojmë disa masa të domosdoshme, të ngjashme me praktikat e mëparshme dhe që përputhen me standardet për një menaxhim më të mirë tatimor. Gjithashtu me projektligjin e faljes së detyrimeve tatimore dhe doganore mbyllim kapitullin e borxheve të vjetra të parashkruara. Administrata Tatimore, nga ana tjetër, po vijon punën për të forcuar masat e mbledhjes me forcë të detyrimeve tatimore, duke zbatuar masa që shkojnë deri në bllokime të llogarive bankare, konfiskime dhe shitje të aseteve, për të mbuluar detyrimet tatimore.
Marrëveshja e Paqes Fiskale, e cila do të zbatohet për periudhën 2026-2028, synon korrigjimin dhe rritjen e deklarimeve të rregullta për bizneset që duan të përfshihen në këtë marrëveshje vullnetare. Ritheksoj edhe një herë se me këtë projektligj, ne nuk parashikojmë të falim detyrimet e papaguara të evazorëve që janë në ndjekje penale, ndaj atyre të cilëve ka nisur një hetim tatimor, apo për bizneset që ka një vendim të formës së prerë nga gjykatat. Ndaj ky është shansi i fundit që ne ju japim debitorëve, përpara se sa të hyjnë në fuqi masat shtrënguese për vjeljen e detyrimeve tatimore.", tha Malaj.
Më tutje, ai tha se nga viti 2026 do të nisë zbatimi i lehtësive të parashikuar në ligjin për Tatimin mbi të Ardhurat që nëpërmjet DIVA-s, t'ju vijnë në ndihmë edhe familjeve me fëmijë nën 18-vjeç.
"Duke filluar nga viti i ardhshëm do të fillojë zbatimi i lehtësive të parashikuar në ligjin për Tatimin mbi të Ardhurat, që nëpërmjet Deklaratës Individuale të të Ardhurave/DIVA, t’ju vijmë në ndihmë edhe familjeve me fëmijë nën 18 vjeç. Çdo familje që ka në ngarkim fëmijë nën moshën 18 vjeç, do të ketë të drejtën që të zbresë nga Deklarata Individuale Vjetore e të Ardhurave 48.000 lekë për çdo fëmijë. Kjo do të thotë se norma efektive e tatimit që paguhet (raporti i tatimit të paguar mbi të ardhurat bruto) ulet ndjeshëm. Sipas llogaritjeve paraprake, efekti financiar i kësaj nisme do të jetë 1.5 Mld lekë ose 15 milionë euro më shumë në buxhetin e familjeve shqiptare.", u shpreh ministri.










