KAS vulos: Nuk ka përsëritje zgjedhjesh në Berat dhe Gjirokastër! Vendimi për rinumërim merret nesër! Pelinku e PD hedh poshtë akuzat e opozitës për votim të dyfishtë

Zgjedhjet dhe rezultati i votimit më 25 prill për Qarkun e Gjirokastrës mbetet ai i shpallur nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve. Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve në KQZ vendosi me shumicë votash të anëtarëve që të rrëzojë kërkesat e PD dhe LSI për shpallje pavlefshmërie dhe rivotim. Ndërkohë që janë rrëzuar edhe kërkesat e PD-LSI edhe për ripërsëritje zgjedhjesh në Qarkun Berat. Nuk ka pavlefshmëri të zgjedhjeve dhe rivotim as në këtë qark. Ndërkohë që ditën e nesërme KAS ka njoftuar se do të marrë vendimi në lidhje me kërkesën tjetër, atë të Lëvizjes Socialiste për Integrim, për rinumërim të vvotave në këtë qark.

Ankimimi i PD-LSI për rezultatin e zgjedhjeve në qarkun e Gjirokastrës ka nisur që prej 1 jave, kur partitë ankuese paraqitën argumentet dhe pretendimet e tyre. PD ankimoi rezultatin e 25 prillit në qarkun e Gjirokastrës, si edhe në 8 qarqe të tjera me argumentin e PS-ja ka blerë masivisht votat nga individë me rekorde kriminale, se ka dhënë leje legalizimesh , ndihma ekonomike, pagesa për tërmetin për vota në favor të socialistëve. Surprizë në kërkesën e tyre ishte se nuk kërkonin rinumërim të votave, por direkt rivotim në këto qarqe, përveç atyre ku dolën fitues.  Më herët, përfaqësues të saj, thanë se kanë grumbulluar shkeljet në procesin zgjedhor në 10 dosje, të cilat sipas tyre përbëjnë indicie të mjaftueshme për të provuar tjetërsimin e vullnetit të qytetarëve në zgjedhje nga mazhoranca, nëpërmjet shitblerjes së votës apo përdorimit të presionit administratës publike për të votuar socialistët. Nga ana tjetër, LSI  ankimoi rezultatin e 25 prillit në Gjirokastër duke e argumentuar se vendimi i Komitetit Teknik të Ekspertëve për ta karantinuar për 14 ditë qytetarët që vijnë nga Greqia dhe Maqedonia e Veriut, ka synuar që të godasë politikisht LSI-në në zgjedhje.

Ndërkaq do të vijojë shqyrtimin e ankimeve të rezultatit të 25 prillit për qarkun Vlorë dhe Berat.

Nënkomisionerja Shtetërore e Zgjedhjeve, Lealba Pelinku, e cila është zgjedhur pas propozimit të Partisë Demokratike duke shpjeguar në mbledhjen e sotme raportin për rastet e dyshimta për votim të dyfishtë në Qarkun e Gjirokastrës, sqaroi se një pjesë e mirë e rasteve ishin kur operatori teknik ka vendosur gishtin në pajisjen PEI për të qartësuar votuesin sesi bëhet votimi. Znj. Pelinku e cila ka menaxhuar të gjithë sistemin ka nënvizuar se për 2 rastet kur personat janë shfaqur në dy qendra të ndryshme, e ka kryer në të dyja rastet identifikimin biometrik. Pajisja ka pasur mundësinë që personat e administratës zgjedhore të kishin emrin në të gjitha qendrat e votimit. "Ne supozojmë që ka qenë pjesë e administratës zgjedhore, që ka kryer identifikimin biometrik në qendrën ku ka qenë caktuar ditën e votimit dhe më pas ka shkuar në qebdrën e vet të votimit për të votuar", ka thënë Pelinku.

"Të dhënat që ju dhanë juve janë thjesht të dhënat për identifikimin biometrik. Kjo nuk vërteton që personi ka votuar 2 herë. Sistemi të ndalon që me të njëjtën kartë identiteti të paraqitesh 2 herë", sqaroi ajo. 

Në mbledhjen e djeshme pasi ka shqyrtuar ankimimin për Vlorën, KAS vendosi të rrëzojë kërkesën e PD për prova shtesë nga institucionet e tjera publike, ndërsa pranoi kërkesën e LSI për të marrë informacion në sa qendra votimi nuk ka funksionuar pajisja PEI në këtë qark.  Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve shtyu për sot edhe vendimin për qarkun e Gjirokastrës për shkak se socialistët pretenduan se raporti i të dhënave të kryqëzuara të pajisjes së identifikimit biometrik për raste të dyshuara të votimit të dyfishtë nuk ishte i qartë. Përfaqësuesi i Partisë Socialiste Eridian Salianji, mbështetur edhe nga anëtarët e KAS, kërkuan që nënkomisionerja Lealba Pelinku të detajonte nëse rastet e dyshimta për votim të parregullt, përfshinin rastet kur operatori teknik ka vendosur gishtin në pajisjen PEI.

(Kliko këtu ) Ankimimi i PD për Qarkun e Gjirokastrës

(Kliko ketu) Për të lexuar ankimin për Vlorën

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:44
KAS rrëzon PD-LSI edhe për Qarkun Berat: Nuk ka pavlefshmëri dhe përsëritje të zgjedhjeve! Vendimin për rinumërim ose jo merret nesër

Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve në KQZ ka rrëzuar Partinë Demokratike dhe Lëvizjen Socialiste për Integrim edhe për Qarkun e Beratit. Nuk ka pavlefshmëri të zgjedhjeve dhe rivotim as në këtë qark.

Ndërkohë që ditën e nesërme KAS ka njoftuar se do të marrë vendimi në lidhje me kërkesën tjetër, atë të Lëvizjes Socialiste për Integrim, për rinumërim të vvotave në këtë qark.

Në lidhje me ankimimet për QArkun Berat administrata e KQZ shqyrtoi materialet zgjedhore për 24 kuti për këtë qark, për të gjetur parregullsi me kërkesë të LSI-së. Për shkak të volumit të materialit zgjedhor dhe shqyrtimit të imtësishëm që do t'i bëhet këtyre, KAS ka vendosur që vendimi përfundimtar për qarkun e Beratit të jepet nesër. Nga hetimi i bërë në 24 kutitë e qendrave të votimit nuk ka rezultuar asnjë problematikë serioze që të mos të sjellë pavlefshmëri të zgjedhjeve apo indicie për të përsëritur numërimin, kërkesë kjo e LSI për Qarkun Berat.  

Vetëm dy raste janë rastet e dyshimta në Berat dhe 2 të tjera në Qarkun Gjirokastër që mund të kenë qenë tentativa për votim të dyfishtë. Këto janë rezultatet e dala nga administrata e KQZ e cila pas kërkesës së Komisionit të Sanksioneve dhe Ankesave, ka bërë kryqëzimin e të dhënave të pajisjes PEI.  Sipas rezultateve të dala nga kryqëzimi, KQZ njofton se janë vetëm 4 janë rastet gjithsej, të tjerat janë regjistruar si raste të dyshimta por që në fakt nuk përbëjnë asnjë provë pasi siç ka shpjeguar vetë Kryekomisioneri Celibashi arsyet e vendosjes disa herë të shenjës së gishtit janë shumë. Duhet thënë se ka pasur nga ata votues që për arsye të ndryshme e kanë vendosur gishtin disa herë në pajisje. Dikush për arsye se nuk e ka njohur shenjën e gishtit herën e parë, ndonjëherë sepse pajisja nuk ka funksionuar apo edhe që punonjësi përgjegjës që merrej me pajisjen, operatori, nuk kishte njohuritë e nevojshme.

Disa ditë më parë vetë Kryekomisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve pati sqaruar se nga totali i rasteve shumica e rasteve i përket gjurmës së gishtave të operatorëve, të cilët ndoshta jo mirë të trajnuar kanë menduar se nuk do ishte problem nëse e vendosin gishtin disa herë. Celibashi pati sqaruar se të gjithë rastet do të sqarohen.

Do të jetë KAS që do të marrë një vendim në do të ketë rinumërim të votave në qendrat e votimit ku LSI pretendon parregullsi, pas përfundimit të shqyrtimit të materiale zgjedhore. KAS pranoi kërkesën ankimore të LSI-së e cila kërkon rinumërim në këto qendra zgjedhore me argumentin se janë konstatuar disa shkelje. Kutitë u morën nga 24 qendra votimi që ka ankimuar LSI, ku çdo qendër përmban 1 kuti me materiale zgjedhore, ku përfshihen procesverbalet, regjistri i votuesve, shënimet e komisionerëve, regjistri i identifikimit biometrik të zgjedhësve.

Ankesa e LSI është se kutitë në këto qendra votimi janë mbushur ku ka më shumë fletë votimi se votues dhe se në disa prej tyre mungon dhe regjistri se kush ka votuar.

Ora 14:30
Bujar Leskaj: KAS bëhet palë me pushtetin për blerjen e zgjedhjeve, refuzoi të marrë informacion zyrtar tek institucionet

1621427459_b39ab4f760564ae68dda2ecab682bbf2.jpg

Pas vendimit të KAS deputeti i zgjedhur i PD në Vlorë, Bujar Leskaj në një deklaratë për shtyp ka hedhur akuza ndaj institucionit duke thënë se po bëhet palë me pushtetin pasi refuzon të marrë informacione shtesë nga institucionet për zgjedhjet e 25 prillit. Leskaj thotë se KAS refuzon të bëjë drejtësi për qytetarët e qarkut të Vlorës.

“Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve në KQZ u ngrit si nië organ që duhet të garantonte të drejtën e shqiptarëve për votën e lirë. Ky mision po zhbëhet çdo ditë nga 3 anëtarët e zgjedhur të Partisë Socialiste, të cilët po u mohojnë shqiptarëve të drejtën për transparencë të zgjedhjeve të blera. Pas Gjirokastrës dhe Beratit, shërbëtorët e Edi Ramës në KAS refuzuan t’u kërkojnë institucioneve shtetërore provat zyrtare të blerjes së zgjedhjeve përmes shtetit dhe krimit edhe në qarkun e Vlorës.

KAS refuzoi sot të bëjë drejtësi për qytetarët e Vlorës, Sarandës, Delvinës, Himarës (mund të kem harruar ndonjë zonë), sepse ata duan të mbrojnë dhe të fshehin vjedhjen e zgjedhjeve nga regjimi Rama-Doshi. Ne paraqitëm provat tona se në qarkun e Vlorës rezultati i zgjedhjeve u deformua nga punësimet masive elektorale dhe të paligjshme, nga përdorimi i personave me rekorde kriminale për blerjen e votave, nga dhënia e paligjshme e lejeve të legaliizmit dhe nga akte të tjera kundra ligjit në këmbim të votave për pushtetin e Edi Ramës.

Duke refuzuar rë marrë informacionin zyrtar për të gjitha keto shkelje që kanë lënë gjurmë në sistem dhe që masakruan zgjedhjet e lira e të ndershme,  KAS bëhet palë me pushtetin për blerjen e zgjedhjeve”, tha ai.

Ora 13:58
Vendimi i KAS/ LSI: Politik dhe në shërbim të rilindjes, do luftojmë deri në fund

1618474711_braimllari770x433.jpg

Sekretari i Përgjithshëm i LSI, Endrit Braimllari, në një deklaratë për mediat e cilësoi si politik dhe në shërbim të mazhorancës vendimin e KAS sot për Qarkun e Gjirokastrës.

Bramllari tha se ky vendim është arbitrar, i njëanshëm, politik në shërbim të Rilindjes.

Shqiptarët sot janë dëshmitarë që 25 prilli ishte një masakër e vërtetë elektorale. Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve u shndërrua në një avokat të krimit zgjedhor të rilindjes, të kapjes së zgjedhjeve dhe shtetit duke mohuar të drejtën kushtetuese të qytetarëve për të votuar.  Vendimi anti kushtetues dhe tërësisht politik i Komitetit të Ekspertëve i mohoi në mënyrë të njëanshme dhe cenoi të drejtën e votës për mijëra qytetarë shqiptarë që janë jashtë kufijve dhe pak orë pas përfundimit të zgjedhjeve e tërhoqi këtë vendim duke treguar qartë që ishte një vendimmarrje politike.    Provat e bëra publike nga LSI, sesi përfaqësues të Rilindjes në Gjirokastër, anëtarë të komisioneve zgjedhore dhe numërues kanë hyrë në Shqipëri pas datës 19 prill dhe nuk iu janë nënshtruar karantimit duke thyer vendimin e Komitetit Politik të Ekspertëve.  Është provuar dhe nga pajisja elektronike e identifikimit që në Gjirokastër ashtu si edhe në Berat por dhe në të gjitha qarqet e vendit një person ka votuar më shumë se një herë, duke delegjitimuar procesin e 25 prillit.  Këto fakte, të deformimit të vullnetit të qytetarëve, të mohimit të të drejtës për të votuar por dhe të votimit në emër të personave të tjerë tregojnë qartë se 25 prilli është një masakër e vërtetë elektorale e cila filloi para ditës së zgjedhjeve, u ekzekutua ditën e zgjedhjeve dhe vazhdon të shkatërrohet hapur në sy të të gjithë shqiptarëve. Asnjë hap pas nuk do të ketë dhe Lëvizja Socialiste për Integrim do t’i shkojë deri në fund betejës për zbardhjen e së vërtetës për të çuar në vend vullnetin e qytetarëve", tha Braimllari.

Ora 13:22
KAS i rrëzoi për Gjirokastrën, PD-LSI: Janë të kapur politikisht, shpresojmë që në Kolegj Zgjedhor vendimi të jetë ndryshe

 

Pas vendimit të marrë sot nga KAS që ka rrëzuar pretendimet e PD dhe LSI për Qarku e Gjirokastrës përfaqësuesit e këtyre dy forcave politike në KQZ kanë akuzuar se kjo është vendimmarrje politike.

"Ky vendim të mos përsëritet në Kolegjin Zgjedhor.  Të bëhet një hetim i plotë dhe i gjithënashëm. Të shpresojmë që logjikisht vendimmarrja në Kolegjin Zgjedhor të jetë e ndryshme. Është një detyrim që e kemi ndaj të gjithë shqiptarëve dhe mbi të gjitha demokracisë në vend", tha përfaqësuesi i PD, Ivi Kaso.

"KAS ka marrë një vendim duke mos vendosur një standard të caktuar për standardin e zgjedhjeve dhe ripërsëritjen e zgjedhjeve atje pas shpalljes së pavlefshmërisë. KAS sot është njohur edhe me prova shteruese, të cilat ishin alarmante dhe anëtarët e KAS pasi morën urdhra politikë kanë shkelur ligjin", tha përfaqësuesi i LSI, Altin Kaziaj.

Ora 13:07
Ankimet për zgjedhjet, KAS rrëzon kërkesën e PD-LSI për rinumërim dhe votim për Gjirokastrën

KAS vendos rrëzimin e kërkesës së PD dhe LSI për Gjirokastrën, për rivotim.

Ankimimi i PD-LSI për rezultatin e zgjedhjeve në qarkun e Gjirokastrës ka nisur që prej 1 jave, kur partitë ankuese paraqitën argumentet dhe pretendimet e tyre.

Që në fillim të shqyrtimit, KAS vendosi të refuzojë kërkesën e PD për prova shtesë nga institucionet shtetërore. KAS rrëzoi kërkesën e LSI për të marrë prova nga institucionet shtetërore për emigrantët e penguar të votojnë si edhe kërkesën e  PD për të marrë informacione nga institucionet si prokurori, polici, INSTAT, Ministria e Shëndetësisë, etj. KAS pranoi vetëm të verifikojë të dhënat për shenjat e gishtave të votuesve në Gjirokastër, të cilat nxjerrin, nëse votuesit kanë votuar më shumë se 1 herë. Ndërkohë, sa i përket ankimimit të LSI-së në qarkun e Beratit, vendimi do të merret në mbledhjen e 14 majit.

PD ankimoi rezultatin e 25 prillit në qarkun e Gjirokastrës, si edhe në 8 qarqe të tjera me argumentin e PS-ja ka blerë masivisht votat nga individë me rekorde kriminale, se ka dhënë leje legalizimesh , ndihma ekonomike, pagesa për tërmetin për vota në favor të socialistëve. Surprizë në kërkesën e tyre ishte se nuk kërkonin rinumërim të votave, por direkt rivotim në këto qarqe, përveç atyre ku dolën fitues.  Më herët, përfaqësues të saj, thanë se kanë grumbulluar shkeljet në procesin zgjedhor në 10 dosje, të cilat sipas tyre përbëjnë indicie të mjaftueshme për të provuar tjetërsimin e vullnetit të qytetarëve në zgjedhje nga mazhoranca, nëpërmjet shitblerjes së votës apo përdorimit të presionit administratës publike për të votuar socialistët. Nga ana tjetër, LSI  ankimoi rezultatin e 25 prillit në Gjirokastër duke e argumentuar se vendimi i Komitetit Teknik të Ekspertëve për ta karantinuar për 14 ditë qytetarët që vijnë nga Greqia dhe Maqedonia e Veriut, ka synuar që të godasë politikisht LSI-në në zgjedhje.

 

Ora 11:59
Pritet vendimi për Gjirokastrën, përfaqësuesi i PD-anëtarëve të KAS-it: Mos u sillni si noterë të masakrës elektorale, por edhe nëse e bëni ne nuk do ndalojmë

 

Një prej përfaqësuesve ligjorë të Partisë Demokratike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Marash Logu, teksa ka mbajtur fjalën e tij të fundit para vendimit të KAS për Qarkun Gjirokastër, akuzou anëtarët e KAS se nuk duan të bëjnë transparencë.

"Ju keni refuzuar të bëni transparencë, refuzuat të merrni informacion për punësimet në fushatë, nuk ju shqetësoi fakti që të dhënat personale të secilit prej nesh gjendeshin në zyrat e PS, kjo shkelje do trondiste themelet e një shteti normal, ju refuzuat të bënit transparencë të plotë për vendimin e Ministrisë Shëndetësisë për karantinimin e emigranteve që kishte një ndikim të drejtpërdrejtë në rezultatin për Opozitën e Bashkuar, e që nuk u respektua nga votuesit socialistë. Ndoshta gjuha është pak e ashpër por realiteti është edhe më keq. Ne sot jemi para shkeljeve flagrante. Për të provuar secilin prej krimeve në kërkuam para jush që ta zbardhni. Ju keni mohuar 19 herë të drejtën për transparencë. Ne e bëmë detyrën tonë, jo vetëm para votuesve të opozitës së bashkuar  por veçanërisht para 3.5 milionë shqiptarëve që kishin të drejtë të votonin më 25 prill.  Sot nuk duhet të silleni si noter i masakrës elektorale, por edhe nëse e bëni ne nuk do ndalojmë", tha Logu.

Ora 10:32
Rusmajli: Na jepni emrat dhe pozicionet e 2 personave që kanë tentuar të votojnë në 2 qendra votimi

 

Anëtari i KAS, Rusmajli thotë se të dhënat e paraqitura nga Pelinku janë kontradiktore.  Sipas tij në raport thuhet 'të dhëna të dyshimta', ndërsa në dëshmi 'shenja që përputhen'. Rusmajli ka kërkuar që brenda kësaj seance të dalin emrat e 2 personave, pozicionet që kanë ato, që kanë tentuar të votojnë në 2 qendra të votimi.  

"Ka një mundësi që këta persona kanë provokuar sistemin, për t'i shërbyer padive", tha ai.

Ora 10:29
Përplasen anëtarët e KAS! Braho: Po e bën si hetuesia e dikurshme, mbetet vetëm drita e kuqe të ndizet e të fiket! Rusmajli: Ç’i ke këto fantazi, komisionerët janë për burg

Teksa po shqyrtohet ankesa e PD dhe LSI për qarkun Gjirokastër, ka pasur debate ndërmjet anëtarëve të KAS. Përplasja ka qenë mes Ledio Brahos dhe Ilir Rusmajlit. E gjitha kishte të bënte me identifikimin që ka bërë pajisja e identifikimit elektronik në Qarkun e Gjirokastrës, ku dyshohet se dy komisionerë kanë votuar në më shumë se një qendër votimi.

Rusmaili kërkoi që të bëhet verifikimi i komisonerëve për të çmuar provat dhe vërtetuar se cilës parti politike i përkasin. Nënkomisionerja tha që kjo provë, nga ana e KQZ do të kërkohet dhe të vendoset në dispozicion. Ndërsa nga krahu tjetër, relatori Braho, i kërkoi Rusmailit që të anashkalonte këto pyetje, pasi sipas tij, këto gjëra i përkasin Prokurorisë.

Pjesë nga debati:

Lealba Pelniku: Është e nevojshme hetim i thelluar. Duhet të verifikohen materialet filmike dhe prokuroria ka detyrimin të paraqesë këto materiale dhe të bëjë verifikimet e saja.

Ilir Rusmaili: Kjo do të thotë që nuk është përfundimtar?

Lealba Pelniku: Sa i takon KQZ është përfundimtar.

Ilir Rusmaili: Ju nuk do të bëni veprime të tjera, të shihni kamerat, të thoni se është rast i verifikuar, komisioneri ka votuar 15 herë. Ju s’do të bëni veprime të mëtejshme?

Lealba Pelniku: jo.

Ilir Rusmaili: Janë dy raste që keni markuar në tabelë dhe bëhet fjalë për persona që kanë vendosur me të njëjtin identitet, në dy qendra votimi. Bëhet fjalë për individë që janë në një qendër votimi dhe kanë votuar komisioner, e në tjetrën si zgjedhës. Ju i njihni, e dini çfarë funksionesh kanë ushtruar këto në administratën zgjedhore ditën e zgjedhjeve?

Lealba Pelniku: Informacioni që ne kemi është administratë zgjedhore.

Ilir Rusmaili: Cila ka qenë detyra, me çfarë detyre janë ngarkuar?

Lealba Pelniku: Ne na rezulton që është identifikuar në paisjane PEI është identifikuar si administratë zgjedhore.

Ilir Rusmaili: Nuk e keni verifikuar personin? Keni ndërmend të bëni këtë gjë?

Lealba Pelniku: Kjo mund të bëhet.

Ilir Rusmaili: Unë dua të kuptoj vlerën e provës. Ne kërkuam thirrjen e dëshmitares me qëllim që të çmonim provën, jemi duke çmuar provën. Nëse nuk e çmojmë provën nuk japim dot vendime. Nëse ne, bazojmë vendimin tonë mbi një material që nesër do të griset bëjnë akt padrejtësie. Ndaj duhet ta sqarojmë këtë element. Në sqarimin e ditës së sotme thuhet që nuk është përfundimtar, ndërsa anëtarja e KQZ thotë se është përfundimtar. Komisioneri është verifikuar, bëra thirrje KQZ që të bëhet procedim penal. Ka dy raste që komisionerët kanë votuar nga dy herë. Ju keni përballë sot, dokument dhe thënie dëshmitarësh kontradiktore, cilën anë do të mbani?

Ledio Braho: Nuk ka asgjë kontradiktore, thjesht dokumenti sot është më i detajuar. Mund të gjesh që në një qendër votimi ka persona që kanë votuar 4 herë, vini re këtë.

Ilir Rusmaili: Ti je relator, por s’të jep të drejtën të kontestosh bindjen time. Kemi një dokument nga KQZ dhe dëshmitarit. Po përpiqem të kuptoj që zonja po flet si institucion apo jo. Kemi nevojë të dimë do të ketë verifikime mbi këtë dokument apo jo. KQZ do të bëjë veprime të mëtejshme po apo jo?

Ledio Braho: Komisionerja ka ardhur me shumë konsensus këtu, mos e trajtoni si organ hetimor.

Ilir Rusmaili: Unë marr seriozisht procesin.

Ledio Braho: Të gjithë e marrim.

Ilir Rusmaili: Dyshoj për këtë.

Ledio Braho: Në përgjithësi ne debatin e kemi mbajtur jashtë pyetjeve. Po e kthejmë si prokurori me pyetjet që i bëhet palëve. Është rasti i dytë që nënkomisioerët e KQZ hetohen si prokurori. Po e bën si hetuesia e dikurshe, mbetet vetëm ajo drita e kuqe të ndizet e të fiket,

Ilir Rusmajli: Ç'i ke këto fantazi, komisionerët janë për burg. Unë dua që provat t’i shërbejnë drejtësisë. Është interesante, si ka mundësi që asnjërit në këtë sallë nuk i intereson të dijë që me gjazë kanë abuzuar, kujt force i përkasin. Pse nuk e bën asnjeri këtë. A e nxirrni brenda kësaj seance të na tregoni se cilat funksionesh kryejnë këta persona?

Nëse jeni përpara një shkelje individuale vlera e saj në raport me kërkesën për pavlefshmëri është ajo e shkeljes individuale. Nëse jemi para një rasti kur provokimi bëhet për motive politike vlera e shkeljes është e ndryshme nga ajo e një rasti individual.

Ledio Braho: Sjemi as prokurori as gjykatë të vlerësojmë anën subjektive të komisionerëve. Se po bëni poezi këtu. Se dimë nga çfarë premisash është nisur ai komisioner për të votuar në qendra votimi. Këtë se paraqet dot asnjëherë. Ndaj pyesni prokurorinë

Ilir Rusmajli: Ne mund ta themi që se provojmë por smund ta fshehim nën rrogozë.

Ka persona që kanë votuar me të njëjtin identitet. Në një qendër kanë votuar administratorë zgjedhore dhe ju i njihni, e dini cilët kanë qenë funksionet e tyre?

Peliku: Është administratë zgjedhore…

Ilir Rusmajli: Cila ka qenë detyra e tyre?

Peliku: Na rezulton administratë zgjedhore, mund të ketë qenë Komisioner apo operator.

Ilir Rusmajli: Nuk e keni checkuar? Dhe nuk keni ndërmend ta bëni?

Peliku: Kjo mund të kryhet

Ilir Rusmajli: Po a ishte përfundimtar hetimi, apo do ta çelëni përsëri? Unë dua të kuptoj vlerën e provës. Të mbaroj unë. Unë mora leje për të bërë pyetje. Ne kërkuan thirrjen e dëshmitares me qëllim që të çmonim provën. Nëse nuk e vlerësojmë nuk japim dot vendime. Kam nevojë të di nëse është dokument përfundimar apo material pune që nuk nxjerr konkluzione përfundimtare. Është thelbësore që ta sqarojmë deri në fund këtë element, apo nëse KQZ do të bëjë hetime më të thelluara. Kemi dy dokumenta, njëri thotë që nuk është përfundimtar dhe dëshmia pretendon të kundërtën. Ke dëshminë e saj që thotë se është përfundimtar. Dokumenti thotë nuk është. Jo të lutëm të mbaroj debatin me kolegët.

Ledio Braho: Komisioneri është identifikuar, nuk ke vetëm komisionerë ke edhe një tjetër.

Ilir Rusmajli: Të lutem shumë do të çmojmë provat

Ledio Braho: Po ça do i çmosh më shumë kësaj.

Ilir Rusmajli: Po krijohet përshtypja se çfarë po ndodh. Interesi juaj është dhe i yni. Ju keni përballë dokument dhe dhënie dëshmitarësh kontradiktore. Cilën anë do të mbani.

Ledio Braho: Mos e shfrytëzoni për fjalime tavolinën e KAS.

Peliku: Unë përgjigjem për fazën e parë, kjo do të jetë objekt i një hetimi të mëpasshëm. Përfundimtare janë të dhënat që ka gjeneruar procesi i të dhënave.

Ilir Rusmajli: Në dokument flitet për dyshime, sot folët për përputheje. Janë informacione kontradiktore.

Ledio Braho: Po e sqaroi pra. Luajmë teatër.

Ilir Rusmajli: A ka mundësi se jam duke punuar për ju, jo për veten time. Zoti Braho të jep të drejtën të menaxhosh debatin por jo të kondicionosh bindjen time. Po arrij të përpiqem e të kuptoj.

Ora 09:49
Dyshime për votim të dyfishtë? Përgjegjësja e sistemit të identifikimit biometrik, e zgjedhur nga PD: Pjesë më e madhe e rasteve lidhen me operatorin e pajisjes PEI

Nënkomisionerja Shtetërore e Zgjedhjeve, Lealba Pelinku, e cila është zgjedhur si propozim i  Partisë Demokratike duke shpjeguar raportin për rastet e dyshimta për votim të dyfishtë në Qarkun e Gjirokastrës, sqaroi se një pjesë e mirë e rasteve ishin kur operatori teknik ka vendosur gishtin në pajisjen PEI për të qartësuar votuesin sesi bëhet votimi. Znj. Pelinku e cila ka qenë përgjegjësja kryesore për menazhimin e  të gjithë sistemin të identifikimit elektronik ka nënvizuar se për 2 rastet kur personat janë shfaqur në dy qendra të ndryshme, e ka kryer në të dyja rastet identifikimin biometrik.

Ajo ka thënë se për 2 rastet kur personat janë shfaqur në dy qendra të ndryshme, e ka kryer në të dyja rastet identifikimin biometrik. Pajisja ka pasur mundësinë që personat e administratës zgjedhore të kishin emrin në të gjitha qendrat e votimit. "Ne supozojmë që ka qenë pjesë e administratës zgjedhore, që ka kryer identifikimin biometrik në qendrën ku ka qenë caktuar ditën e votimit dhe më pas ka shkuar në qebdrën e vet të votimit për të votuar", ka thënë Pelinku.

"Shenja e gishtit për më shumë se 1 rast, nuk mund të themi se kujt i përket shenja e gishtit në këtë fazë, nga të dhënat që na kanë rezultuar nga kryqëzimi, një nga të dhënat i përket operatorëve, në këto kushte na lind e drejta të dyshojmë se shenja unike e përdorur ka qenë e operatorit teknik që përdor pajisjen, por kjo duhet të jetë objekt i hetimit në vazhdim për te identifikuar në mënyrë të saktë kujt i përket gishti. Ka pasur raste kryesisht kur votuesit kryesisht në moshë të madhe nuk i është njohur shenja e gishtit dhe e ka vendosur operatori.  Do t'i takojë prokurorisë që të sqarojë se çfarë ka ndodhur", tha ndër të tjera Nënkomisionerja Shtetërore e Zgjedhjeve, Lealba Pelinku.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Gili dhe Redoni tërhiqen nga gara, Egli në lot, ja si reaguan banorët e tjerë

Gili dhe Redoni tërhiqen nga gara, Egli në lot, ja si reaguan banorët e tjerë