TIRANË- Sekretariati i Etikës nuk mori në mbledhjen e sotme një vendim për kërkesën e PS për përjashtimin e 29 deputetëve demokratë pas kaosit në Kuvend. Etika vendosi që mbledhjen ta shtyhë për të martën, pas kërkesës së kreut të grupit të PD, Gazment Bardhi që opozitarëve t’u lihet kohë të njihen me provat që mazhoranca ka paraqitur për përjashtimin e tyre.

Në mbledhjen me dyer të mbyllura, ndonëse opozita kërkoi që të ishte e hapur për mediat, Bardhi akuzoi mazhorancën se kërkon të fshijë opozitën nga Kuvendi. Sipas tij, mbledhja ishte zhvilluar ditën e sotme me qëllim që anëtarët që ishin pjesë e Këshillit të Mandateve, mos t’i bashkoheshin mbledhjes në orën 10:30 për imunitetin e Ballukut. Por, gjithsesi mbledhja u zhvendos për të martën dhe opozita mund të marrë pjesë në Këshillin e Mandateve.

“Këtu ju keni përfshirë deputetë që nuk kanë bërë asgjë në Kuvend, por keni dashur të fshini opozitën nga Kuvendi, sepse doni një Kuvend njëpartiak. Thojeni këtu: qëllim keni pasur pengesën tonë në Këshillin e Imuniteteve, prandaj edhe ua caktuat mbledhjen në orën 9. Kështu që propozoj të shtyhet mbledhja për javën tjetër dhe secili deputet të njihet me provat”, tha Bardhi.

Nga ana tjetër, edhe deputeti demokrat Saimir Korreshi hodhi akuza se opozitarët po përjashtohen pa të drejtë.

"Do të duhet që mbledhja të jetë e hapur. Po kërkoni të përjashtoni 29 deputetë të opozitës pa të drejtë. Kërkoj që të na vini në dispozicion provat dhe që ato të jenë publike", tha Korreshi. 

Grupi Parlamentar socialist pretendon se veprimet e deputetëve të PD-së gjatë seancës plenare kanë qenë të mirëorganizuara dhe të koordinuara, duke cenuar zhvillimin normal të punimeve parlamentare.

Për Belind Këlliçin, Fidel Kreta, Albana Vokshi, Ledina Alolli dhe Denisa Vata kërkohet 60 ditë përjashtim nga aktivitetet parlamentare pasi kanë futur në parlament dhe kanë përdorur lëndë apo mjete piroteknike dhe tymuese, referuar këtu flakadanëve të ndezur në seancë. Deputetët Flamur Noka dhe Klevis Balliu janë përjashtuar gjatë seancës plenare pas kaosit që krijuan dhe gjuhës joparlamentare të përdorur. Ndaj tyre mazhoranca kërkon përjashtimin për 60 ditë.

Për deputeten Elda Hoti është kërkuar të përjashtohet me 30 ditë nga aktivitetet e Kuvendit pasi ka dëmtuar pajisjet e parlamentit, referuar shkuljes së mikrofonave dhe ka goditur punonjësit e Gardës, thuhet në kërkesën e PS-së. Gjithashtu për 30 ditë kërkohet dhe përjashtimi i Gazment Bardhit dhe Sali Berishës, për të cilët mazhoranca thotë se anë penguar zhvillimin e rregullt të seancës dhe kanë thyer Kodin e Sjelljes me gjuhën e përdorur.

PS ka kërkuar përjashtimin me 10 ditë të deputetëve Besart Xhaferri, Xhelal Mziu, Bledjon Nallbati, Luçiano Boçi dhe Saimir Korreshi pasi kanë penguar zhvillimin e rregullt të seancës, kanë shkaktuar kaos dhe kanë dhunuar punonjësit e Gardës.

Me 10 ditë kërkohet dhe përjashtimi i deputetëve Edi Paloka, Ina Zhupа, Klodiana Çapja, Oerd Bylykbashi, Enno Bozdo, Tomorr Alizoti, Ivi Kaso, Gent Strazimiri, Luan Baçi, Bledi Himçi, Greta Bardeli, Manjola Luku, Flamur Hoxha, Kliti Hoti, pasi kanë penguar zhvillimin e seancës parlamentare.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 09:27
PS kërkon përjashtimin e 29 deputetëve të opozitës, Bardhi: Doni të na pengoni të marrim pjesë në mbledhjen për Ballukun, doni të fshini opozitën nga Kuvendi

1764857864_gazmentbardhi.jpeg

Gazment Bardhi ka kërkuar që mbledhja e Komisionit të Etikës, ku po shqyrtohet kërkesa e PS për përjashtimin e deputetëve të opozitës pas kaosit në Kuvend, të shtyhet për javën tjetër që opozitarët të njihen me provat. Bardhi akuzoi PS se ka përfshirë në kërkesën për masa disiplinore edhe deputetë që nuk janë përfshirë në kaos, duke i thënë mazhorancës se kërkon të fshijë opozitën nga Kuvendi. Sipas Bardhit, kjo është bërë me qëllim që anëtarët e Këshillit të Mandateve të mos marrin pjesë në mbledhjen për Ballukun sot në 10:30, ku SPAK kërkon autorizim për arrestimin e saj.

“Secili deputet që ka firmosur për pezullimin e mandatit për 60 ditë, 30 ditë apo 10 ditë duhet të tregohen të përgjegjshëm. Të tregohen të përgjegjshëm dhe të paraqesin fakte. Të mos vijnë këtu dhe të akuzojnë me terma të Sigurimit të Shtetit. Na quajnë grupazh, kur në fakt gjykata e ka treguar se grup i strukturuar kriminal është qeveria e Edi Ramës. Këtu ju keni përfshirë deputetë që nuk kanë bërë asgjë në Kuvend, por keni dashur të fshini opozitën nga Kuvendi, sepse doni një Kuvend njëpartiak. Thojeni këtu: qëllim keni pasur pengesën tonë në Këshillin e Imuniteteve, prandaj edhe ua caktuat mbledhjen në orën 9. Kështu që propozoj të shtyhet mbledhja për javën tjetër dhe secili deputet të njihet me provat”, tha Bardhi.

Xh.K/SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 16 Dhjetor, 19:08

    SPAK kërkon arrestimin e Ballukut, a duhet të japë autorizim Kuvendi?