Ndonëse gjuha shqipe është zyrtare në Strugë të Maqedonisë, ajo është anashkaluar në festivalin “Mbrëmjet strugane të poezisë”.

Organizatorët e këtij festivali tradicional, që financohet nga Ministria e Kulturës në Maqedoni, i kanë shpërndarë njoftimet, për përmbajtjen programore të manifestimit, vetëm në gjuhën maqedonase dhe atë angleze, duke mos pranuar kërkesën e Komunës së Strugës, që në festival të ketë edhe prezantues shqiptar dhe poezitë të përkthehen edhe në gjuhën shqipe.
 
Drejtori i festivalit Mite Stefoski  nuk sheh anashkalim të gjuhës shqipe në materialin reklamues për këtë ngjarje, dhe thotë se gjithçka është bërë në bazë të Ligjeve dhe Kushtetutës.

Sipas Stefoskit, manifestimi realizohet në nivel qendror dhe jo lokal, dhe fakti që manifestimi ka karakter ndërkombëtar, gjuhë zyrtare është vetëm ajo maqedonase.

Përfaqësuesit e Komunës së Strugës thonë se festivali “Mbrëmjet strugane të poezisë” keqpërdoret prej vitesh nga politika.

Në festivalin e 53-të “Mbrëmjet strugane të poezisë”, që është hapur të dielën dhe mbyllet më 26 Gusht, po marrin pjesë poetë nga vende të ndryshme të botës.



Redaksia Online
(g.f/shqiptarja.com)