Kur kërkon një produkt në internet, a të del i pari sepse është më i përshtatshmi apo sepse shitësi ka paguar për ta reklamuar? Me projektligjin e ri për mbrojtjen e konsumatorit, platformat online do të duhet t'ua bëjnë të qartë blerësve se si renditen produktet dhe nëse pas rezultateve që shohin fshihen marrëveshje tregtare apo pagesa të fshehura.
Ky është një nga ndryshimet që prezantoi sot në Kuvend zëvendësministri i Ekonomisë dhe Inovacionit, Enkelejd Musabelliu. Projektligji synon të përafrojë rregullat shqiptare me 15 akte të Bashkimit Europian, 14 direktiva dhe një rregullore.
Por ndryshimet nuk ndalen te blerjet online. Projektligji synon të ndalojë edhe shitjen e produkteve që paraqiten si identike me ato të tregut europian, ndërkohë që kanë përbërje apo karakteristika të ndryshme. Pra, një produkt nuk duhet t'i shitet konsumatorit shqiptar si i njëjtë me atë që tregtohet në një vend të BE-së, nëse në të vërtetë ka dallime.
Një tjetër çështje janë reklamat që i paraqesin produktet si miqësore me mjedisin. Sipas Musabelliut, prodhuesit dhe tregtarët duhet të jenë në gjendje t'i vërtetojnë këto pretendime, në vend që të përdorin etiketa apo logo që mund t'i çorientojnë blerësit.
Projektligji parashikon gjithashtu që konsumatorët të marrin informacion më të qartë për çmimet, cilësitë e produkteve dhe kushtet e kontratave. Ai synon të ndalojë kushtet e padrejta kontraktore dhe praktikat mashtruese në tregtinë online.
Në rastet kur në internet publikohen përmbajtje të paligjshme ose informacione mashtruese që rrezikojnë interesat e blerësve, autoritetet kompetente do të kenë mundësi të kërkojnë fshirjen e tyre apo bllokimin e faqeve përkatëse.
Një tjetër ndryshim prek mallrat që prishen pasi u ka përfunduar garancia. Projektligji parashikon njohjen e së drejtës së konsumatorëve për t'i riparuar edhe pas kësaj periudhe, me synimin që shërbimi të ofrohet me çmime të arsyeshme.
Musabelliu tha se ndryshimet synojnë t'u japin më shumë mbrojtje blerësve dhe më shumë mundësi institucioneve për të ndërhyrë ndaj abuzimeve. Për momentin, këto masa janë pjesë e projektligjit të prezantuar në Komisionin për Europën dhe Punët e Jashtme.










Komente
Komento