TIRANË- Një 37-vjeçar u arrestua në Tiranë për shpërndarje droga në zona të ndryshme të kryeqytetit. Ksainel Caka u kap në flagrancë nga Antidroga e Tiranës, të cilët e shtrinë në tokë për t’i vënë prangat.
Caka është mbajtur nën vëzhgim prej disa javësh nga agjentët e policisë. Sipas burimeve mësohet se 37-vjeçari shiste lëndë narkotike kryesisht në zonën e Don Boskos dhe Laprakës. Në momentin e arrestimit atij i është gjetur 200 gramë kokainë, e cila kap vlerën e 700 mijë lekëve të rinj.
Lënda narkotike do të shitej tek persona të tjerë të cilët do e shisnin sërish në doza të vogla. Ksainel Caka, i cili u ndalua pranë hyrjes së bllokut të ambasadave në rrugën e Durrësit dhe nuk rezulton me precedent penal.
“Vihet në pranga një shtetas, i cili dyshohet se furnizonte shtetas të tjerë me lëndë narkotike kokainë, për ta shpërndarë në doza në zona të ndryshme të Tiranës. Sekuestrohen mbi 200 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë, ndërsa vijojnë hetimet dhe operacioni për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Si rezultat i kontrolleve intensive dhe veprimeve hetimore të kryera nga strukturat e Policisë, në kuadër të operacionit të koduar “Zonat”, u godit një rast i shitjes së lëndëve narkotike. Për këtë rast u arrestua në flagrancë shtetasi K. C., 37 vjeç, banues në Tiranë, i cili u kap në rrugën “Skënderbej”.
Nga hetimet dyshohet se ky shtetas ushtronte aktivitetin kriminal të shitjes së lëndëve narkotike në zona të ndryshme të Tiranës. Gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën 37-vjeçarit mbi 200 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale”, njofton policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente











