TIRANE- Në Konventën Kombëtare të LSI-së, kryetari i saj, Ilir Meta, gjatë fjalës së tij tha se duhet të modernizojmë më tej programin e LSI-së por edhe statutin e saj, sepse duam të ecim më shpejt me një ritëm më të lartë, me ritmin e Shqipërisë së vërtetë europiane, me ritmin e atyre që ndiejnë përgjegjësi në radhë të parë për të ardhmen.

“Unë edhe një herë tjetër ju vlerësoj të gjithëve për angazhimin e jashtëzakonshëm që keni treguar. Dua t’ju vlerësoj dhe t’ju falënderoj në avancë për atë që do të tregoni në muajt e ardhshëm deri në qershor të vitit 2013. Jemi të ndërgjegjshëm se përfaqësuesit në të gjitha nivelet duhet të rrisin më tej rolin e tyre por ajo që të gjithë nxjerrim si konkluzion nga e gjithë përgatitja para konventës, por edhe dje edhe sot këtu, edhe nga mesazhet tuaja është që duhet të rrisim rolin e forumeve të LSI-së në mënyrë që të rrisim më tej përgjegjësinë dhe performancën e të gjithë përfaqësuesve dhe të të zgjedhurve tanë”, u shpreh Meta në fjalën tij përmbyllëse.

MBYLLET VOTIMI, REZULTATET DALIN NESER
Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Konventën e LSI-së, Klajda Gjosha shpalli të mbyllur sot votimin për Komitetin Drejtues të LSI-së, pas dy ditëve të punimeve të Konventës Kombëtare Zgjedhore e LSI-së.

Rezultat përfundimtare pritet të dalin nesër, pasi sipas Gjoshës, sistemi elektronik printon një renditje alfabetike dhe duhet pak kohë për të bërë renditjen sipas votave të marra.

Gjoha tha se në votim morën pjesë 2107 delegatë ose 94 për qind e tyre, e cila tregon një pjesëmarrje të lartë.

LUAN RAMA: VOTIMI I SUKSESSHEM
Ndërsa Sekretari i përgjithshëm i LSI-së Luan Rama e cilësoi si shumë të suksesshëm votimin elektronik, që në fakt ishte një risi për procesin e votimit në Shqipëri.

“Procesi garanton fshehtësinë e votës dhe leximin e saj me korrektësinë ashtu siç është dhënë nga secili delegat. Sfida e votimit elektronik doli me sukses. Tani autoriteti i procesit kalon në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të LSI-së”, u shpreh Rama.

Gjithashtu, Rama shpalli edhe fituesin për mesazhin më të veçantë në Tëitter, konkurs i cili ishte shpallur prej ditës së djeshme.
(eç/shqiptarja.com)