Viti i parë i zbatimit të ligjit të ‘Marrëveshjes së Paqes Fiskale’ është mbyllur me 62 aplikime në total, dhe administrata tatimore njofton se janë finalizuar vetëm 19 marrëveshje. Në njoftim thuhet se asnjëri prej subjekteve që ka hyrë në regjimin e paqes fiskale nuk ka rezultuar me risk për pastrim parash.
“Paqja Fiskale në shifra: 62 aplikime dhe 19 marrëveshje të konkluduara. Periudha e parë e aplikimeve u mbyll me sukses, pa u evidentuar asnjë rast i pastrimit të parave”, njofton administrata tatimore.
Për paqen fiskale aplikimet ishin të hapura deri më 5 qershor, përjashtuar 2026-ën, në vitet e ardhshme aplikimi për të lidhur marrëveshjen do bëhen brenda 15-ditëshit të parë të prillit.
“Aplikimet do të rihapen në periudhat 1–15 Prill 2027 dhe 1–15 Prill 2028”, njoftojnë tatimet.
Bizneset e mëdha me xhiro mbi 14 milionë lekë në vit që kanë firmosur marrëveshjen përfitojnë lehtësi fiskale, s’do të kenë kontrolle në terren nga inspektorët tatimor si dhe do të formalizojnë deklarimet e tyre.
Përmes marrëveshjes bizneset negociojnë fitimin me administratën tatimore kundrejt një tatimi më të ulët. Mbi fitimin e deklaruar të një biznesi vjet, do të shtohet një marzh 18% për këtë vit, dhe çdo fitim që kalon pragun prej 18% do të tatohet me 5%. Praktikisht një biznesi me fitim 2.8 milionë lekë në 2025-ës, i shtohet një marzh prej 18% ose 504 mijë lekë këtë vit, duke e çuar fitimin në 3.4 milionë lekë, që tatohet me 15%. Ndërsa çdo lekë mbi këtë vlerë do tatohet me vetëm 5%.
Po ashtu, kush hyn në këtë marrëveshje me tatimet, ka të drejtë të kërkojë edhe të korrigjojë pasqyrat financiare të 3 viteve të mëparshme, duke rritur deklarimet, të cilat i nënshtrohen një tatimi me 5%, nga norma prej 15% që është tatimi aktual.
“Paqja Fiskale mbetet një mundësi për formalizim vullnetar të bizneseve, duke eliminuar kontrollet tatimore në terren dhe duke ofruar një normë tatimi stimuluese prej 5%”, thuhet në njoftimin e tatimeve.
Marrëveshja zgjat vetëm 1 vit, me mundësi rinovimi deri në 2 vite të tjera. Por ajo mund të ndërpritet nëse tatimpaguesi nuk realizon rritjen me mbi 18% të fitimit të tatueshëm, pezullon aktivitetin, është në proces riorganizimi, nuk përmbush detyrimet ose kryen shkelje të përsëritura të detyrimeve tatimore.
Komente











