Mbyllet sot fushata, PS miting në
Shkodër e Vlorë, PD në Tiranë

Mbyllet sot fushata, PS miting në<br />Shkodër e Vlorë, PD në Tiranë
TIRANE - Sot mbyllet zyrtarisht fushata zgjedhore. Socialistët organizuan mbrëmë në Tiranë mitingun e fundit në kryeqytet, ndërsa kanë zgjedhur në mënyrë simbolike që mbylljen e fushatës së tyre ta bëjnë sonte në mbrëmje në dy qytete njëkohësisht në Shkodër dhe në Vlorë.

Ende nuk janë bërë publike detajet e organizimit, por kryesocialisti Rama tha se nuk bëhet fjalë për dy mitingje të veçanta por për një të përbashkët në dy qytetet që sipas tij kanë një simbolikë të veçantë. Sipas Ramës, kandidatët për deputetë do të ndahen në dy pjesë për të qenë të pranishëm në mbylljen zyrtare të fushatës.

Ndërsa demokratët do i përmbahen traditës për zhvillimin e mitingut final në Tiranë. Spoti elektoral njofton se mitingu do të nisë në orën 19:44, simbolikë kjo e numrit që PD ka në fletën e votimit.

Në sheshin “Nënë Tereza”, pritet që fillimisht të organizohet një koncert, dhe më pas të flasin disa nga kandidatët për deputetë dhe jepet mesazhi I fundit nga lideri i mazhorancës Sali Berisha.

Për më shumë se një muaj zgjedhësit kanë dëgjuar programet elektorale të partive politike. Plot 66 të tilla janë regjistruar në KQZ për të marrë pjesë në zgjedhjet e 23 qershorit. Janë mbi 1 mijë kandidatë për deputetë të cilët garojnë të djelën për përbërjen e Kuvendit të ri.

FUSHATA E 66 PARTIVE, DHE KOALICIONET
Gjatë 30 ditëve të fushatës zgjedhore, 66 subjektet politikë që do të konkurojnë në votime, shpalosën para elektoratit programet dhe alternativat e tyre për zhvillimin e vendit gjatë katër viteve të ardhshëm. Mbyllja e fushatës, që sipas Kodit Zgjedhor, përfundon 24 orë para datës së zgjedhjeve, ia lë vendin heshtjes zgjedhore. 
"Dita përpara datës së zgjedhjeve dhe data e zgjedhjeve, deri në orën e mbylljes së votimit, formojnë periudhën e heshtjes zgjedhore. Në periudhën e heshtjes zgjedhore nuk lejohet asnjë lloj fushate zgjedhore nëpërmjet organeve të medias, si dhe zhvillimi i mitingjeve ose i veprimtarive të tjera zgjedhore të  subjekteve zgjedhore", thuhet në nenin 77 të Kodit Zgjedhor.     Zgjedhjet e 23 qershorit do të nxjerrin 140 deputetë, të cilët do të zgjidhen me sistemin proporcional rajonal. Vendi është ndarë në 12 qarqe dhe votat do të përllogariten në mënyrë proporcionale brenda për brenda secilit qark.
Të regjistruar si subjekte elektoralë janë 66 parti dhe dy subjekte të pavarur. Partitë politike janë grupuar në dy koalicione: "Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim", e drejtuar nga Partia Demokratike, me kryetar Sali Berishën, njëkohësisht kryeministër i vendit dhe  koalicioni "Aleanca për Shqipërinë Europiane", i drejtuar nga Partia Socialiste, me kryetar Edi Ramën. Dy partitë e reja në skenën politike shqiptare, Fryma e Re Demokratike dhe Aleanca Kuq e Zi konkurojnë të vetme në këtë zgjedhje, ndërsa janë dy kandidatët e pavarur që do të konkurojnë, Dritan Prifti, në qarkun e Fierit dhe Arben Malaj në qarkun e Vlorës

Redaksia online
(sg/ar.sh/a.q/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

Real Madrid merr vendimin për të ardhmen e Modric dhe Kroos

Real Madrid merr vendimin për të ardhmen e Modric dhe Kroos