Mbyllja e Postës së Serbisë në Veri, reagon Bislimi: Strukturat paralele dhe aktiviteti ilegal nuk kanë vend në Kosovë

Mbyllja e Postës së Serbisë në Veri, reagon Bislimi: Strukturat paralele dhe aktiviteti ilegal nuk kanë vend në Kosovë

Besnik Bislimi

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka reaguar lidhur me vendimin e institucioneve të Kosovës për mbylljen e pikave të postës serbe në veri të vendit.

Përmes një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, Bislimi ka shkruar se Posta e Serbisë ka vepruar ilegalisht në territorin e Republikës së Kosovës.

Sipas Besnik Bislimit, veprimet e ndërmarra ditën e djeshme nga Policia, janë vetëm në shërbim të mbrojtjes së sundimit të ligjit, konkurrueshmërisë, dhe kushtetutshmërisë në vend.

“Strukturat paralele dhe aktiviteti ilegal, nuk kanë vend në Republikën e Kosovës. Kjo, do të duhej të mbështetej fuqishëm edhe nga partnerët e aleatët tanë ndërkombëtarë”, ka shkruar Besnik Bislimi.

Postimi i tij i plotë:

Pas informacioneve të marra nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) se në territorin e Kosovës po operojnë operatorë ekonomikë pa licensë dhe që nuk janë të regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK), Policia ka mbyllur ditën e djeshme nëntë objekte të Postës së Serbisë në veri.

Posta e Serbisë ka vepruar ilegalisht në territorin e Republikës së Kosovës. Veprimet e ndërmarra ditën e djeshme nga Policia, janë vetëm në shërbim të mbrojtjes së sundimit të ligjit, konkurrueshmerisë, dhe kushtetutshmërisë në vend. Strukturat paralele dhe aktiviteti ilegal, nuk kanë vend në Republikën e Kosovës. Kjo, do të duhej të mbështetej fuqishëm edhe nga partnerët e aleatët tanë ndërkombëtarë.

Republika e Kosovës punon çdo ditë që t'i përafrohet standardeve, vlerave e parimeve më të larta të Bashkimit Evropian. Përmes Marrevëshjes së Stabilizim-Asocimit që Kosova e ka me BE-në, ne si shtet obligohemi që sipas neneve 74, 75, 91, 94, 96 dhe 99, të ndërtojmë dhe praktikojmë ekonominë e tregut të lirë, t'i përmbahemi rregullave të mbrojtjes së konkurrueshmërisë në treg si dhe ndalimit, parandalimit dhe luftimit të aktiviteteve të tjera ilegale. Për më tepër, parakushtet kryesore për t'u anëtarësuar në Bashkimin Evropian janë drejtësia, sundimi i ligjit dhe mbrojtja e respektimi i tyre.

Një entitet i Serbisë, në këtë rast Posta e Serbisë, ka operuar jashtëligjshëm jashtë territorit të Serbisë, e për më tepër në një shtet të cilin ajo nuk e njeh. Prezenca e këtyre zyrave në territorin e Republikës së Kosovës përveçse paraqet shkelje të rëndë të parimeve të fqinjësisë së mirë, ato gjithashtu përbëjnë aktivitet ilegal, shkaktojnë çrregullim tregu, dhe prishjen e konkurrencës.

Fakti që çështja e shërbimeve postare është konsideruar si diskutim për të ardhmen në marrëveshjet e kaluara të viteve 2013 dhe 2015, nuk nënkupton që në ndërkohë Posta e Serbisë të vijojë operimin ilegal në vend, të shkelë të gjitha rregullat, ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Asgjë nuk nënkupton të drejta, apo tolerim të entiteve ilegale në vend. Kjo asesi nuk mund të jetë e pranueshme dhe e lejueshme për shtetin tonë, e parimisht nuk do të duhej të ishte e pranueshme as nga ana e Bashkimit Evropian.

Dialogu në Bruksel në vend se të përqëndrohej në çështjet qendrore dhe tejet të rëndësishme, e që lidhen me mohimin e Serbisë të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit Implementues të Ohrit, të shprehur si përmes shkeljeve të shumëfishta por edhe nga letra zyrtare e deponuar në Shërbimin e Jashtëm të BE-së nga ish-kryeministrja Brnabiq, si dhe deklaratat e vazhdueshme nga presidenti Vuçiq dhe së fundmi kryeministrit Vuçeviq, BE-ja gatishmërinë e reagimit po e ka më të lartë në dënimin e Kosovës dhe rikthimin prapa të procesit në çështjet e dialogut teknik, duke kontribuar negativisht në ecjen përpara drejt marrëveshjes finale.KosovaPress

Xh.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

'Ura e dëmtuar e Rilindjes', Berisha del bllof sërish me postimin e Qytetarit Dixhital! Publikon pamje që nuk ndodhen fare në Shqipëri

'Ura e dëmtuar e Rilindjes', Berisha del bllof sërish me postimin e Qytetarit Dixhital! Publikon pamje që nuk ndodhen fare në Shqipëri