Debati në Kosovë është ndezur sërish teksa afrohen zgjedhjet e 7 qershorit, të tretat në më pak se 16 muaj, pasi Glauk Konjufca, një nga figurat kryesore të Lëvizjes Vetëvendosje, pjesë e saj që nga themelimi, rreth dy dekada më parë, u filmua duke përdorur termin “frizerkë” (parukiere) për ish-presidenten Vjosa Osmani, një etiketim që prej kohësh përdoret nga militantë të Vetëvendosjes ndaj saj.

Videoja u shpërnda me shpejtësi në rrjet dhe hapi menjëherë diskutim për gjuhën ndaj grave në politikë, por edhe për raportin e tensionuar mes Osmanit dhe ish-aleatëve të saj në VV. Në pamjet që qarkulluan në rrjet, Konjufca dëgjohet duke thënë: “Qyre kur jena te frizerkat…”, ndërsa në tavolinë shpërthejnë të qeshurat.

Pas reagimeve të shumta, ai reagoi në Facebook duke thënë se nuk kishte pasur qëllim ta përdorte termin në mënyrë ofenduese dhe tentoi t’ia kalojë përgjegjësinë personit që ia përmendi gjatë bisedës, të cilin e quajti “pseudogazetar”.

Shumë figura publike dhe politike e konsideruan deklaratën si gjuhë seksiste ndaj një gruaje në politikë.

“Më vjen keq që ka rënë në këtë grackë të agjendës propagandistike të LVV, pra më e dhimbshme që aty kishte gra të tjera që buzëqeshnin bashkë me të. Është gjuhë seksiste, dhe më vjen keq që një nga përfaqësuesit kryesorë të një partie politike që ia kanë mveshur vetes se janë mbrojtës të të drejtave të grave”, tha kandidatja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili.


Një reagim në rrjete sociale e bëri edhe kandidatja për deputete nga radhët e LDK-së, Fahrije Hoti.

“Sot sulmohen ‘frizerkat’, nesër çdo grua që guxon të punojë, të ndërtojë dhe të ecë përpara. Kosova nuk ecën përpara duke nënçmuar gratë!”u shpreh ajo

Vlora Çitaku nga PDK reagoi duke thënë se nuk ka punë të turpshme dhe se problemi është përdorimi i profesionit si mënyrë për të nënçmuar dikë.

“E kur përdoret nga një politikan si mjet për ta sulmuar e nënçmuar një grua tjetër, atëherë bëhet edhe më e turpshme. Nuk ka punë të turpshme. Turp është arroganca dhe përçmimi ndaj njerëzve që punojnë ndershëm”, tha ajo.

Nga ana tjetër, eksponentë të Vetëvendosjes tentuan ta minimizojnë situatën. Kandidati i VV-së, Nezir Kraki, deklaroi se gjithçka ishte “hajgare”

“Atë që e tha nuk e di kontekstin, por dikush e ka përmendur prej publikut termin frizerkë, Glauku ka reaguar si humor. Nuk besoj që Glauku e ka paramenduar si sulm këtë replikë. Ishte komplet si një lloj hajgare”, ka thënë ai.

E pas kësaj reagoi edhe bashkëshorti i Vjosa Osmanit, Prindon Sadriu. Përmes një shkrimi të gjatë ai foli mbi dinjitetin  dhe për arritjet e Vjosa Osmanit. Pas kësaj ai tha se ky rast flet shumë për Glauk Konjufcën dhe për mentalitetin e tij “karateist” sesa për Osmanin dhe frizeret.

“Sepse ajo që zbuloi kjo “tallje” është kjo: në botën tënde mizogjeniste, ti mund të hysh në një sallon të frizereve, të kërkosh votën e grave dhe, në të njëjtin hap e çast, profesionin e tyre ta përdorësh si armë kundër një gruaje tjetër. Kërkon mbështetjen e tyre, por nuk u jep respektin tënd. Ky nuk është qëndrim politik. Është interes i maskuar si përçmim. Ti i kërkove Kosovës të të besojë pushtetin, Glauk. Por pushteti në duart e dikujt që tall gratë që përfaqëson, nënçmon punën e njerëzve që pretendon se u shërben dhe qesh me ambicien e tyre, nuk është lidership. Është paralajmërim”, tha ai.

Ndërsa zgjedhjet afrojnë në Kosovë po diskutohet fort edhe për një tjetër fenomen. Bëhet fjalë për rrjetin e profileve anonime pro Vetëvendosjes që sulmojnë Osmanin në rrjetet sociale.

Mediat kosovare kanë identifikuar një profil me emrin “Lule Gjeli”, që ka nisur një fushatë agresive kundër Osmanit, me insinuata seksuale, shpifje dhe materiale të krijuara me inteligjencë artificiale.

Mediat kosovare thonë  se “Lule Gjeli” nuk duket si një profil rastësor, por si pjesë e një rrjeti më të gjerë llogarish anonime që përdoren online për propagandë politike në favor të Vetëvendosjes dhe për sulme ndaj figurave që përplasen me pushtetin.

Në shënjestër nuk ka qenë vetëm Vjosa Osmani. Sulme të ngjashme thuhet se kanë pasur edhe figura të tjera opozitare si Doarsa Kica-Xhelili dhe Blerta Deliu. Pas pesë vitesh në presidencë, Vjosa Osmani u largua nga posti më 4 prill, duke vulosur edhe prishjen përfundimtare me Albin Kurtin dhe Vetëvendosjen, partinë që e kishte çuar në krye të shtetit në vitin 2021.

Përplasja shpërtheu pasi Osmani kërkoi një mandat të dytë si presidente, por VV refuzoi ta mbështeste dhe nxori kandidatët e vet. Ndonëse mazhoranca e Kurtit, fitoi zgjedhjet e dhjetorit me 51 për qind të votave, ajo nuk arriti të siguronte shumicën e nevojshme në Kuvend për zgjedhjen e presidentit.

Kjo situatë e futi Kosovën në krizë institucionale. Osmani vendosi shpërndarjen e parlamentit më 5 mars, por dekreti i saj u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese, e cila i dha deputetëve edhe 34 ditë kohë për të zgjedhur presidentin dhe për të shmangur zgjedhjet e parakohshme. Edhe pas këtij afati, palët nuk arritën marrëveshje.

Osmani akuzoi publikisht Kurtin se kishte tradhtuar votuesit e Vetëvendosjes vetëm për ta larguar atë nga presidenca. Ajo deklaroi se po sulmohej politikisht sepse ishte kthyer në një figurë me profil ndërkombëtar dhe përdori edhe raportin e saj me Shtetet e Bashkuara të Amerikës si argument politik kundër Kurtit.

Raporti mes tyre ishte krejt tjetër vetëm pak vite më parë. Pas përplasjes me drejtuesit e vjetër të LDK-së dhe largimit nga partia, Osmani u rreshtua hapur në krah të Kurtit gjatë krizës politike të vitit 2020.

Ajo votoi kundër qeverisë së LDK-së në kohën e pandemisë, u përjashtua nga partia dhe më pas krijoi iniciativën “Guxo”, e cila hyri në zgjedhje në koalicion me Vetëvendosjen.

Fitorja e madhe e VV-së në vitin 2021 e katapultoi Osmanin në presidencë, ndërsa ajo u kthye në një nga figurat më të fuqishme politike në Kosovë.  Por marrëdhënia me Kurtin nisi të ftohej gradualisht gjatë mandatit, derisa përplasja shpërtheu hapur këtë vit me betejën për presidentin dhe zgjedhjet e 7 qershorit.