Asociacioni për Gazetarët Shqiptarë, Rrjeti Ballkanik për Gazetarinë Investigative në Shqipëri – botues i Reporter.al, dhe Qendra për Fuqizim Ligjor depozituan sot pranë Gjykatës Kushtetuese një padi për pezullimin e zbatimit të vendimit të Këshillit të Ministrave mbi mbylljen e platformës TikTok në Shqipëri.

Kreu i Asociacionit për Gazetarët Shqiptarë, Isa Mzyzraj tha në një deklaratë se legjitimimi i një vendimi të tillë, do të sillte një precedent të rrezikshëm që mund t’i hapte më pas rrugën edhe mbylljen e rrjeteve të tjera sociale.

Nuk mund të shkohet në censurë të plotë dhe mbyllje të rrjeteve sociale. Kjo cënon lirinë e shprehjeve dhe të drejtën ekonomike të qytetarëve shqiptarë. Jemi besimplotë që anëtarët e GJK nuk do ta legjitimojë sepse kjo do të krijojë precedent që mund të çojë në mbylljen e rrjeteve të tjera sociale, apo mbylljen e internetit nga kjo qeveria apo qeveri të tjera që do të vijnë më pas”, tha kreu i Asocacionit për Gazetarët Shqiptarë.

Qeveria shqiptare deklaroi se platforma e rrjeteve sociale do të mbyllej zyrtarisht më 13 mars. Kryeministri Edi Rama deklaroi në një postim në rrjetin social ‘X’ që vendimi për mbylljen e platformës Tik Tok është marrë nga qeveria pas konsultimeve të gjëra me prindër dhe mësues.

TikTok është një platformë e mediave sociale e fokusuar te videot e shkurtra. Ajo u krijua nga kompania kineze ByteDance dhe lejon përdoruesit të krijojnë, montojnë dhe ndajnë video të shkurtra me efekte speciale, muzikë dhe filtra të ndryshëm.