Avari me pompën e ujit, mbytet peshkarexha në Vlorë, 4 anëtarët shpëtohen nga trageti italian (Foto+Video)

VLORË- Një peshkarexhë është mbytur në Vlorë në orët e para të mëngjesit të sotëm pak milje larg ishullit të Sazanit. Sipas burimeve për Report Tv, peshkatarët kishin dalë prej tre ditësh për peshkim me mjetin e tyre, i cili kishte pësuar avari me pompën e ujit dhe ishte mbytur në orët e para të mëngjesit. "Vasili LN" ishte mjeti me të cilin po lundronin peshkatarët.

Në momentet e fundit, katër peshkatarët e identifikuar si: Mihal Naçi, 54 vjeç; Kristo Kosta,65 vjeç;  Mateo Jakupi, 19 vjeç; dhe Emiljano Nebiu, 20 vjeç, çuan sinjalin SOS tek autoritetet detare për rrezikun që iu kanosjes.

Katër anëtarët e ekuipazhit, u shpëtuan nga një traget i linjës Brindisi-Vlorë pasi i pikasi në det, ku kishin mbi katër orë që qëndronin në kamerdare, trageti ndaloi dhe i mori në bordin e tij.

"Dëgjuam të bërtitura dhe ndaluam."-thanë dëshmitarët që ndodheshin në bordin e tragetit. Ndërsa në Polici, "të mbijetuarit" janë shprehur se i kishin humbur të gjitha shpresat gjatë gjashtë orëve të tmerrit që kaluan në det. 

Siç shihet edhe në fotot dhe videon e shpëtimit të siguruar nga Report TV dhe Shqiptarja.com, peshkatarët shpëtohen nga katër persona që i afrohen me një varkë të vogël dhe i ngjisin një nga një në të.

Pas ankorimit të tragetit, katër anëtarët e ekipazhit të peshkarexhës u çuan në spitalin e Vlorës, ku edhe ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore.

Disa javë më parë, peshkarexha "Klodi" u fundos teksa qëndronte e ankoruar në kalatën lindore të Portit të Durrësit. Prej kohësh peshkarexha nuk ishte në përdorim për shkak të amortizimit dhe gjatë natës kishte futur ujë.

Më 29 shtator, peshkarexha Luar, e cila ishte nisur nga porti i Durrësit,  u mbyt në detin Adriatik pranë grykëderdhjes të Semanit, e cila ishte nisur nga Porti i Durrësit. Në bordin e anijes ishin 4 peshkatarë që u shpëtuan nga Roja Bregdetare.

Ndërsa po në Vlorë më 7 korrik, Roja Bregdetare e Forcës Detare Shqiptare ka shpëtuar një peshkarexhë nga mbytja pranë Karaburunit. Brenda peshkarexhës ndodheshin dy pjesëtarët e ekuipazhit dhe një fëmijë. Peshkarexha "Aurora 1", kishte pësuar një defekt kërkoi ndihmën e Rojave, të cilat në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe Migracionit ia dolën t'i nxirrnin në breg.

Njoftimi i plotë i policisë:

Vlorë

Shpëtohen 4 shtetas të cilët rrezikuan të mbyteshin në det me një anije peshkimi.

Më datë 04.11.2018, në orën 02:08, jemi njoftuar për ndihmë se mjeti lundrues ipeshkimit "Vasili LN" po rrezikon të mbytet në det pranë ishullit të Sazanit.

Menjëherë u njoftuan shërbimet përkatëse të cilët dolën me mjete lundruese të Rojes Bregdetare dhe të Delta Force, nën orientimin e QNOD Durrës me qëllim për t'ju ardhur në ndihmë këtyre shtetasve por pas kontrolleve dhe kërkimeve të tyre në zonën detare përreth nuk u bë e mundur gjetja e tyre.

Por sot në mëngjes rreth orës 06:04, njofton Kapiteneria e Portit Vlorë se trageti i linjës Brindizi-Vlorë, në distancë rreth 6 milje nga Sazani ka gjetur në det 4 shtetas dhe i kanë marrë në tragetin e tyre (K.K, 65 vjeç, M.N, 54 vjeç, E.N, 20 vjeç, M.J, 19 vjeç).

Këta shtetas janë personat e ekuipazhit të anijes së peshkimit "Vasili LN", për të cilët bëjmë me dije se janë në gjendje të mirë shëndetësore.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:21
'Nuk kishim më shpresa', peshkatarët në Polici: Ishin orët e tmerrit, fati ynë që kaloi trageti

Pasi u shpëtuan nga trageti i linjës Brindisi-Vlorë, katër peshkatarët, peshkarexha e të cilëve u mbyt si pasojë e një avarie pranë ishullit të Sazanit kanë dhënë dëshminë e tyre në Komisariatin e Policisë së Vlorës.

Burime për Report Tv bëjnë me dije se peshkatarët janë shprehur se i kishin humbur shpresat deri në momentin që kishte kaluar trageti.  

I kishim humbur shpresat. Fati ynë që kaloi trageti. Ishin gjashtë orë tmerri në det të hapur dhe në errësirë.

Dëshmia e peshkatarëve 

Ora 12:03
Mbytja e peshkarexhës në Vlorë, pasagjerët e tragetit: Ishin kapur me njëri-tjetrin, kjo i shpëtoi

Ditën e sotme, në orët e para të mëngjesit trageti Brindisi-Vlorë shpëtoi katër peshkatarët që kishin përfunduar në det pas një avarie që kishte pësuar peshkarexha e tyre.

Në një pronocim për Report Tv, disa nga dëshmitarët okularë (pasagjerët e tragetit), treguan momentet e shpëtimit të katër peshkatarëve.

Sipas tyre, katër peshkatarët ia kanë dalë që të shpëtonin pasi mbaheshin tek njëri-tjetri dhe në një pjesë plastike.   

Dëgjuam ulërima. Nga trageti nuk e di se kush e ka parë. Ata kishin një komerdare dhe po mbaheshin aty. Sapo u ngjitën në traget i futëm në kuzhinë.

 Pasagjer i tragetit

Ishim duke u afruar. I dëgjuam, trageti mori kthesën dhe i shpëtoi.

 Pasagjer i tragetit

I pamë shumë mirë, ata rrinin të kapur njëri pas tjetrit dhe mbaheshin pas një kallçuku. Vetëm ajo i ka shpëtuar. 

Pasagjer i tragetit

Ora 11:50
'6 orë në det të hapur, me temperaturë 21 gradë', flet kapiteni i tragetit: Ja si i shpëtuam 4 peshkatarët (VIDEO)

Kapiteni i tragetit të linjës Brindisi-Vlorë, Petrit Agaj tha për Report Tv se skuadra e shpëtimit të tragetit ka hedhur varkën në det sapo ka spikatur 4 peshkatarët dhe se me shpejtësi i ka sjellë ata në bord në gjendje jo të rënduar shëndetësore.

Në orën 5:50 të mëngjesit, në distancën 10 km në perëndim të Sazanit, oficeri i shërbimit dhe marinari raportojnë se shikojnë disa njerëz në det. U dha alarmi dhe u përgatitën mjetet e shpëtimit. Për 5 minuta, një nga mjetet u hodh në det dhe shkoi me shpejtësi tek katër personat. Ata ishin të ndërgjegjshëm dhe menjëherë i sollëm në anije. Temperatura e ujit ishte 21 gradë dhe e ajrit 18 gradë. Koha ishte e gjatë dhe favorizonte jetën e tyre. Në këtë zonë nuk ka shumë anije që kalojnë dhe me orët që kalonin ata mund të kishin humbur jetën. Ne ju dhamë ushqime të ngrohta dhe batanije.

Petrit Agaj, kapiteni i tragetit të linjës Brindisi-Vlorë

Agaj bëri të ditur se 4 peshkatarët kanë qenë në det të hapur që nga ora 23:30 e natës, ndërsa shtoi se ata janë trajtuar menjëherë për hipoterminë.

Dalluam një grup personash dhe bëmë manovër për t'u afruar dhe ulëm mjetet shpëtuese në det. Ekuipazhi bëri gati të gjitha elementët e shpëtimit. Peshkatarët na falenderuan për shpëtimin e jetës. Kishin dalë në det rreth 10 km nga Sazani. Anija kishte marrë ujë dhe ishte fundosur për pak sekonda. Kishin një pjesë lëndruese të bardhë dhe qëndruan së bashku të të katërt. Ne i trajtuam menjëherë për hipoterminë. Një djalë ishte shumë i stresuar kur i gjetëm, por kjo është normale pasi 6 orë e gjysmë në ujë është rekord. Ata mund të humbisnin jetën nga momenti në moment. 

Petrit Agaj, kapiteni i tragetit të linjës Brindisi-Vlorë

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Juventusi në garë, Cristian Shpendi në Torino për 4 milionë euro

Juventusi në garë, Cristian Shpendi në Torino për 4 milionë euro