Të tjera detaje kanë dalë nga ngjarja e rëndë e ndodhur ditën e sotme në Gjirokastër, ku 15-vjeçari Arbër Peçi është mbytur në pishinën private 'Glow'.
Burime për Report Tv bëjnë të ditur se adoleshenti ka bërë me shenjë për t’a nxjerrë nga uji, por askush nuk denjoi të hidhej për t’i dhënë ndihmën e parë. Mësohet prej burimeve nga grupi hetimor se Arbër Peçi, ishte nisur për në pishinën “GLOW” në pronësi zyrtare të bashkëshortit të nënkryetarës së Bashkisë Gjirokastër, Artiste Koko, në orën 09:30. Ai shkoi në pishinë nën shoqërinë e dy shokëve të tij. Teksa këta të fundit u ulën në shazllonët përbri pishinës, Arbri u zhyt në ujë. Nuk ka qëndruar as 4 sekonda në ujë, teksa Arbëri me xhestikulacione kërkoi ndihmë. Askush nuk hyri në ujë për t’i dhënë ndihmën e parë, deri në momentin që ndërroi jetë. Pas kësaj, dy shokët e tij ngritën alarmin dhe më pas u lajmërua Policia e Gjirokastrës e cila ka mbërritur në vendngjarje.
Version i deritashëm zyrtar, është se 15 vjeçari ka pësuar atak kardiak pasi ra në kontakt me ujin e ftohtë. Prokuroria e Gjirokastrës ende nuk ka marrë në dispozicion pamjet filmike. Derimë tani janë shoqëruar në Polici shtatë persona prej të cilëve dy shokët e të ndjerit dhe anëtarë të personelit të pishinës.
Nga ekstrakti i historikut pranë QKB, rezulton se subjekti “GLOW shpk” me ortak të vetëm burrin e Artiste Kokos, nënkryetarja e Bashkisë Gjirokastër, ka qenë i pezulluar qysh prej vitit 2015 e deri në vitin 2019.
Lajmi kryesor:
Gjirokastër/ Mbytet në pishinë 15-vjeçari, dyshohet se pësoi infarkt! Biznesi në pronësi të bashkëshortit të nënkryetares së bashkisë (EMRI)










