Është arrestuar pronari i pishinës GLOW, Ermal Koko, bashkëshorti i nënkryetares së Bashkisë Gjirokastër, Artiste Koko. Arrestimi i tij erdhi pas mbytjes së një 15-vjeçari ditën e sotme në pishinën në pronësi të tij.

Burime për Report Tv bëjnë të ditur se arrestimi i tij është bërë me urdhër të firmosur nga prokurorja e çështjes, Nertila Myftaraj, i cili është egzekutuar nga ana e Policisë së Gjirokastrës. Pronari i pishinës është arrestuar në flagrance nga oficeri i Policise Gjyqësore i Komisariatit të Policisë Gjirokastër. Veprimet janë asistuar nga prokurorja e gatshme.

15-vjeçari Arber Peçi kishte shkuar me shokët për t’u larë në pishinë dhe pas kontaktit me temperaturën e ujit, nuk është ndjerë mirë, duke mbetur në fund të pishinës. Infarkti dyshohet se është shkaku i vdekjes se adoleshentit, megjithatë pritet dhe raporti mjeko-ligjor.

I mituri shkoi në pishinë nën shoqërinë e dy shokëve të tij. Teksa këta të fundit u ulën në shazllonët përbri pishinës, Arbri u zhyt në ujë. Pas pak sekondash, Arbëri me xhestikulacione kërkoi ndihmë. Askush nuk hyri në ujë për t’i dhënë ndihmën e parë, deri në momentin që ndërroi jetë. Pas kësaj, dy shokët e tij ngritën alarmin dhe më pas u lajmërua Policia e Gjirokastrës e cila mbërriti në vendngjarje.

Mësohet se pas ngjarjes, nisën hetimet edhe ndaj subjektit me pishina, për mos-përmbushjen e kushteve për funksionimin e saj dhe sigurinë e qytetarëve, me instruktorë apo ekspertë shpëtimi në rast rreziku.

Deri tani raportohet se janë shoqëruar në Polici edhe shtatë persona të tjerë, prej të cilëve dy shokët e të ndjerit dhe anëtarë të personelit të pishinës.


Lajmi kryesor:

Gjirokastër/ Mbytet në pishinë 15-vjeçari, dyshohet se pësoi infarkt! Arrestohet pronari i biznesit, bashkëshorti i nënkryetares së bashkisë (EMRAT)