KAVAJË- Pas tragjedisë që ndodhi mesditën e djeshme në plazhin e Vilë-Bashtovës ku u mbytën babai Elvis Halilaj, bashkë me 2 djemtë e tij të mitur, 13 dhe 17 vjeç, policia ka arrestuar sot Pëllumb Nikën, administrator në pjesën e plazhit ku u mbytën 3 familjarët.

34-vjeçari, i cili kishte marrë me qira në bashkinë e Rrogozhinës, administrimin e parcelës së plazhit, nuk kishte plotësuar kushtet e sigurisë sipas kontratës së lidhur me mes operatorit ekonomik dhe Agjencisë Kombëtare të Bregdetit.

Nga një vëzhgim që kreu Report Tv pak pas tragjedisë me 3 të mbytur, shihej se kulla e vrojtimit ngjante me një skelet hekuri të braktisur dhe pa asnjë funksion, ndërsa mungonin të gjitha pajisjet për t’u ardhur në ndihmë pushuesve në rast rreziku për tu mbytur. Po ashtu mungonte edhe roja bregdetare.

Si ndodhi tragjedia me 3 të mbytur?
Babai Elvis Halilaj dhe dy djemtë e tij të mitur 13 dhe 17 vjeç, humbën jetën tragjikisht mesditën e së dielës në plazhin e Vilë-Bashtovës. Ata kishin udhëtuar nga Tirana për plazh në fundjavë, ndërsa nuk arritën të dalin dot nga deti për shkak të rrymave të forta detare. Nga sa u raportua babai u fut në det që të shpëtonte dy djemtë e tij të mitur dhe ka mbetur edhe vetë i mbytur. Mësohet se i pari që është mbytur ka qenë djali i vogël, e më pas babai me djalin e madh. Burime për Report TV thanë se të tre viktimat kanë shkuar thellë me not dhe deti ka qenë i trazuar, por në zonë nuk kishte as vrojtues plazhi. Mungesa e rojës bregdetare është shkelje ligjore, gjë që solli edhe arrestimin e 34-vjeçarit Pëllumb Nika. Trupi i parë i pajetë që u nxor nga deti ishte i 50-vjeçarit Elvis Halilaj, më pas kanë nisur kërkimet për gjetjen e trupave të dy fëmijëve të tij të mitur.

Plazhi Vilë-Bashtovë ndodhet (44.5 km) larg qytetit të Durrësit, përkatësisht 38 minuta me automjet, në fshatin Gosë të Rrogozhinës.