TIRANE - Ministria e Drejtësisë, përmes një komunikate për shtyp njofton se ka ndërmarrë hartimin e projektligjit “Për Sistemin e Vlerësimit të Gjyqtarëve”, i cili do të bëjë të mundur që vlerësimi i gjyqtarëve të bëhet përmes një Komisioni të posaçëm pranë KLD-së.
 
Siç mësohet nga komunikata për shtyp, vlerësimi i gjyqtarëve do të bëhet në dy nivele, në gjykatë dhe në komision. Kështu gjyqtari do të plotësojë një formulari përkatës duke bërë vetëvlerësimin profesional dhe etik të punës. Ky vetëvlerësim do t’i kalojë kryetarit të Gjykatës së Shkallës së Parë dhe i cili nga ana e tij do të bëjë një vlerësim të gjyqtarit në formën e një akti të shkruar, duke u bazuar edhe në formularin e vetëvlerësimit të gjyqtarit. Më pas materialet do t’i kalojnë Komisionit të Vlerësimit të Gjyqtarëve.
 
Anëtarë të këtij Komisioni do të jenë Kryetari i Gjykatës së Lartë, Kryeinspektori i Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe 9 gjyqtarë të të gjitha niveleve të zgjedhur nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare.
 
Në ndryshim nga sistemi i vjetër, ky projektligj ia heq kryeinspektorit të KLD-së detyrën për të përgatitur projektaktin e vlerësimit që në shumicën e rasteve linte vend për subjektivitet.
 
Sipas Ministrisë së Drejtësisë, ky projektligj vjen në kuadër të reformimit të sistemit gjyqësor si një prioritetet e këtij institucioni, ndërsa sipas ministrisë është konstatuar se për vitin 2013 KLD i është referuar për vlerësim performancës së gjyqtarëve në vitet 2005-2006. 

Më poshtë risitë e projektligjit “Për Sistemin e Vlerësimit të Gjyqtarëve në Republikën e Shqipërisë”:

1. Rregullimi i sistemit të vlerësimit me ligj jep garanci për objektivitetin e procesit dhe i jep rëndësinë e duhur për zbatimin e tij.

2. Në ndryshim nga sistemi aktual sistemi i ri i vlerësimit përqendrohet në vetëvlerësimin e gjyqtarit duke kombinuar në këtë mënyrë bashkë-ekzistencën ndërmjet vlerësimit dhe vetëvlerësimit dhe siguruar që vlerësimi të jetë objektiv dhe transparent.

3. Vlerësimi bëhet nga Komisioni i vlerësimit të gjyqtarëve në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Komisioni i vlerësimit përbëhet nga Kryetari i Gjykatës së Lartë, Kryeinspektori i Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe 9 gjyqtarë të të gjitha niveleve të zgjedhur nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare. Ky konfigurim korrespondon me anëtarët e KLD-së, por janë përjashtuar Presidenti i Republikës dhe Ministri i Drejtësisë, pasi janë autoritete politike.

4. Procesi i vlerësimit zhvillohet në dy nivele, në gjykatë dhe në komision. 

5. Gjyqtari bën vetëvlerësimin profesional dhe etik të punës së tij, duke plotësuar formularin dhe tabelat statistikore, dhe i dorëzon pranë kryetarit të gjykatës në të cilën ushtron veprimtarinë, brenda datës 31 janar të çdo viti. 

6. Kryetari i Gjykatës së Shkallës së Parë dhe Kryetari i Gjykatës së Apelit, bën vlerësimin e gjyqtarit në formën e një akti të shkruar, duke u bazuar edhe në formularin e vetëvlerësimit të gjyqtarit, përshkruan veprimtarinë e gjyqtarit, duke bërë një vlerësim të respektimit të disiplinës në punë, të solemnitetit në gjykim dhe të etikës.

7. Vlerësimi i kryetarit të gjykatës, i njoftohet gjyqtarit dhe ky i fundit ka të drejtën për t`u dëgjuar dhe paraqitur komentet e tij në lidhje me vlerësimin.

8. Materialet e vlerësimit i dërgohen Komisionit. Në ndryshim nga sistemi i vjetër, ky projektligj ia heq kryeinspektorit detyrën për të përgatitur projektaktin e vlerësimit që në shumicën e rasteve linte vend për subjektivitet. Inspektorati i KLD-së shërben në këtë rast si mbështetje teknike për përgatitjen e dokumentacionit pranë Komisionit. Komisioni brenda 90 ditëve nga përfundimi i raportit paraprak të verifikimit prej Inspektoratit, shqyrton dosjen e vlerësimit të gjyqtarit apo kryetarit të gjykatës dhe projektaktin e vlerësimit, duke vendosur përfundimisht për vlerësimin e tyre.

9. Projektligji parashikon të drejtën e gjyqtarit për t`u dëgjuar nga Komisioni, ku diskutohen elementë të ndryshëm të vlerësimit të punës së tij. Ai ka të drejtë të parashtrojë kundërshtimet e tij dhe t’u përgjigjet pyetjeve të anëtarëve të Komisionit. 

10. Ndaj vlerësimit përfundimtar të Komisionit, gjyqtari ka të drejtë të ankohet, brenda 15 ditëve nga njoftimi i vendimit, në Gjykatën Administrative të Apelit, Tiranë. Për gjyqtarët e gjykatës administrative të Apelit, ankimi bëhet në gjykatën e apelit, të një rrethi tjetër më të afërt. Ky parashikim shërben si garanci për mbrojten e të drejtave të gjyqtarit që procesi të zhvillohet në mënyrë sa më transparente dhe sa më objektiv.

11. Procedura e vlerësimit të përshpejtuar, përdoret në rastet kur kërkohet transferimi i gjyqtarit apo në rastet e ngritjes në detyrë. Eleminim të mungesës së vlerësimeve për një gjyqtar që konkuron të ngrihet në detyrë. Gjyqtari i Gjykatës së Shkallës së Parë, që konkuron për gjyqtar në Gjykatën e Apelit ose në Gjykatat për Krimet e Rënda, i nënshtrohet një vlerësimi me procedurë të përshpejtuar sipas kreut III të ligjit.


Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)