Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, i ka shkruar një letër urimi për Ditën e Pavarësisë së Kosovës Presidentes, Vjosa Osmani. Në letër Biden thotë se Kosova ka bërë përparim të jashtëzakonshëm gjatë këtyre 14 viteve dhe e ka falënderuar Osmanin që ka ndarë Medaljen Presidenciale post-mortem për djalin e tij, Beau.
Biden po ashtu ka folur për dialogun Kosovë-Serbi ku tha se amerikanët përkrahin çdo përpjekje për normalizim të marrëdhënieve dhe njohjes reciproke. Presidenti amerikan ka shtuar se Kosova ka treguar lidership në skenën ndërkombëtare, duke vendosur trupa ushtarake në Kuvajt së bashku me amerikanët dhe duke pranuar refugjatët afganë.
Osmani ka thënë se është e lumtur që ka pranuar letrën nga Biden në të cilën nënvizohet përkrahja e fuqishme e SHBA-së për Kosovën. Osmani ka komentuar letrën e Biden duke cekur pikat ku ai thotë se Ksoova ka treguar lidership në skenën ndërkombëtare.
“Jam e lumtur ta ndaj me ju urimin e Presidentit Biden për ditën e pavarësisë së Kosovës – 17 shkurtin, në të cilin ai potencon se Shtetet e Bashkuara mbesin partner i palëkundur i Kosovës”, ka shkruar ajo.
Letra e plotë e Joe Biden për presidenten e Kosovës
E nderuara zonja Presidente:
Në emër të popullit amerikan, ju uroj juve dhe bashkëqytetarët tuaj me rastin e festimit të ditës kombëtare të Kosovës më 17 shkurt.
Kosova ka bërë përparim të jashtëzakonshëm gjatë 14 viteve të pavarësisë së saj, duke u shndërruar nga një demokraci e brishtë në një shtet të gatshëm për të ndarë përvojat e veta me botën, siç e demonstruar ju gjatë Samitit për Demokraci ně dhjetor. E përshëndes përkushtimin tuaj për punën e vazhdueshme dhe jetike për forcimin e institucioneve te Kosovës dhe për t'u siguruar që demokracia e Kosovës sjellë rezultate per të gjithë qytetarët e vendit tuaj. Shtetet e Bashkuara do të mbeten partner i palëkundur i Kosovës pérderisa ju përpiqeni ta luftoni korrupsionin dhe ta forconi sundimin e ligjit, të mbroni të drejtat e pakicave fetare dhe etnike, të nxisni një rritje ekonomike të drejtë dhe transparente dhe te siguroni një të ardhme të qëndrueshme energjetike.
Jemi të kënaqur që Kosova po vazhdon të ndërtojë dhe forcojë marrëdhëniet e saj pozitive me vendet fqinje dhe do të vazhdojmë të mbështesim përpjekjet tuaja drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Serbinë, të përqendruar në njohjen reciproke.
Vitin e kaluar, Kosova vazhdimisht demonstroi lidership në skenën ndërkombëtare. Nga ofrimi i strehimit të sigurt për të pambrojturit deri te forcimi i sigurisë globale dhe bashkëvendosja përkrah ushtrisë amerikane në Kuvajt, populli i Kosovës i ka dëshmuar botës trimërinë dhe bujarinë e tij. Ndërsa përballemi së bashku me pandeminė COVID-19, jam i kënaqur që Shtetet e Bashkuara patën mundësi të ofrojnë këtë muaj edhe gjysmë milioni doza të sigurta e efektive të vaksinës COVID-19 për të mbrojtur dhe ndihmuar Kosovën në ringritje nga pandemia.
Siç e dini, Kosova zě një vend të veçantë në zemrat e familjes Biden. Ju falënderoj përsëri për nderimin e madh që i bëtë djalit tim, Beau, kur i dhatë atij post-mortem Medaljen Presidenciale për Sundimin e Ligjit vitin e kaluar. Mezi pres të vazhdojmë përpjekjet tona të përbashkëta për të thelluar partneritetin në mes vendeve tona dhe për ta jetesuar te ardhmen e Kosovës si një demokraci dinamike, sovrane, e multietnike, duke zēnë vendin e merituar në institucionet evropiane dhe euroatlantike.
Ju uroj juve dhe gjithë popullit të Kosovës një festë të shëndetshme dhe të gëzueshme ndërsa ju festoni pavarësinë tuaj! Sinqerisht, Joseph R. Biden Jr.