Duke filluar nga e hëna më 18 maj, klubet e futbollit do të mund të rinisin stërvitjen direkt në grup dhe jo në mënyrë individuale, siç pati njoftuar më herët ministrja Manastirliu.
Sipas dokumentit, Ministria e Shëndetësisë i lejon klubet të rifillojnë stërvitjet por vetëm në ambiente të hapura, të cilat do të zhvillohen sipas protokollit të sigurisë të miratuar nga ISHP dhe do të inspektohen nga përfaqësues të këtij institucioni.
Në këtë mënyrë klubet dhe stafet e tyre do ta kenë më të lehtë për tu përgatitur për 3 qershorin, një datë e cila u vendos nga FSHF dhe klubet e Superligës si moment kur do të fillojë të riluhen ndeshjet e futbollit, megjithëse për këtë mungon konfirmimi i Ministrisë së Shëndetësisë.
FSHF dhe MSH zhvilluan dy takime në këtë periudhë dhe më në fund palët hartuan dhe miratuan protokollin sanitar përfundimtar që i jep mundësinë klubeve të nisin menjëherë me stërvitjet në grup.
Klubet kanë nisur prej ditësh punën për të qenë gati të zbresin në fushë që këtë të hënë, duke iu përshtatur kushteve të reja të ndikuara nga Covid-19.