Tirane- Protesta e opozitës e thirrur më 29 tetor pritet të nisë në orën 17:00.  Struktura e degëve të PD-së miratoi sot orën dhe pikat ku do të mblidhen protestuesit. Shqiptarja.com dhe report Tv zbulon skenarin.

Udhëheqësit e PD-së në qarqe kanë marrë përsipër të organizojnë qytetarët në rang qarku për të organizuar atë që Berisha e quan 'mosbindje civile' përmes bllokimit të rrethorrullimeve kryesore në Shqipëri.

Bëhet fjalë për rrethrrotullimin tek Casa Italia, Milot, Shkozet, rrethrrotullimi i Rrogozhinës, Levanit dhe Bradasheshit, informon gazetarja  Danjela Maloku.

Në mbledhjen e thirrur sot në selinë e Partisë Demokratike nga Sekretari i Përgjithshëm, Flamur Noka për drejtuesit Politik dhe kryetarët e degëve të vendit u vendos që mosbindja civile të zbresë në akset kryesore të Shqipërisë. 

Aksioni opozitar nuk do të ndalet. Në nië vend ku liritë dhe vlerat e demokracisë cënohen, rruga e vetme janë protestat dhe mos bindja civile. Të martën, më 29 tetor, ora 17:00, mosbindja civile do të zbresë në akset kryesore të vendit:
 Segmenti “Casa Italia - Sheshi Shqiponja”
Rrethrrotullimi Milot
Rrethrrotullimi Shkozet
Rrethrrotullimi Bradashesh
Rrethrrotullimi Rrogozhinë
Rrethrrotullimi Levan" shkruan Gjekmarkaj. 

Data e protestës u njoftua dhe nga kryetari i PD-së, Sali Berishë në mbledhjen e kryesisë më 21 tetor, pak orë pas arrestimit të Ilir Metës, aleatit të tij në opozitë.  Berisha e quajti arrestimin e Ilir Metës rrëmbim politik, duke thënë se Rama nxorri banditë nme uniformë për të tërhequr zvarrë kreun e PL. 

Edhe Partia e Lirisë ka njoftuar se do të jetë e pranishme në këtë protestë për të ngritur zërin kundër arrestimit të liderit të saj. 

Kur ndodhemi vetëm pak muaj nga zgjedhjet parlamentare tashmë opozita ndodhet në një situatë të vështirë, me dy liderë në hetim nga SPAK për akuzën e korrupsionit. E ndërsa Ilir Meta po hetohet nën masën e arrestit burg në qelitë e burgut 313, Berisha i marrë i pandehur pret nën masën e sigurisë 'arrest shtëpie' vendimin e GJKKO-së për dosjen e aferës Partizani. Kjo e fundit do të vendosë nëse do e cojë dosjen për gjykim apo do e kthejë në SPAK, apo do e pushojë.

Protesta e parë e asaj që nga PD quhet 'mosbindje civile' ishte më 7 tetor. Zgjati 3 orë. U vu re një orvatje pa një itinerar të qartë, ku qëllimi kryesor ishte molotovi drejt institucioneve kryesore në Tiranë dhe thyerja e reklamave nëpër rrugët e kryeqytetit. Pjesëmarrja në protestë ishte më pak se ishte paralajmëruar.  E vërtetuan edhe pamjet ekskluzive me dron që solli Report Tv.