Hetimi i SPAK ndaj Vlora Hysenit, tashmë të shkarkuar nga kreu i SHISH dhe lidhjet e saj me Ergys Agasin, është kthyer në objekt diskutimesh në komisionet parlamentare, mes përfaqësuesve të mazhorancës dhe opozitës.

Në Komisionin për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, deputeti demokrat Agron Gjekmarkaj dhe ai socialist, Ardit Bido, u përfshinë në replika për këtë çështje.

Gjekmarkaj duke folur për këtë çështje, e cilësoi situatën si tronditëse dhe ngriti shqetësime lidhur me sigurinë kombëtare.

Duke u kërkuar deputetëve socialistë që të reflektojnë për situatën, Gjekmarkaj tha se kjo ngjarje ka ndikim edhe në mënyrën e funksionimit të institucioneve të shtetit.

“Ngjarja e djeshme sigurisht është një qershi mbi atë tortë të ndyrë të skandaleve që kanë mbërthyer Shqipërinë prej 14 vitesh. Dhe është vërtet tronditëse nga përmasat. Mendoj që një punonjës drejtësie, një prokuror i përgjegjshëm, sigurisht nuk do ta merrte një vendim të tillë pa pasur qartësinë, fushëpamjen dhe gjithë informacionin që çojnë drejt një vendimi të tillë për të arrestuar drejtuesin e Shërbimit Informativ Kombëtar, që është një nga eksponentët kryesorë të shtetit. Këtu përballë kam zotin Bido, që në mos gaboj nga profesioni është historian, ose të paktën ka menaxhuar historinë nëpërmjet arkivit. Duket si shokuese, por praktikisht të bien zëvendëskryeministrat, ministra, çdo drejtor i rëndësishëm, të bjerë drejtori i përgjithshëm i Policisë, të bjerë SHIK-u, të ka rënë sistemi”, tha mes të tjerash Gjekmarkaj.

Nga ana tjetër, deputeti Ardit Bido iu përgjigj Gjekmarkajt duke thënë se do të jetë vendimmarrja e gjykatave që do të bëjë vlerësimin e plotë të situatës.

Më tej Bido e lidhi diskutimin edhe me çështjen e sigurisë kombëtare dhe kërkoi që ajo të trajtohet përtej këndvështrimeve partiake.

Por Bido, në përgjigjen e tij për Gjekmarkajn tha gjithashtu se sot Shqipëria nuk është më si dikur, kur sipas tij cënohej siguria kombëtare duke i shitur naftë Serbisë së Millosheviçit dhe rasti nuk hetohej.

“Bie dakord që zhvillimet e djeshme duhet të diskutohen, siç po ndodh në çdo komision, sepse kanë vëmendjen e opinionit publik. Nuk duhet mohuar kjo, ashtu siç nuk mohoj që dje kisha ndjesi zhgënjimi dhe habie, sepse institucionet e rëndësisë së veçantë siç është SHISH, vendosja në pikëpyetje e integritetit të tyre nënkupton risk për sigurinë kombëtare. Për këtë duhet të presim zhvillimin e hetimeve, vendimmarrjen e gjykatave për të kuptuar nëse është cenuar siguria kombëtare. Nëse do të rezultojë abuzim i detyrës, është cenim i sigurisë. Ku vjen momenti që dje u ndjeva mirë. Jemi në pikën që nuk do të ndodhë në të ardhmen që të cenohet siguria kombëtare duke i shitur naftë Serbisë së Millosheviçit dhe të mos hetohet kurrë. Që nuk do të ndodhë në të ardhmen që të vriten patriotë që luftonin për pavarësinë e Kosovës nga Shërbimi Informativ dhe të hetohen pas shumë vitesh”, tha mes të tjerash Bido.


Lajmi kryesor:

Arrestimi i kreut të SHISH, debate në Komisione! PD: Ka rënë shteti, siguria kombëtare është cenuar, të përgjigjen Rama e Begaj (VIDEO)