Javën e ardhshme pritet të miratohet Marrëveshja për Stabilizim-Asociim mes Kosovës dhe Bashkimit Europian, e cila më pas do t'u dërgohet për diskutim shteteve anëtare.
Në këtë mënyrë, mundësohet që MSA-ja të nënshkruhet para verës së këtij viti. Kështu tha përfaqësuesi i Bashkimi Europian në Kosovë, Samuel Zhbogar, për të cilin, një marrëveshje e tillë është me një rëndësi shumë të madhe në marrëdhëniet mes Kosovës dhe BE-së.
Ndërsa për eurodeputeten Ulrike Lunachek, pas nënshkrimit të MSA-së, Kosovën nuk e ndalon asgjë që të aplikojë për statusin kandidat për anëtarësim në BE.
Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur organizoi sot një forum, ku u diskutua për aspektet e kësaj perspektive. Në këtë diskutim u shtrua pyetja se çfarë do të ndodhë pas nënshkrimit të MSA-së, nëse Kosova do të mund të aplikojë për statusin e shtetit anëtar të BE-së, edhe pse ajo ende nuk është njohur nga pesë shtetet anëtare të familjes evropiane.
Samuel Zhbogar tha se, janë të përkushtuar për integrimin e Ballkanit në BE. Përfshirë këtu Kosovën, që sipas tij, është në interesin e brendshëm të Bashkimit Europian, që Kosova të vazhdojë të ecë drejt BE-së.
"Do të kemi marrëdhënien e parë kontraktuale ndërmjet Kosovës dhe BE-së. Një marrëveshje shumë gjithëpërfshirëse, që përcakton edhe dialogun politik ndërmjet Kosovës dhe BE-së", tha Zhbogar.
Nënshkrimin e MSA-së, ministri i Integrimeve, Bekim Çollaku e cilësoi si zhvillim të jashtëzakonshëm pozitiv. Fakti se një marrëveshje e tillë nuk do të ratifikohet nga pesë vende anëtare të BE-së, sipas Çollakut, nuk e zbeh këtë marrëveshje.
Ai tha se, Kosova po e kapërcen këtë sfidë dhe po futet në një fazë tjetër, që është rrugëtimi i pakthyeshëm për në BE. Ministri Çollaku tha se plani për zbatimin e MSA-së, do të jetë gati deri në fund të vitit, kur edhe pritet që BE të ratifikojë MSA-në. Ai tha se përkushtimi i Kosovës është që t'i bindin këto pesë vende për ta njohur shtetin e Kosovës, sepse siç tha ai, është në interes të stabilitetit në rajon, por edhe në interes të BE-së.
Ndërsa Gerald Knaus, themelues dhe udhëheqës i European Stability Iniciative, që ishte njëri nga panelistët e ftuar, shtroi disa propozime për Bashkimin Europian, ndër të tjera duke kërkuar që Kosova të vlerësohet si të gjitha vendet e tjera fqinje.
Sipas tij, Kosova duhet të aplikojë në Këshillin e Europës këtë vit. Këtë Kosova e bënë për t'u lidhur me mekanizmat europiane, dhe kështu sipas tij, mund të garohet me të drejtë.
Fakti që MSA me Kosovën nuk është e njëjtë si marrëveshjet me vendet tjera të Ballkanit Perëndimor dhe nuk garanton integrim të Kosovës në BE, pjesëmarrësit në këtë forum shtruan dilemën nëse Kosova do të mund të aplikojë për statusin e vendit anëtar të BE-së.
Për këtë, eurodeputetja Ulrike Lunachek, tha se nuk sheh ndonjë pengesë. "Këto rrethana nuk e ndalojnë Kosovën, që pas MSA-së të kandidojë për statusin e kandidatit", tha ajo./atsh/