Djali i vogël i Azem Hajdarit, i cili mban emrin e të atit, është shoqëruar në polici mbrëmjen e sotme në Elbasan, së bashku me 2 persona të tjerë, pasi iu gjet kanabis në makinën me të cilën po udhëtonin.

Me një njoftim për mediat, Policia bën me dije se Azem Hajdari, së bashku me dy persona të tjerë, H.Gj., 23 vjeç, banues në Tiranë dhe S.M., 19 vjeçe , banuese në Lushnje, po lëviznin me një automjet ku pas kontrollit nga Policia iu gjetën 5 doza me kanabis. Bëhet me dije se sasia e lëndës narkotike i përkiste shoferit të automjetit, H.Gj., 23 vjeç, ndërsa Hajdari dhe 19-vjeçarja janë shoqëruar në komisariat për procedurë.

 “Shërbimet e Policisë në kuadër të kontrolleve për rritjen e parametrave të sigurisë, në aksin rrugor Elbasan-Metalurgji, kanë ndaluar për kontroll automjetin tip "Audi",  që drejtohej nga  shtetasi H.Gj., 23 vjeç, banues në Tiranë.

Gjatë kontrollit të mjetit janë gjetur dhe sekuestruar në cilësin e provës materiale 5 doza lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa.

Drejtuesi i mjetit sëbashku me pasagjerët  A.H., 23 vjeç, banues në Tiranë dhe S.M., 19 vjeçe , banuese në Lushnje, janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Elbasan për veprime të mëtejshme procedurale”, njofton Policia.