TIRANË- Një i ri ka rënë në prangat e bluve të Tiranës pasi qarkullonte me armë zjarri me vete. 22-vjeçari ishte duke lëvizur me makinë kur është ndaluar nga Policia e Tiranës në rrugën “Ilia Papanikolla”, Kombinat dhe i është ushtruar kontroll.

Siç shihet edhe në pamje, 22-vjeçari Ergi Bahiti e kishte fshehur armën poshtë sediljes së makinës.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative për një shtetas që qarkullonte me armë zjarri në Kombinat, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Confirmation”.

Si rezultat i këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi E. B., 22 vjeç, banues në Tiranë.

Gjatë ndërhyrjes, në rrugën “Ilia Papanikolla”, Kombinat, shërbimet e Policisë lokalizuan dhe ndaluan automjetin që drejtohej nga 22-vjeçari, dhe gjatë kontrollit në sediljen e tij u gjet një armë zjarri pistoletë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Arma u sekuestrua në cilësinë e provës materiale bashkë me automjetin e të riut, ndërsa materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.