Lumi Osum është tërhequr në shtratin e tij por ka lënë pas dëme të mëdha në fshatrat Çiflik, Arrëz dhe në lagjen “Dafinat” të bashkisë Dimal.

Kudo shihen gjurmët e përmbytjeve: baltë dhe llucë nëpër banesa, orendi shtëpiake të shkatërruara, si dhe prodhime bujqësore të dëmtuara.

Me kamerën e Report TV kemi hyrë në disa shtëpi njëkatëshe, ku shihet se mobiljet dhe pajisjet elektroshtëpiake janë shkatërruar plotësisht.

'Ja, a bëhen më këto. Ne po rrimë me frikë dhe me ankth se mos vjen lumi. I vumë të reja mobiljet, janë bërë për t'u hedhur poshtë', tha një banore.

Ndërkohë, nën ujë ndodhen ende dhjetëra hektarë tokë në territorin e bashkisë Dimal. Grupet e vlerësimit të dëmeve dolën sot në terren, një ditë pas protestës së banorëve përpara dyerve të Bashkisë Dimal.

Banorët shprehen se janë përmbytur disa herë ndër vite dhe institucionet nuk kanë ndërhyrë për të parandaluar situata të tilla, siç është pastrimi i kanaleve kulluese dhe riparimi i argjinaturave.