Shqipëria po shihet gjithnjë e më shumë si një nga destinacionet turistike më interesante në Europë, me plazhe të bukura, qytete historike dhe çmime më të përballueshme se resortet e njohura të Mesdheut.

Gazeta britanike “The Sun” e përshkruan vendin si një “destinacion sekret”, ku vizitorët mund të gjejnë të njëjtat ujëra të kristalta, udhëtime panoramike në male dhe mikpritje të ngrohtë, por me kosto shumë më të ulët.

Sipas artikullit, një mënyrë ideale për të zbuluar Shqipërinë është një udhëtim me makinë që nis nga Tirana. Pas mbërritjes në kryeqytet, turistët mund të marrin një makinë me qira dhe të udhëtojnë nëpër qafa malore, përgjatë bregdetit dhe mes qyteteve historike.

Një nga ndalesat kryesore është Berati, qyteti i mbrojtur nga UNESCO. Shtëpitë e bardha ngrihen njëra mbi tjetrën në shpatin e kodrës dhe i kanë dhënë qytetit emrin “qyteti i një mbi një dritareve”.

Vizitorët mund të qëndrojnë edhe brenda mureve të Kalasë së Beratit, mes rrugicave me kalldrëm ku fëmijët luajnë dhe banorët shesin produkte tradicionale si vaj ulliri.

Në restorante turistët mund të provojnë verëra vendase dhe raki frutash të shoqëruara me djathëra dhe produkte të zonës, duke përjetuar gjithë procesin e kuzhinës nga prodhimi deri në tryezë.

Për ata që kërkojnë det dhe diell, shumica drejtohen drejt Sarandës, por sipas gazetës një alternativë më e qetë është Vlora. Nga aty mund të arrihen lehtësisht edhe plazhet e  me gjire të rrethuara nga pisha dhe ujëra të kristaltë që rivalizojnë destinacionet më të njohura të Mesdheut. Artikulli ndalet edhe te Tirana, që përshkruhet si një qytet plot energji, me art rrugor, kafene dhe jetë nate. Një nga zonat më të njohura është Blloku, dikur i rezervuar për elitën komuniste dhe sot një nga qendrat më të gjalla të qytetit.

Tirana

Vizitorët rekomandohen të vizitojnë edhe Bunk’Art 1 dhe Bunk’Art 2, muzetë e ndërtuar në bunkerë të periudhës së Luftës së Ftohtë, si dhe të ngjiten në Piramidën e Tiranës për pamjen panoramike mbi qytetin.

Sipas gazetës britanike, Shqipëria po ndryshon me shpejtësi, me rrugë të reja bregdetare, hotele të reja dhe një skenë kulturore gjithnjë e më të gjallë.

Megjithatë, një pjesë e bukurisë së saj mbetet fakti që ende është një destinacion relativisht i pazbuluar.

“Shqipëria nuk është Kroacia e re apo Greqia e ardhshme. Ajo ka historinë e saj  autentike dhe plot surpriza”, shkruan “The Sun”.