Edoardo Bove është gati për një rikthim të madh në fushë. Vetëm pak ditë pas ndërprerjes së kontratës me Romën, mesfushori italian ka zyrtarizuar transferimin te Watfordi, klub që militon në Championshipin anglez të futbollit.
Klubi anglez ka konfirmuar marrëveshjen përmes një njoftimi zyrtar.
“Watford ka kënaqësinë të njoftojë se ka përfunduar nënshkrimin e Edoardo Boves. 23-vjeçari ka firmosur një kontratë pesë vjeçare e gjysmë me klubin, pas ndërprerjes së ndërsjellë të kontratës së tij me AS Romën”.
Bove rikthehet në aktivitet pas një periudhe shumë të vështirë, pasi më 1 dhjetor 2024 pësoi një arrest kardiak në fushë gjatë ndeshjes Fiorentina - Inter. Mesfushori iu nënshtrua me sukses një ndërhyrjeje kirurgjikale, ku iu vendos një defibrilator në zemër, duke i hapur rrugën rikthimit në futbollin profesionist.
Tashmë 23-vjeçari është gati për një aventurë të re në Angli, me synimin për të rifituar formën dhe për të ndihmuar Watfordin në objektivat e sezonit, duke shënuar kështu një kapitull të ri në karrierën e tij. Veç Romës ai ka qenë edhe pjesë e Fiorentinës, vend të cilin nuk mund ta harrojë pas asaj që i ndodhi në fushë.
Komente








