“Isha në tren, thjesht po rrija. Papritur, dikush më erdhi pas shpine dhe më goditi me thikë.”

Futbollisti shqiptar Jonathan Gjoshe ndalet për një moment ndërsa kujton ngjarjet tronditëse të 1 nëntorit të vitit të kaluar.

Vetëm pak javë pasi kishte nisur sezonin e tij të parë te Scunthorpe United, 23-vjeçari po udhëtonte nga Doncaster drejt shtëpisë së tij në Londër. Por rreth një orë pasi kishte nisur udhëtimin, ndodhi e paimagjinueshmja.

Gjoshe ishte mes 11 pasagjerëve që mbetën të plagosur rëndë në një sulm me thikë në tren, ndërsa ai po kalonte përmes Cambridgeshire.

Ndërsa shumë shpejt u bë e ditur se Gjoshe ishte plagosur, një ngjarje që pushtoi titujt e mediave në mbarë botën, mbrojtësi zgjodhi të injoronte kërkesat e shumta të mediave që klubi mori dhe të përqendrohej në rrugën e gjatë të rikuperimit.

Por gjashtë muaj më vonë, ai më në fund është gati të flasë publikisht për herë të parë për atë që përjetoi. Dhe për arsyen tani po kërkon një klub të ri.

“Në fillim më goditën me thikë në shpatull”, i thotë ai BBC Sport në një intervistë ekskluzive. “Më kujtohet që kërceva mbi tavolinë, mbi karrige. Thjesht po vrapoja në korridor, duke u thënë njerëzve: ‘ka një person me thikë, vraponi, më kanë goditur me thikë, vraponi, vraponi, vraponi’. Po bërtisja. Mendoj se isha personi i parë që u godit me thikë. E ndjeva dhimbjen. Por adrenalina filloi të vepronte”, rrëfen ai.

Gjoshe kujton se, pavarësisht paralajmërimit të tij ndaj pasagjerëve të tjerë, “disa menduan në fillim se ishte shaka, sepse një ditë më parë ishte Halloween. Disa njerëz vrapuan, disa thjesht qëndruan ulur, por unë mendova se ai po vinte pas meje.

“Ai moment i shkurtër, fakti që kërceva mbi tavolinë, më shpëtoi. Gjithçka që mendoja ishte të vrapoja për jetën time, të zbrisja nga ai tren. Kur arrita te vagoni i parë ose i dytë, tërhoqa alarmin dhe isha i mbuluar në gjak.”

“Po mendoja se nuk do ta shihja më familjen time, nëse do të vdisja, dhe kjo ishte frika ime më e madhe”, thotë ai. “Në rrethana të zakonshme, do të kthehesha në Londër me makinë. Ishte hera e parë që mora trenin për t’u kthyer. Sa mundësi ka të ndodhë diçka e tillë? Është çmenduri.”

Treni bëri një ndalesë emergjente në Huntingdon, ku u prit nga policia. Pasi mori ndihmën e parë nga një pasagjer tjetër, Gjoshe arriti të dilte deri në parkingun e stacionit, prej nga ndihmës mjekët e dërguan me urgjencë në spital.

Vetëm pas operacionit ai mësoi se kishte marrë shtatë plagë në biceps, shpatull dhe krah. Thika, i thanë mjekët, “kishte kaluar përmes muskulit”, duke kaluar shumë pranë një nervi në krah.

Kur pyetet nëse kishte frikë se karriera e tij si futbollist mund të kishte marrë fund, ai thotë: “Isha shumë i shqetësuar. Thjesht mendoja: ‘çfarë dëmi më ka ndodhur?’ Nuk kisha asnjë ide derisa bëra operacionin. Ata më thanë: ‘Nervi nuk është dëmtuar shumë. Je shumë me fat.’”

Në ditët që pasuan, Gjoshe kujton: “Duhej të më lëviznin nga një repart në tjetrin për shkak të mediave që vinin aty duke më kërkuar.”

Pasi doli nga spitali, Gjoshe u përball me disa muaj rehabilitim, duke u rikthyer në stërvitje të plotë vetëm në mars, diçka që ai e përshkruan si “një lehtësim i madh. Filloi të rikthehej lëvizja e krahut, dita-ditës po bëhej më mirë. Ishte një ndjesi e mrekullueshme.”

Pavarësisht se e ka përballuar gjithçka me një këmbëngulje mbresëlënëse, Gjoshe nuk ka hipur më në tren që nga sulmi masiv me thikë.

“Nuk do të doja tani. Kurrë nuk i dihet. Është më mirë të jesh i sigurt. Tani nuk mund t’i besoj më asgjëje”, thotë ai.

Pasi kishte kaluar vite duke luajtur futboll në ligat e vogla në Londër, momenti i madh i Gjoshes erdhi shtatorin e kaluar kur, pasi u shpall Lojtari i Ri i Vitit te Corinthian Casuals, ai iu bashkua Scunthorpe United pa kontratë, pasi kishte impresionuar trajnerin Andy Butler gjatë fazës përgatitore.

Pasi u ngjit katër nivele në piramidën e futbollit, ai bëri debutimin me ekipin e parë kundër ekipit U21 të Leeds United në National League Cup më vonë atë muaj. Më pas u përball edhe me Middlesbrough në të njëjtin kompeticion.

Me regjistrim të dyfishtë, ai u huazua gjithashtu te skuadra lokale e ligave të ulëta Bottesford Toën për të fituar më shumë eksperiencë në ndeshje, dhe kishte luajtur për ta vetëm pak orë para se të hipte në trenin e LNER drejt Londrës.

“Tifozët e Scunthorpe hapën një ‘GoFundMe’ duke mbledhur 4,500 paund. Më ndihmoi shumë. Mbështetja që më treguan, edhe klubi gjithashtu, do të thoshte shumë për mua”, thotë ai.

Por vetëm pak ditë para takimit me BBC, Gjoshe mësoi se ishte mes disa lojtarëve të Scunthorpe që nuk do të mbaheshin në ekip. Më 8 maj, klubi publikoi një foto të tij në Instagram, duke e falënderuar dhe duke i uruar “fat për të ardhmen”.

“Natyrisht, me gjithçka që kam kaluar, humba gjysmën e sezonit… Nuk mora atë mundësi që doja”, thotë ai. “Shpresoja që të më jepnin edhe një vit tjetër për ta provuar veten. Por fatkeqësisht, nuk ndodhi. Është zhgënjyese.”

Duke e përshkruar veten si “plotësisht të shëruar dhe gati për çdo sfidë që vjen”, Gjoshe tani thotë se po “mendon vetëm të qëndrojë në formë… duke shpresuar që një klub të vijë dhe t’i japë atë mundësi”.

Gjoshe po flet për BBC Sport në një qendër futbolli “five-a-side” në jugperëndim të Londrës ku, si adoleshent, zhvilloi aftësitë me ndihmën e ish-trajnerit të tij Nigel James, i cili organizon seanca stërvitore aty.

Babai i Reece dhe Lauren James, të cilët Gjoshe i konsideron miq të ngushtë, ka një sy të mprehtë për talentin futbollistik. Ai beson se Gjoshe ka atë që duhet për të vazhduar karrierën, pavarësisht goditjes që mori me largimin nga klubi.

“Fatkeqësisht, ky është futbolli, dhe ndonjëherë kështu është jeta”, thotë James. “Ai është si pjesë e familjes. Jam krenar për të, për mënyrën se si e ka kaluar këtë situatë. Jam i sigurt se do të ketë edhe mundësi të tjera, sepse unë besoj tek ai. Është lojtar shumë i mirë dhe njeri i mirë. Gjithçka varet nga fakti që dikush t’i japë një mundësi, dhe Jonno ta shfrytëzojë atë.”

Muajin e kaluar, Anthony Williams, 32 vjeç, u akuzua për 10 tentativa vrasjeje gjatë incidentit të 1 nëntorit dhe pritet të dalë në gjyq në tetor.

Ndërkohë, Gjoshe është i vendosur t’i shohë gjërat me pozitivitet, në vend që të ndalet te kthesa mizore e fatit që i ndërpreu karrierën futbollistike.

“Dëgjo, ndodhi, kështu është jeta, falë Zotit jam gjallë”, thotë ai, kur pyetet se si arrin ta bëjë. “Nuk mund të rrish duke parë pas, duhet vetëm të vazhdosh përpara. E vetmja gjë që kisha në mendje ishte rikthimi në futboll dhe shpresa që do ta merrja atë mundësi. Ke vetëm një jetë. Çdo gjë mund të ndodhë… kështu që duhet ta shfrytëzosh sa më mirë. Dhe kjo më ka shtyrë të luftoj çdo ditë”, përfundon Gjoshe.