Një hetim i BBC-së ka zbuluar se burra po filmojnë fshehurazi vajzat gjatë daljeve të natës dhe më pas po fitojnë para duke publikuar videot në internet, mes tyre edhe dy vëllezër shqiptarë.
Videot, që shpesh përshkruhen si “shëtitje” ose “përmbajtje jete nate”, publikohen në YouTube, TikTok, Facebook dhe Instagram. Ato fokusohen pothuajse tërësisht te gratë me fustane ose funde, shpesh të filmuara nga pas ose nga kënde të ulëta, duke zbuluar herë pas here pjesë intime të trupit.
BBC identifikoi gati 50 vajza që ishin filmuar dhe zbuloi se shumë prej tyre nuk ishin në dijeni të asaj që kishte ndodhur. Ato shprehën ndjenja frike dhe poshtërimi.
Një 21-vjeçare, e cila ishte filmuar nga një kënd i ulët që i zbulonte fundin, tha se pamjet e publikuara pa pëlqimin e saj e kishin ndikuar aq shumë sa tani ndihet paranojake sa herë që del nga shtëpia.
BBC ka identifikuar më shumë se 65 kanale online me këtë lloj përmbajtjeje, videot e të cilave janë parë mbi tri miliardë herë gjatë tre viteve të fundit. Videot fokusohen në dalje nate në qytete të mëdha në mbarë botën, përfshirë Londrën, Oslon, Miamin dhe Bangkokun, por një nga vendndodhjet më të shpeshta është Mançesteri.
Ekipi u infiltrua dhe fimooi burra teksa regjistronin fshehurazi gra gjatë mbrëmjeve, duke ekspozuar disa nga operatorët më aktivë, të lidhur me 12 llogari. Mes tyre kishte një shofer taksie lokal dhe dy burra që kishin udhëtuar nga Suedia për të filmuar në Mbretërinë e Bashkuar. Dy burra të tjerë, kanalet e të cilëve janë të bazuara në Norvegji dhe Monako, u panë duke filmuar, por identitetet e tyre nuk u konfirmuan.
Një hetim tjetër i BBC-së muajin e kaluar zbuloi se influencuerë që pretendojnë se japin këshilla për flirtim, përdorin syze inteligjente për të regjistruar biseda me gra dhe më pas i publikojnë pamjet online. Ministrja e Brendshme, Shabana Mahmood, tha se qeveria nuk do të tolerojë përdorimin e teknologjive të reja për të krijuar më shumë dhunë dhe ngacmime ndaj grave dhe vajzave.
Nuk është krim të filmosh në hapësira publike, por një avokat i specializuar në abuzimin përmes imazheve tha se këto video bien në një “zonë gri” ligjore dhe mund të shkelin ligjet për ngacmim.
Disa nga videot në YouTube mbeten ende të disponueshme. Platforma çaktivizoi dy llogari. TikTok ka hequr katër kanale. Videot në Facebook dhe Instagram mbeten aktive. Disa nga kanalet më të njohura kanë grumbulluar mbi 200 milionë shikime.
“Shikoni si janë veshur këto vajza, s’është çudi që sulmohen”, “rrugaçe”, janë disa prej komenteve denigruese në këto video.
Ndërsa shumë nga vajzat në video ishin relativisht të lehta për t’u identifikuar, burrat që drejtonin kanalet ishin më të vështirë për t’u gjetur. Ata nuk përdorin emrat e tyre të vërtetë online, por disa u identifikuan përmes të dhënave publike.
Një prej tyre është Florjan Reka, 35 vjeç, i cili jeton në Suedi. Kanali i tij në Youtube numëron gati 200 milionë shikime dhe 399 mijë abonentë, dhe ka gjithashtu një faqe në Facebook me mbi 600 mijë ndjekës. Hetimi zbuloi se e kishte regjistruar kanalin si biznes në Suedi, ku pretendon se kryen “aktivitete influenceri, marketingu dhe reklame”. Ai u identifikua duke ecur në rrugët e Mançesterit me vëllanë e tij, Rolandin duke filmuar vajzat.
Në ditët pasuese, video të reja nga rrugët e Mançesterit filluan të shfaqeshin në disa llogari të rrjeteve sociale që BBC i lidhi me Florjan Rekën. Pamjet përputheshin me këndet nga të cilat ai u pa duke filmuar
Në një video, një vajzë shihet duke u përpjekur të tërheqë fundin që i kishte rrëshqitur. Në të tjera, largoheshin ndërsa kamera i filmonte nga kënde të ulëta, duke u zbuluar të pasmet. Në një video në faqen e Facebook-ut të Florjan Rekës, kamera ndalet te dekolteja e një gruaje ndërsa ajo rregullon bluzën. Në asnjë nga videot, gratë nuk duken të vetëdijshme se po filmohen.
Reka refuzoi çdo mënyrë dhe kanal komunikimi me median britanike.
Gjatë Halloween-it në Mançester, u konstatuan tre burra të tjerë duke filmuar vajza. Ata dukeshin se njiheshin mes tyre, edhe me vëllezërit Reka sepse ishin parë duke biseduar me të.
Dean Hill ishte një taksist 36-vjeçar, i cili poston përmbajtje të ngjashme me vëllezërit shqiptarë, por mohoi fort se nuk bën asgjë nga këto. Edhe një tjetër, por i paidentifikuar, mohoi ta kishte bërë pasi tha se filmonte vetëm video nga jeta e natës, madje kishte fshirë postime.
Policia nuk ka akuzuar asnjë prej tyre për veprimtari kriminale.
YouTube ka çaktivizuar dy llogari të lidhura me Florjan Rekën pasi u kontaktua nga BBC. Në një postim në X, Florjan Reka i kërkoi YouTube-it të rishikonte vendimin, duke thënë se ai publikon vetëm “video shëtitjeje publike”.
Youtube thotë se zbaton “me rigorozitet” udhëzimet e komunitetit dhe shton se në fund të vitit 2025 hoqi 1.8 milionë video për shkelje të politikave të ngacmimit.
Llogaritë e tjera mbeten online. Njëri prej tyre duket se ka ndryshuar emrin e kanalit, ndërsa një tjetër ka hequr gjithë përmbajtjen. TikTok ka fshirë katër kanale.
Kanalet e dërguara drejt Metas mbeten aktive sepse kompania thotë se ka hequr përmbajtje që shkelte politikat e saj.
Komente







