Edi Rama është shprehur se fuqia e tij si kryeministër përfundon aty ku fillon fuqia e gjykatave.

Komentet Rama i bëri gjatë një takimi me banorët e fshatit Zvërnec të Vlorës, ku pritet të kryhet ndërtimi i një resorti, teksa po replikonte me kryeplakun e fshatit Zvërnec, Kostaq Konomi.

Konomi, i cili pretendon se është pronar një një pjesë të tokës ku do të kryhet investimi në Zvërnec, tha se prona i ishte marrë padrejtësisht në vitin 2006.

Duke iu përgjigur Konomit, Rama tha se ndarja e të drejtës pronësore bëhet me vendim të gjykatave dhe jo të qeverisë. Me batuta Rama i këroi Konomit që të mos e shtynte që të fliste kundër gjykatave, pasi sipas kryeministrit, në këtë mënyrë do ta fuste në konflikt me Bashkimin Europian.

Konomi: Çështja e Zvërnecit është një problem pak kompleks, por që duhet zgjidhur. Me ardhjen e demokracisë, neve... Unë mora letër dhe ma hoqe me të padrejtë.

Rama: Kush ta hoqi?

Konomi: Dikush tjetër.

Rama: Unë jam këtu për t’u vendosur fytyrën gjërave për të cilat përgjigjem vetë. Dhe po të më kishit zgjedhur më përpara, ndoshta do të kishin ecur gjërat më mirë. Po të më kishit zgjedhur më parë, ndoshta do të kishin shkuar gjërat më mirë.

Konomi: Të ma rrëmbesh mua në 2006-ën? Po ai që bleu tokën në Zvërnec, qysh e bleu ai? Kur toka ishte e grabitur edhe është në gjyq?

Rama: Po ule pak mikrofonin, se kur e mban mikrofonin ashtu, nuk pret të më dëgjosh, por duket se do më godasësh. Ti ke një shtëpi dhe në letra figuron e jotja. Ndërkohë 2 vëllezërit e tu të kanë hedhur në gjyq, sepse ti pretendon se shtëpia është e tyre. Ti thua ‘kjo shtëpi është e imja’, ata thonë ‘babai ty të ka bërë lanet’.

Konomi: Mua duhet të ma zgjidhë problemin shteti. Jo të bredh unë gjyqeve, kam që në 2006 që bredh gjyqeve e paguaj para kot.

Rama: Ai pushtet duhet të ta thotë, nuk ta them dot unë. Fshatari ka të drejtën e vetë të thotë ‘unë kam këtë letër’. O vlla do të më bësh mua të shaj gjykatën? Unë gati jam, por do më prishësh punë me Europën. Po mos më fut në sherr me Europën prapë. Unë gati jam të bashkohem me ty. Po mirë ti thua ‘hajde bashkohemi bashkë t’i gjejmë shtëpinë gjykatësit?’. Po e kapëm ne gjykatësin, të na bashkohet edhe ky tjetri, gjykatësi nuk ka asnjë shans. Por kjo është demokracia? Unë di këtë, fuqia ime si kryeministër mbaron aty ku fillon fuqia e Gjykatës. Mos më fut mua tani që të shajmë gjykatat, sepse po ndenjtëm ne këtu duke u marrë me ta, do na kapin të dyve pastaj.


Lajmi kryesor:

Rama takim me banorët e Zvërnecit: Do merrni paratë nëse gjykata do ju njohë si pronarë! 500 mijë veta të dalin në protestë, s’mjaftojnë për të ndalur projektin