Më në fund Albini ia doli, arriti ta ‘humbë’ Veriun e Kosovës

Më në fund Albini ia doli, arriti ta ‘humbë’ Veriun e Kosovës

Albin Kurti

Ndodhi ajo që ishte paralajmëruar më parë dhe për të cilën Albin Kurti kishte ‘punuar’ fort përmbi dy vite me radhë për ta ‘realizuar’, gjithnjë nën ‘okelion’ e vendosjes së kontrollit të plotë mbi të gjithë territorin e Kosovës.

Veriu praktikisht është jashtë juridiksionit të njësive speciale të Kosovës, të cilët nga sot e tutje për një periudhë pa caktim nuk kanë të drejtë të shkelin në asnjë prej 4 komunave me shumicë serbe. Ose mund të lejohet me ‘pikatore’ nga KFOR. U ‘copëtua’ kryeministri Kurti për shumë kohë dhe më në fund ia ‘doli’ me sukses.

U përplas me SHBA, aleatin më të fuqishëm falë të cilit Kosova u çlirua nga okupimi serb dhe shqiptarët shpëtuan njëherë e mirë nga genocidi, u përplas me BE, Britaninë, aleatët e natyrshëm europianë, që bashkuan dhe ata forcat me SHBA për ta çliruar Kosovën, duke e bërë shtet, por dhe po e financojnë e garantojnë sigurinë, si dhe janë përpjekur për ta orientuar fort drejt anëtarësimit në strukturat euroatlantike.

Albin Kurti arriti që për dy vjet të zhbëjë gjithë mundin, djersën dhe sukseset 24 vjeçare të paraardhësve të tij, të cilët e kishin ngritur Kosovën në stadin e pretendimit për të hapur negociatat me BE dhe hyrjen në ‘paradhomën’ e NATO-s, deri në atë shkallë sa të organizohej dhe stërvitja më e madhe e Aleancës në territorin e Kosovës, “Defender 2023”. Të cilën e dështoi me shumë ‘sukses’ Kurti, duke detyruar SHBA që ta përjashtonte nga stërvitja ushtrinë e Kosovës.

Kosova u ‘ngujua’ falë armiqësisë së Kurtit me partnerët ndërkombëtarë, ndërsa kryeministri vetë është më i izoluar se kurrë pasi askush nuk e pret dhe as i shkon në zyrë, përpos disa përfaqësuesve të ambasadave të nivelit të dytë dhe të tretë. Thjeshtë dhe vetëm për të mbajtur kontaktet formale, në ‘zgrip’ dhe ato.

Kosova u rikthye në pikën e nisjes, në ato vite të largëta të pas-çlirimit dhe pas-shpalljes së pavarësisë së saj zyrtare: Veriu i Kosovës doli nga kontrolli i saj, tashmë është në duart e KFOR dhe asnjë këmbë polici special shqiptar nuk kalon në pjesën e veriut, në territorin e 4 komunave me shumicë serbe, as të shoqëruar nga forcat e KFOR.

Kjo është konfirmuar të hënën e sotme, teksa KFOR-i kishte vendosur ‘traun’ në hyrje të Leposaviqit, e ka ndaluar Njësinë Speciale të Kosovës të shkojë në këtë komunë. Njëherësh, KFOR vazhdon të kontrollojë hyrje-daljet në Leposaviq dhe ka vendosur një bllokadë tek baza e “Nothing Hill”.

Madje ushtarët e KFOR po pyesin të gjitha njësitë e Policisë së Kosovës për rolin e tyre dhe për këtë vendim është njoftuar edhe vetë kryeministri Albin Kurti, i cili deri më tani nuk ka dhënë asnjë shpjegim për mediat, duke pranuar në heshtje me sa duket ‘kufirin’ e ri të vënë nga KFOR, brenda territorit të Kosovës.

Por bëhet me dije se KFOR ka marrë vendim për të mos lejuar dhe ministrat e zyrtarët e lartë shtetërorë që të vizitojnë kryetarin e ‘bllokuar’ në Lepasoviç, duke argumentuar se një vendim i tillë është marrë për shkak se vizita të tilla mund të provokojnë situatën aktuale e cila është e tensionuar dhe se nuk ka siguri për veprime të tilla.

Mbetet mister se çfarë do të bëjë këtej e tutje kreu i zgjedhur i komunës, përfaqësues shqiptar, i ngujuar në selinë komunale, ku ha, pi e flë pikërisht në zyrat e ndërtesës së Komunës Leposaviç, pavarësisht thirrjeve të ndërkombëtarëve ndaj Kurtit për të gjetur akomodim në një godinë tjetër, jashtë perimetrit të godinës zyrtare.

Por masa drastike për Kosovën ka mbërritur. Pas bllokimit të fondit të BE prej 400 milionë euro në kuadër të mbështetjes për Ballkanin Perëndimor, pas izolimit të Kurtit nga aleatët, të cilët as i çojnë ftesë për ta pritur dhe as e takojnë në Prishtinë, tashmë ka ardhur dhe masa tjetër, akoma më e rëndë, mos-lejimi i trupave seciale të Kosovës për të shkuar në Veri. Ndoshta mund të vënë ‘dorën në zemër’ dhe mund të lëvizin një numër i caktuar dhe në ditë të caktuara me lejen apo shoqërimin e KFOR, trupave të NATO-s të udhëhequr nga SHBA të instaluar në shtetin më të ri shqiptar në Europë për të garantuar sigurinë e saj.

Ishte i pritshëm ky veprim, pasi Kurti po vepronte si njësitë më vete, pa u konsultuar as me ndërkombëtarët as me krerët e partive në Kosovë, as me kreun e shtetit amë dhe homologun e tij Edi Rama. Jo vetëm kaq. Por Kurti dhe gjithë masa e ‘patriotëve’ të rrjeteve sociale dhe e vartësve të tij në parlament e qeveri, kishin bërë ‘tabelë qitjeje’ KFOR-in për rrëmbimin nga forcat speciale serbe të tre policëve që po luftonin kontrabandën në veri të Kosovës, duke e akuzuar NATO-n për heshtje, për mefshtësi dhe etiketime të tjera. Madje dhe duke bërë ironi, pikërisht me ata që e çliruan 24 vite më parë dhe sot garantojnë sigurinë e Kosovës dhe mbajnë Kosovën në këmbë, përmes financimeve dhe mbështetjes në të gjitha planet.

Ndërkohë që Kurti e ministri i tij i Brendshëm ende nuk kanë dhënë një shpjegim se çfarë donin tre policët afër kufirit, kush dha urdhër të lëviznin për atje dhe pse nuk i morën leje KFOR sipas marrëveshjes kornizë të Kumanovës. Çka e detyroi KFOR-in të ngrinte ‘traun’ në Veri.

Kurti funksionon në “dhënie” jo në “marrje”. Kjo po e merr më qafë Kosovën, e cila krahas izolimit të qeveritarëve të saj, bllokimit të ndihmës financiare, tashmë po humb dhe kontrollin mbi Veriun e vendit. Pikërisht ‘targetin’ mbi të cilin Kurti ka ngritur ‘aksiomën’ e tij ‘patriotike’, i mbështetur dhe nga Vetëvendosja dhe vende vende dhe nga presidentja Vjosa Osmani.

E kemi përsëritur deri në bezdi se Kurti nuk dëshiron ta nënshkruajë marrëveshjen e Ohrit, e cila ka një pikë për zbatim: Asociacionin e komunave serbe në Veri. Madje Kurti nuk ka shkruar as variantin e tij sikurse ia kanë kërkuar me këmbëngulje aleatët e mëdhenj, të cilët i kanë vënë dhe afate, duke ia paraqitur si kusht për zgjidhjen e krizës në Veri. Kurti këmbëngul në refuzim.

Ndërkohë që Aleksandër Vuçiç e refuzon në mënyrë më të ashpër, por duke bërë viktimën para ndërkombëtarëve dhe duke ia hedhur fajin Kurtit. I cili ka marrë gjithë koston e tensionimit të situatës në Veri për shkak të përplasjes së policisë së Kosovës me protestuesit serbë në katër komunat e Veriut. Nuk e diskutojmë se në përbërje të këtyre protestueseve kryesorët janë nga Beogradi, por Vuçiç si ‘skile’ e vjetër e politikës, ia doli që ta lërë Kurtin axhami dhe ‘nevrik’ të vetëm përballë SHBA, Britanisë e BE-së, ta paraqesë atë si bllokuesin e dialogut Kosovë-Serbi.

E kemi thënë se sa të jetë Albin Kurti kryeministër, Kosova poshtë e më poshtë do të bjerë, pasi deliri i tij i madhështisë, mistrecllëku dhe, nuk na e nxë goja ta themi por është e vërtetë, armiqësia e tij me çfarë është arritur më parë në Kosovë nga paraardhësit e tij, është arritur jo pak, e kanë degraduar situatën deri në atë far feje sa vetë Kurti e qeverisja e tij janë bërë të pabesueshëm, deri në atë shkallë sa të vihet në diskutim dhe hyrja në Veri të njësive speciale të Kosovës. Me argumentin se krijon tension. Kjo nuk ishte parë as në ëndrrën më të keqe.

Ka degraduar në atë shkallë, sa që në Kosovë të mos diskutohet më rritja e shkallës së njohjeve, veçanërisht të 4 vendeve të BE që nuk e kanë njohur, integrimi në strukturat euro-atlantike, por të diskutohet mbijetesa e shtetit. Por dhe të barazohet apo të shkojë më poshtë perceptimi e mbështetja ndërkombëtare për Kosovën në raport me Serbinë, mbi të cilën 24 vite më parë NATO hodhi bomba pa kursim për të shpëtuar shqiptarët e Kosovës nga genocidi.

Ja që Albin Kurti ia arriti ta zhvlerësojë Kosovën deri në limitet e fundit, duke e rikthyer në pikën e nisjes dhe duke u vënë në dilemë partnerët për mbështetjen e mëtejshme si shtet. Praktikisht një pjesë të Kosovës e vunë nën kontroll trupat e KFOR-it, pa lejuar specialët e Kosovës të hyjnë lirisht, si përgjigjie ndaj refuzimit të Kurtit për t’i pyetur. Tani Kurti hesht.

Nuk e dimë se si do ta argumentojë këtë regres në funksionimin e shtetit të Kosovës nën qeverisjen e tij në raport me partnerët, izolimin e thellë në të cilin e ka zhytur Kosovën Kurti, i cili po tenton të luajë për një grusht vota me kartën e ‘patriotit’. Bashkë dhe me ‘patriotët’ e tij në VV, qeverisje apo dhe në rrjetet sociale, në të dy anët e kufirit. Duke mbërritur deri në Tiranë për të protestuar me ato 50 vetë përpara selisë së kryeministrit Edi Rama.

Protestoi vetëm pse kreu i qeverisë shqiptare dorëzoi një draft-statut për asociacionin në kancelaritë europiane, jo në Beograd dhe as në Moskë. U zemërua Albini shumë, dhe akoma më shumë me anulimin e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive në Gjakovë, ku Rama e shpjegoi qartë se nuk duhet të bëjmë sikur s’ka ndodhur asgjë. U zemërua Albini me Ramën pse s’braktisi aleatët SHBA, Britani e BE, për t’iu bashkuar ‘luftës’ së tij ndaj partnerëve ndërkombëtarë.

Ka njoftime, ende jo zyrtare, se qendra e negociatave mes Serbisë dhe Kosovës do zhvendoset nga Brukseli në Uashington. Dhe ky është një shembull i qartë se SHBA e ka marrë seriozisht, por është dhe në vazhdën e vendimit të sotëm të KFOR për të mos lejuar specialët e Kosovës të shkelin në katër komunat e Veriut, me shumicë serbe. Që praktikisht, shënon ‘humbjen’ e Veriut.

Pikërisht zhvendosja e negociatavedhe marrja në dorë e tyre nga SHBA është një problem për Kurtin. Uashingtoni nuk zvarrit, ta pret shkurt, pa burokraci dhe pa diplomaci. Aq më tepër që Kurti dhe anëtarët e kabinetit të tij qeveritar gjasat janë që të mos shkelin në SHBA as për negociatatat. Në kuadër të masave, për shkak të refuzimit të Asociacionit, të shtensionimit të situatës në Veri, të tërheqjes së specialëve dhe të atyre dy kryetarëve komunalë që kanë mbetur.

Gjasat janë që negociatat t’i kryesojë presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, e cila këto ditët e fundit ka qënë jashtë linjës së përplasjes me ndërkombëtarët, të vendosur nga Albin Kurti. Sa do ta pranojë Kurti një anashkalim të tillë, duke u mbajtur pas teknicialiteteve dhe burokracive kushtetuese për të bllokuar negociatat, kjo mbetet për t’u parë.

Në fund të herës, ajo që mund të themi është se Kurti tashmë nuk shihet më si partner nga aleatët në zgjidhjen e krizës në Veri mes Serbisë dhe Kosovës. Eshtë i pabesueshëm, sepse tjetër thotë në takime zyrtare dhe tjetër vepron në të vërtetë. Sa do e përballojë Osmani peshën e negociatave dhe mbi të gjitha furinë e sulmeve që janë gati për të shpërthyer nga Kurti dhe mbështetësit e tij mbetet për t’u parë.

Gjithsesi kjo mbetet zgjidhja e vetme institucionale për të tejkaluar krizën në Veri. Pasi Kosova ka prekur fundin: Veriu është nën kontrollin total të KFOR, si asnjëherë tjetër, pa këmbë speciali të Kosovës. Mbetet në “humorin” e KFOR që t’i lejojnë të shkojnë në Veri, sikurse bënë sot, duke i lejuar disa përmes ‘selektimit’ dhe përjashtuar lëvizjen e zyrtarëve të Kosovës. Por tashmë sinjali u dha. Kurti e ‘humbi’ Veriun. Ndërkohë që, deri më tani opozita, si gjithnjë hesht. Por dhe ‘patriotët’ e rrjeteve sociale. Madje dhe kryetarja e grupit të VV, nuk është treguar luftarake.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sunny tirana: 19/06/2023 21:43

    Albini po e merr ne qafe kosovsn. Nje koke me qoshe qe nuk degjon asnje dhe vepron kunder te gjitheve.

    Përgjigju
    • Arbëri: 20/06/2023 10:24

      O bilar e Miladin Popviçit merruni më Serbien e Juan ju!

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë