As Interi nuk arriti të ndalë Juventusin e Allegrit, që triumfoi me rezultatin minimal 1-0 në derbin e Italisë, duke vijuar të mbetet e pathyeshme në këtë sezon të Serisë A italiane. Nuk shënojnë Cristiano Ronaldo dhe Mauro Icardi, goleadorët respektivë të skuadrave, por ishte veterani kroat Mario Mandzukic, ai që vendosi fatin e takimit, duke gjetur golin e vetëm të sfidës.
Në një ndeshje shumë të luftuar si Juventus ashtu edhe Inter luajtën hapur dhe për fitore. Në një sfidë me një temp shumë të lartë, Interi tregoi se tashmë është një skuadër e fortë duke e vënë në vështirësi Juventusin, edhe pse luhej në Torino. Ndeshja nisi mirë për të zotët e shtëpisë, që iu afruan disa herë kërcënueshëm kuadratit të Handanoviç, por pa mundur të vënë në provë aftësitë e portierit. Shkëndija e parë erdhi nga Giorgio Chiellini, i cili u shkëput në zonë dhe gjuajti bukur me kokë një top të ardhur nga këndi, por portieri slloven i Interit reagoi mjaft mirë. Më pas ishte radha e zikaltërve, që në harkun e dy minutave, krijuan dy mundësi të arta shënimi, teksa në rastin e parë, ishte gagliardini që pasi u shërbye mirë në zonë, gjuajti, por topi u ndal në shtyllën pingule të Szczesny-t. Aksioni i radhës nisi nga një top që Skriniar i rikuperoi Ronaldos dhe avancoi deri në zonën bardhezi, por gjuajta e Perisiç ishte për t’u harruar, me topin që shkoi jashtë kuadratit, ndonëse mund të bënte shumë më mirë.
Goli për bardhezinjtë erdhi në minutën e 66’, kur ish mbrojtësi zikaltër, Joao Cancelo veproi bukur në krahun e djathtë dhe krosoi një top në dukje pa pretendime në zonë, por që u shfrytëzua mjaft mirë nga Mandzukiç, që e dërgoi në rrjetën e portës së Interit.
Reagimi i zikaltërve ishte i menjëhershëm, me Spalletti-n që përforcoi sulmin duke aktivizuar Keita Balde dhe Lautaro Martinez, ndërsa ishin pikërisht këta të dy që kërcënuan portën e Szczesny-t me goditje nga distanca, por pa ia dalë të gjejnë rrjetën. Ishte pikërisht numri 10 i zikaltërve, ai që pati edhe mundësinë e fundit për skuadrën e Spallettit, por gjuajtja edhe këtë herë ishte e pasaktë dhe përfundoi jashtë kuadratit të portës së Juventusit. Me këtë fitore, bardhezinjtë nxjerrin përfundimisht jashtë luftës për titull Interin, pasi shkojnë në kuotën e 43 pikëve, plot 14 më tepër se zikaltrit, që kanë arritur të grumbullojnë vetëm 29 pikë në 15 takimet e para të kampionatit.