Hekuran Hoxha, ose siç njihet ndryshe si “Roni i Shijakut” i arrestuar gjatë operacionit policor “Vol-Vo 4”, i është drejtuar me një kërkesë Gjykatës së Krimeve të Rënda, duke kërkuar lirimin nga qelia. Kërkesa e Hoxhës është rregjistruar në sekretarinë e gjykatës në datën 23 shtator 2019 dhe gjyqtari që po shqyrton çështjen është caktuar Bib Ndreca.

Hoxha kërkon zbutjen e masës së sigurisë nga “arrest në burg” në “arrest shtëpie” ose “detyrim paraqitje”, pasi sipas burimeve ai vuan nga probleme me zemrën. Sipas kërkesës së mbrojtjes i dyshuari i prokurorisë Hekuran Hoxha, nuk mund të mbahet në qeli përsa kohë vuan nga zemra, madje dhe për këtë shkak edhe masa e arrestit ndaj tij është zhvilluar dhe shpallur në spital.

Hoxha u arrestua në vijim të aksionit “Volvo 4” për dyshimet e akuzës se implikohet në ngritjen e një laboratori droge në Has, i shkatërruar nga autoritetet gjatë goditjes se grupit “Avdylaj”. Por avokati i Hekuran Hoxhës pretendon se klienti i tij nuk ka asnjë lidhje me trafikun e heroinës dhe të kërkuarin, Admir Hoxha. Emri i Hekuran Hoxhës del në kartelën e policisë edhe për një aksion të mëparshëm antidroge i zhvilluar në 2009-n në Itali. Në përgjimet e kryera nga prokuroria, janë interceptuar dhe bisedat mes “Ronit të Shijakut” dhe kushëririt të tij Admir Hoxha.

Sipas prokurorisë këta dy persona janë dy drejtuesit e grupit kriminal, dhe personat përgjegjës që kishin organizuar futjen në Shqipëri nga Kosova të 161 pakove me heroinë. Sasia e drogës, ishte fshehur në një shtëpi, në fshatin e Hasit në Kukës, dhe prej këndej po planifikohej të transportohej në Durrës, ku ishte siguruar një ambient për përpunimin e saj. Prej këndej, sasia e drogës do trafikohej në Itali.Ndër të tjera, nga transkriptimi i përgjimeve mes Ronit dhe Admir Hoxha, në datën 30 gusht 2018, ndër të tjera është zhvilluar kjo bisedë:

Roni: Ka je?

Admir: Hiq... në Tiranë

Roni: E qa do bëjmë do takojmë sot

Admir: Po thanë, e lamë me këtë shokun tim se ka gjet ky ni ashtu aty n’Durrës që merr vesh nga këto letrat

Roni: Okej... rregullojmë njëherë letrat...

Roni: Mirë... shife vetë edhe ashtu, po me atë ke fol me të

Admir: Jo mor burrë s’kam fol u ba nja një javë ni javë u ba... hajt se folim nga afër...

Komunikim ndërmjet numrit 069XXX50 me numri +333 në përdorim të Hekuran Hoxhës në 14 gusht 2018 ku i dërgon sms me tekst:

“...O shok po më vjen Dori përditë... kam për t’i dhonë 800...”.

Ndërkohë në një tjetër komunikim mes Saimir Gjepalit dhe Ronit të Shijakut, Gjepali i dërgon sms me tekst:

“...o shok në dark do shkoj te ai se se nuk erdhi knejr. hë shok a vonohesh? A ikim bashkë? I tha do vij të takoj e kemi lon në 9 e gjys për zotin. o shok s’ka ardh akoma...?”.

Ndërsa në një komunikim tjetër të datës 12 shtator 2018 me një person të paidentifikuar i vjen ky mesazh:

“...jam në Kosovë vij vonë nga darka...”.

Më pas një person i paidentifikuar i dërgon një sms Hekuran Hoxhës, ku i thotë:

“...o Rono më erdh Dori ke puna osht dhy puna keq po s’më dhe lekët deri sonte nesër i du gjith më tha. e kam litarin n’fyt. o shok a bane noj gjo për atë 500 paktën t’i jap atë...”.

Roni: Nesër kismet shok....