Sulmuesi i Kosovës dhe i Mallorcas në La Liga, Vedat Muriqi ka dhënë së fundmi një intervistë për "Ultimahora" në Spanjë. Dardani ndalet te problemet që Kosova ka me mosnjohjen nga Spanja dhe idenë e tij për t'u larguar pas javëve të para në ligën e re. Me klubin e ri, Muriqi ka shënuar 12 gola dhe ka dhënë një asist këtë sezon.
“Më shqetëson shumë sepse kjo do të thotë se familja ime ose miqtë nuk mund të vijnë këtu. Duhet të marrësh vizë nga Maqedonia e Veriut, por del se vizat janë vetëm për maqedonasit. Unë pata shumë probleme me lejen e qëndrimit dhe arrita në një pikë që thashë: Do të flas me klubin dhe po iki. Në fund u rregullua”, fillon rrëfimin Muriqi për Ultimahora.
Sulmuesi më pas u ndal edhe te sporti si bashkues i njerëzve kundër racizmit.
“Gjithashtu nuk më pëlqen që La Liga nuk na njeh. Një gjë është politika dhe një tjetër, sporti. Pastaj flitet shumë për ‘Jo për racizmin’, por ky është racizëm. Sporti duhet të shërbejë për të bashkuar njerëzit, jo për t’i ndarë ata”, vijoi Vedati.
Muriqi tregoi edhe ofertat që ka pasur, duke dashur të vijojë kontratën deri në fundin e saj me Mallorcan, e cila skadon në 30 qershor 2027.
“Nuk janë sekrete ofertat që ka pranuar menaxheri im, por ideja ime është të qëndroj këtu deri në fund të kontratës sime. Kam gjetur vendin tim. Unë luaj, shënoj dhe kam shokë të mirë të skuadrës”, shton më tej sulmuesi nga Prizreni.