Ish-kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha me ‘Foltoren’ e tij është zhvendosur këtë të martë në Kukës, ku Berisha u takua me demokratët e këtij qyteti.
Duke bindur demokratët që vendimi i Lulzim Bashës për ta përjashtuar nga grupi parlamentar, është i gabuar, pasi SHBA e shpalli ‘non grata’, Sali Berisha e cilësoi kreun demokrat, si peng të Edi Ramës. Berisha madje e injoroi Bashën, duke sfiduar drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama, që të ndjekë ‘Foltoren’ e tij pasi kjo është punë burrash e jo pengjesh.
“Edvin, ndiqe ketë foltore, kjo është punë burrash dhe jo punë pengjesh, burrash dhe grash të lira. Mblidhemi në këtë foltore t’i rikthejmë PD-së forcën e atdheut, t’i rikthejmë demokratëve dinjitetin për të cilën sakrifikuan aq shumë në betejën për përmbysjen e komunizmit. Ne mblidhemi në momente kritike për vendin në një kohë kur një njeri i cili ka kaluar në këto 8 vite nga skandali në skandal, duke e shndërruar Shqipërinë në vendin e dytë më të korruptuar të botës, duke e shndërruar në vendin më të shpresë të planetit, duke e shndërruar Shqipërinë në vendin e braktisjes masive. Nuk meriton të qëndrosh në qeveri jo 8 vite, po as 8 ditë”, u shpreh Sali Berisha.
Pas shkarkimit nga Komisioni i Sigurisë dhe paralajmërimit për përjashtim nga grupi, duket se Flamur Noka nuk është ‘trembur’ nga vendimi i Bashës dhe sërish i ka qëndruar ‘besnik’ Sali Berishës duke e ndjekur edhe në Kukës. Deputeti demokrat është parë krah anëtarëve të PD-së, teksa kishin dalë për të pritur Berishën me tupana, flamuj të PD-së dhe veshje kombëtare.
Berisha madje komentoi edhe shkarkimin e Nokës nga Basha, ku tha se këtij të fundit i ka hyrë frika nga anëtarët e PD-së dhe madje për këtë arsye e shkarkoi Flamur Nokën.
Me 'Foltoren' e tij Berisha më shumë se sa të rrëzojë Bashën nga kreu mi PD, në fakt kërkon t’u mbush mendjen demokratëve se ai është gjykuar pa të drejtë me shpalljen e vendimit ‘non grata’ nga DASH. Edhe pse vetë SHBA konfirmon se për Berishën është një dosje e plotë lidhur me faktet se ai ka minuar demokracinë dhe ka bërë korrupsion gjatë kohës që ka qenë në qeveri.
Në Kukës, Sali Berisha i ka realizuar ëndrrën një demokrati, gjatë ‘Foltores’. Qytetari i kërkoi që të bënte një foto me të që të mos vdesë pa pasur një të tillë. Kjo situatë shkaktoi humor dhe të qeshura, por Berisha ja plotësoi ëndrrën dhe e priti për një foto.
'Përshëndetje Doktor Berisha, falenderimet më të përzemërta. Qendra ime ka qenë gjithmonë blu, qendër e vogël me fuqi të madhe. Jam kryetar i seksionit, i deleguar në Kuvend. Te trau i Kukësit kur kam përmendur emrin tënd më kanë arrestuar, por votën në shtëpinë time s’kanë arritur kurrë ta marrin. Më ka arrestuar i biri i Kristaq Ramës. 14 anëtarë të familjes time janë pro Partisë Demokratike, pro Berishës. Kam edhe një fjalë, edhe me vdek ta bëj një foto me ty. Edhe po vdiqa, dua të kem një foto me ty', tha ai.
Gjatë foltores së Sali Berishës me demokratët në Kukës, nuk kanë munguar edhe komentet e anëtarëve. Madje një prej tyre i ka kujtuar moshën dhe i ka thënë të mos behët merak, pasi sipas tij presidenti i SHBA-së është11 vite më i madh se ai e drejton Amerikën.
Qytetari: Kemi shpresë të madhe tek ti o doktor! Je i votuar edhe nga fëmija 2 vjeçar. Ne të falënderojmë, të urojmë pleqëri të mbarë. Ti mos u frikëso se je 76 vjeç.
Berisha: 77
Qytetari: Doja te ta ulja një vit. Joe Biden është 88, i thonë 11 vjet je prapa Joe Bidenit. Ti shëndetin e ke, forcën e ke, mendjen e ke dhe ne kemi shpresën e madhe tek ty.
*Shënim: Presidenti i SHBA, Joe Biden është 78 vjeç.
Sali Berisha nga Kukësi ka komentuar edhe shkarkimin e Flamur Nokës nga komisioni i Sigurisë dhe paralajmërimin që i bëri Basha për ta përjashtuar edhe nga grupi parlamentar.
“Ka ndodhur një gjë e tmerrshme me ish-kryetarin. I ka hyrë një frikë e madhe nga ju. E ka kap një frikë e tmerrshme nga ju. Nuk ju takon, merr vendime nga zyra. Të gjitha nga frika. Së fundmi tha e përjashtova edhe Flamur Nokën nga kjo detyrë. Por dy gjëra do u them: që në mënyrë absolute, as unë dhe askërkush nga ju nuk i ka faj për frikën që i ka hy. E ka vetë. Ato i ka vetë.
Vetë është peng, i pashpresë ç’është e vërteta. Tani imagjinojeni: a mund të jetë zot shtëpie ai që ka frikë nga gratë e burrat e shtëpisë? Ai duhet të ikë sa më parë,” tha Berisha.