Kur të kthehet në banesën e saj, një vilë në zonën e Lundrës, këngëtarja Enca Haxhiaj, nuk do të gjejë në ballkon 5 vazot me kanabis, të cilat tha se i kishte vetë mbjellë për kureshtje dhe se njëkohësisht është përdoruese e drogës

Togat e zeza në Gjykatën e Tiranës vendosën ta nxjerrin nga qelia, ku këngëtarja qëndroi për 2 netë prej arrestimit mbrëmjen e 12 shtatorit, dhe të caktojë ndaj saj masën e detyrimit të paraqitjes.

Enca Haxhiaj nuk foli kur u ul në bankën e të akuzuarit në gjyq, në një seancë pa praninën e kamerave, ku e reja u mbrojt nga xhaxhai I saj, avokati Maks Haxhiaj. Ai pretendoi se kontrolli në banesën ku u zbuluan 5 rrënjët e kanabisit që kishin arritur nga 1.1 deri në 1.3 metër, është bërë pa vendim gjykate, por me iniciativë të policisë.

Prokuroria nuk ishte në një mendje me gjykatën. Hetuesit kërkuan që këngëtarja të hetohej duke qëndruar në qeli në masë arresti me burg.

Një verifikim me analiza laboratorike do të bëhet më tej për të faktuar shkencërisht nëse këngëtarja është apo jo përdoruese hashashi, siç ka pretenduar.

Nëse do të shpallet fajtore, Enca Haxhia rrezikon nga 3 deri në 7 vite burg, për veprën penale të kultivimit të lëndëve narkotike, pasi Kodi Penal ka mangësi dhe nuk ka ndarje sipas sasisë së kultivuar, duke sjellë që një i pandehur i gjetur fajtor, të dënohet nën të njëjtat kushte, si këngëtarja me 5 bimë, ashtu edhe një kultivues me parcela kanabisi. 

“Si një persona që merret me disa gramë, si një që merret me maune ose me sasi të madhe, është e njëjta dispozitë”, tha avokati Robert Karati.