'MED24'/ Tirana mbledh të rinjtë nga 25 shtete të botës! Videomesazhi i Papa Franceskut: Bëhuni zëri i atyre që s'dëgjohen! Jeni e ardhmja e Mesdheut

Për herë të parë në Shqipëri, po zhvillohet takimi ndërkombëtar MED24 në Tiranë, një ngjarje e madhe që sjell së bashku të rinj dhe peshkopë nga mbi 25 vende të Mesdheut dhe Detit të Zi.

Ky aktivitet, që ka nisur më 16 shtator dhe do të zgjasë 1 javë, synon të promovojë dialogun ndërfetar, paqen dhe solidaritetin në një rajon të përballur me sfida të mëdha sociale dhe politike.

Në këtë aktivitet Papa Francesku ka përcjellë një video mesazh për të rinjtë në Takimin Med24, me temë “Shtegtarë të shpresës. Ndërtues të paqes”

 

Mesazhi i Papa Franceskut

Të dashur miq, të dashur të rinj shqiptarë dhe mesdhetarë,

Është gëzim për mua t'ju shoh të mbledhur në Tiranë, dhjetë vjet pas vizitës sime në vendin tuaj të dashur, më 2014: Nuk harroj, eh!, dhe më kujtohet ai udhëtim i paharruar, gjatë të cilit munda të takoj popullin tuaj, një popull me shumë fytyra, por i bashkuar nga guximi. Siç u thashë atëherë të rinjve, “ju jeni brezi i ri i Shqipërisë” (Engjëlli i Tënzot, Tiranë, 21 shtator 2014). Shtoj sot, të dashur të rinj nga pesë brigjet e Mesdheut: ju, brezi i ri, jeni e ardhmja e rajonit të Mesdheut.

Jemi të gjithë shtegtarë të shpresës, duke ecur në kërkim të së vërtetës dhe duke e jetuar fenë përmes ndërtimit të paqes. E paqja duhet ndërtuar... Zoti i do të gjithë njerëzit dhe nuk bën dallim mes nesh. Vëllazërimi ndërmjet pesë brigjeve të Mesdheut, që ju po e krijoni, është përgjigjja – përgjigjja! – përgjigjja më e mirë, që mund t’u japim konflikteve dhe indiferencave, që vrasin. Sepse indiferenca vret.

Mësoni së bashku të interpretoni shenjat e kohës. Kundrojeni larminë e traditave tuaja si pasuri, një pasuri e dëshiruar nga Zoti. Uniteti nuk është uniformitet, dhe ndryshimet mes identiteteve tona kulturore dhe fetare janë dhuratë e Zotit. Rrituni në respekt të ndërsjellë, siç dëshmojnë paraardhësit tuaj.

Vendosni në qendër zërin e atyre që nuk dëgjohen. Mendoj për më të varfërit, që vuajnë kur konsiderohen barrë apo shqetësim. Mendoj për ata që, shpesh tepër të rinj, duhet të largohen nga vendi për një të ardhme më të mirë. Kujdesuni për secilin. Nuk është fjala për numra, por për njerëz e çdo njeri është i shenjtë; është fjala për fytyra, dinjiteti i të cilave duhet të promovohet dhe të mbrohet. Të heqim dorë nga kultura e frikës për të hapur portën e mikpritjes dhe të miqësisë.

Si një liqen i madh i Tiberiadit, që i është besuar kujdesit tuaj, banojini brigjet e këtij pellgu të madh, që ju bashkon: Mesdheu ju bashkon, ju bashkon si një kopsht i bukur për t'u kultivuar. Ruajeni frymën e shërbimit në të gjitha rrethanat, kujdesuni për çdo krijesë, që u është besuar duarve tuaja.

Të dini të ecni në gjurmët e martirëve. Guximi i tyre është dëshmi e gjallë, që mund të frymëzojë më shumë impenjimin tuaj për t'i rezistuar gjithë dhunës, e cila e shpërfytyron njerëzimin, siç bëri e Lumja Marie Tuci, kur ishte vetëm njëzet e dy vjeç.

Ju besoj në duart e Marisë, Nënës së Këshillit të Mirë, e cila, gjithmonë, e ka kthyer vështrimin e saj amnor, plot dashuri e dhimbje, drejt ngjarjeve të tokës suaj. Mësoni nga Zemra e saj e Papërlyer të jeni shtegtarë të palodhur të shpresës dhe të ndiqni shenjat e Zotit, në mënyrë që Mesdheu të rigjejë fytyrën e tij më të bukur: atë të vëllazërimit dhe të paqes. E të mos jetë më varrezë.

Takimi i “MED24”, ka për qëllim të nxisë dialogun dhe bashkëpunimin ndërmjet të rinjve dhe ipeshkvijve nga rajoni i Mesdheut për të adresuar sfidat dhe mundësitë e përbashkëta ne krijimin një kulture solidare, që promovon paqe dhe shpresë.

Të rinjtë e “MED24”, vijnë nga vende te ndryshme si: Maroku, Algjeria, Tunizia, Egjipti, disa vende të Lindjes së Mesme, Turqia, Armenia, Gjeorgjia, Rumania, Greqia, Kroacia, Kosova, Malta, Franca, Italia, Spanja dhe Shqipëria. Ata i përkasin besimeve të ndryshme fetare.

Me mbështetjen e Papa Françeskut, ky takim synon të ndërtojë ura të reja dialogu dhe solidariteti ndërmjet popujve të rajonit.

Gjatë këtij eventi, pjesëmarrësit do të përfshihen në sesione pune, diskutime dhe vizita kulturore, duke eksploruar trashëgiminë historike dhe shpirtërore të Shqipërisë.

Aktivitetet përfshijnë vizita në qytetin historik të Shkodrës, takime me liderë fetarë dhe politikë, si dhe një program të pasur shpirtëror e kulturor që përçon mesazhin e paqes dhe harmonisë.

S.G/I.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Mehdi Mountather: 18/09/2024 15:11

    These wildfires in Portugal and storm Boris in Europe punishment of God in Islam to avoid death by fires floods storms thunderstorms tornadoes more mag 7 earthquake tsunami volcano meteorite in Albania in Portugal in Europe pope Francis non-Muslims to convert to Islam and Muslims to apply the Quran 100% September 18, 2024.

    Përgjigju
  • Bom: 17/09/2024 17:18

    Në fillim duhet të ngremë zërin kundër Organizatës Mafioze Socialiste, pastaj të ngremë zërin për Mesdheun.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Momente tmerri! Dalin pamjet brenda avionit para rrëzimit në Kazakistan të filmuar nga një prej pasagjerëve

VIDEO/ Momente tmerri! Dalin pamjet brenda avionit para rrëzimit në Kazakistan të filmuar nga një prej pasagjerëve