“Express UK” i ka dedikuar një artikull grupeve kriminale që merren me pastrimin e parave në Shqipëri.
“Bandat e krimit përdorin kompani transporti në Mbretërinë e Bashkuar për të transferuar paratë e drogës nga Britania në Shqipëri", titullohet artikulli i medies britanike.
“Hetimi ynë zbuloi se katër anëtarë të dyshuar të një grupi të krimit të organizuar, të specializuar në kontrabandën e parave kriminale nga Britania në Shqipëri, u arrestuan këtë muaj”, thuhet në artikull.
Sipas policisë, siç raporton Express paratë që mendohet se në disa raste janë krijuar nga shpërndarja e kokainës dhe kanabisit, po zhvendosen jashtë Britanisë me furgonë për t’u pastruar në prona dhe biznese.
“Një zëdhënës i NCA tha: “Oficerët besojnë se grupi operon nën maskën e një kompanie korrierësh legjitime”. Më 13 prill, një shtetas shqiptar, 48 vjeç, u arrestua në Dover kur në automjetin e tij u sekuestruan 200,000 £. Në të njëjtën ditë, dy burra, të moshës 34 dhe 22, dhe një 17-vjeçar u arrestuan në Tottenham Hale, në veri të Londrës, kur u sekuestruan rreth 150,000 £”, shkruan Express UK.
Hetimi filloi në shkurt 2022 pasi zyrtarët e Forcave Kufitare ndaluan një shtetas shqiptar për kontroll. Brenda furgonit të tij, me destinacion Tiranën, oficerët gjetën 390,000 £, raporton media britanike.
"150,000 £ të tjera u gjetën në shtëpinë e tij në Haringey. Hetimet e Sunday Express zbuluan se praktika e përdorimit të firmave të korrierëve me bazë në Mbretërinë e Bashkuar për të lëvizur para të padeklaruara është e përhapur. Në maj të vitit 2021, policia shqiptare sekuestroi 123,000 £ të fshehura në një furgon Mercedes të dërguar nga firma “Sihana Transport” me qendër në Luton, i cili lëvizte mallra të ligjshme.Bandat shqiptare të krimit po përdorin firma korrierësh të regjistruara në Mbretërinë e Bashkuar për të transportuar paratë në atdheun e tyre”, shkruhet më tej.
Një hetim i Sunday Express zbuloi se disa kompani korrierësh të regjistruara në Shtëpinë e Kompanive drejtohen nga shtetas shqiptarë. Ato reklamojnë në rrjetet sociale se transportojnë sende të ligjshme, si mobilje, mes dy vendeve. Në disa raste ata janë përfshirë në dërgimin e parave të padeklaruara dhe të paktën në një rast të armëve të zjarrit.